Rrëzohet padia. Regjistrimi i partisë së Patozit, i ligjshëm

Më të fundit


Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar ditën e sotme, padinë e bërë nga Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar për ligjshmërinë e  Partisë Bindja Demokratike, të Astrit Patozit.

Kolegji Zgjedhor vendosi se regjistrimi i Bindjes Demokratike është në përputhje me ligjin. Fill pas këtij vendimi ka ardhur reagimi i Astrit Patozit i cili shkruan se ky ishte stërkëmbëshi i fundit që PBD kapërceu dhe tashmë ajo është e fokusuar tek zgjedhjet.


“BINDJA DEMOKRATIKE kapërceu sot edhe stërkëmbëshin e fundit të atyre, që i trembeshin më shumë pranisë së saj, se sa mungesës së tyre në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Tanimë, jemi tërësisht të fokusuar tek gara për të treguar se jemi realisht fryma e re dhe shpresa e vetme për ndryshim në këtë vend. Keqardhje për ata që u përpoqën më kot të na pengonin në të drejtën tonë për t’u ofruar shqiptarëve një projekt të ri politik, krejtësisht të ndryshëm nga “Rilindja” e korruptuar dhe nga opozita e dëshpëruar, e cila paralajmëron përplasje civile për të mbuluar vetëvrasjen e vet politike.

BINDJA DEMOKRATIKE po vjen si ortek vullnetesh shpërthyese shqiptarësh të lirë, të cilët nuk e kanë humbur besimin se ky vend mund të bëhet prej nesh vetë. Zoti e bekoftë BINDJEN e qeverive dhe të politikanëve ndaj popullit”, shkruan Patozi.




Skip to toolbar