Rrezik për sulm nga Irani? Shtuni në Real Story: Kërcënimet ekzistojnë, Shqipëria e ka sfiduar

POLITIKË


“Kërcënimet janë bërë, por shanset për të goditur Shqipërinë janë të vogla”. Kështu është shprehur eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sigurinë, Adrian Shtuni në emisionin “Real Story” përballë gazetarit Sokol Balla i pyetur për rrezikun real që i kanoset Shqipërisë pas kërcënimeve që bëri lideri suprem i Iranit Ali Khamenei duke e cilësuar “një vend i vogël djallëzor”. Shtuni tha se pavarësisht shanseve të vogla për sulm, duhet pasur kujdes, pasi Irani po sulmon në mënyrë asimetrike aty ku ka prezencë amerikane dhe partnerë të Amerikës, duke qenë se nuk ka mundësi të sulmojë drejtpërdrejtë SHBA. Për Shtunin rreziku rritet edhe për faktin se Shqipëria ka përzënë ambasadorin iranian nga vendi dhe se liderët e kanë identifikuar Iranin si faktor destabiliteti duke e sfiduar atë.

“Shqipëria ka marrë vendimin e duhur për pranimin e muxhahedinëve MEK në vend si një kërkesë e ardhur drejtpërdrejtë nga SHBA, por është edhe në linjë të drejtë me vlerat e shoqërisë shqiptare. Ka një shqetësim për sa i përket aspektit të sigurisë, por shanset që të godasë Irani janë të vogla, megjithatë duhet pasur parasysh që kërcënimet janë bërë.


Tendenca e Iranit për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së Kasem Sulejmanit ka qenë asimetrike pasi mundësitë për të sulmuar SHBA janë tepër të vogla. Kjo ka bërë që Irani të fokusohet te prezenca amerikane dhe partnerëve të saj jashtë Amerikës.

Rrezikshmëria është ekzistonte prandaj është mirë të kihet kujdes.  Ka pasur tendenca më para. Dëbimi i ambasadorit ishte një farë ofendimi i drejtpërdrejt, një farë hedhje e dorezës në fytyrë. Gjithashtu deklaratat e liderëve që e kanë identifikuar Iranin si burim destabiliteti. Soleimani ka pasur gjak në duar për vrasjen e qindra amerikanëve kështu që goditja ka qenë e pritshme. Irani sulmoi dy baza amerikane në Irak, një goditje jo e fortë por një telegram për SHBA dhe për të shpëtuar fytyrën e saj pas vrasjes së gjeneralit Sulejmani” tha Shtuni në një lidhje me Skype nga Uashingtoni me studion e emisionit Real Story.




Skip to toolbar