Patozi: Një sqarim për idjotët e Lulit

Organi zyrtar i Partisë Demokratike, “Rilindja Demokratike”, në një artikull të saj,  shkruante se “Rama shpërblen shërbëtorin Patozi, i jep zyra dhe palestër”. Ndaj këtij artikulli, reagoi kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi. “Një sqarim i detyruar dhe shterrues për të gjithë idjotët e Lulit”, e nis shkrimin e tij në Facebook Patozi. Më tej, ai konfirmon se, po, Qeveria i ka dhënë zyrat, por, Astrit Patozi shkruan se ky është detyrim ligjor që buron nga ligji “Për partitë politike”.

“Pa as më të voglën dëshirë, por në respekt të publikut, që bombardohet pa mëshirë me marrëzi politike dhe me fake news, jo vetëm në rastin tërmeteve, sqarojmë si më poshtë: Pajisja me seli në Tiranë e Bindjes Demokratike është një detyrim ligjor i qeverisë së Republikës së Shqipërisë, i cili buron nga ligji “Për partitë politike”. Që do të thotë se mospajisja do të kishte qenë shkelje flagrante e këtij ligji. I vetmi “nder” që na ka bërë qeveria e Edi Ramës është se na ka dhënë një ambjent, që nuk na pëlqen fare, në një zonë gjithashtu të papërshtatshme të periferisë së kryeqytetit, dhe për më tepër me disa muaj vonesë, që nga momenti kur na kishte lindur e drejta, sipas ligjit”, shkruan Patozi.

Më tej, Patozi bën dhe një paralelizëm për fondet që merr PD nga buxheti i shtetit, përcaktuar në ligj. Sipas kreut të  BD, nëse do ndiqej “logjika e idjotëve të Lulit, edhe fondet që marrin partitë nga buxheti do quheshin “dhurat”.

“Në rast se do të ndiqnim logjikën e idjotëve të Lulit, që e paskan trajtuar si një “dhuratë” të Edi Ramës, ne duhet të konsideronim të tillë edhe çdo fond nga buxheti i shtetit, që merr Partia Demokratike apo çdo forcë tjetër politike, sipas ligjit. Meqë marrokët e Lulit po thonë se ky është ngë privilegj i qeverisë për Bindjen Demokratike, ne ftojmë çdo subjekt politik, që shkon me mendjen e tyre dhe që ka një seli në Tiranë, të vijë e t’i ndërrojmë kokë për kokë zyrat, duke filluar nga nesër, po të duan”, shkruan Patozi.

Në fund, ai sqaron se ambientet e punës së Bindjes Demokratike, do të vijojnë të mbetet shtetërore, ndërsa “thumbon” dhe kreun e PD, kur shprehet se “as kemi ndërmend që të ndërtojmë ndonjë pallat të paligjshëm, të cilin edhe po na e prishën, mund të na e dëmshpërblejë pastaj qeveria me miliona euro”.

“Ambjentet e punës së Bindjes Demokratike do të vijojnë të mbeten pronë shtetërore edhe pasi ne të vendosemi atje. Ato, as i marrim dot me vete në shtëpi, dhe as kemi ndërmend që të ndërtojmë ndonjë pallat të paligjshëm, të cilin edhe po na e prishën, mund të na e dëmshpërblejë pastaj qeveria me miliona euro. Ndaj i ftojmë idjotĕt e Lulit të mos mërziten kot, sepse aty i kanë, dhe mund të na i marrin prapë, gjithmonë, nëse do t’u vijë ndonjëherë në këtë jetë rasti, që ta kenë ata në dorë”, përfundon ai.

NJË SQARIM I DETYRUAR DHE SHTERRUES PËR TË GJITHË IDJOTËT E LULITPa as më të voglën dëshirë, por në respekt të…

Gepostet von Astrit Patozi am Samstag, 28. September 2019

Teatri, Bindja Demokratike: Po e shemb Basha dhe Kryemadhi, që refuzuan zgjedhjet

Përfaqësuesi ligjor i Bindjes Demokratike, Fabian Topallaj ka reaguar në lidhje me protestën e qytetarëve kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Topallaj ka shkruar një status në rrjetet sociale, ku shprehet se fajin për prishjen e teatrit e ka Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.

“A e dini se Rama dhe Veliaj mund ta shembin Teatrin Kombëtar edhe nëse Gjykata Kushtetuese konstituohet edhe mblidhet që nesër duke e rrëzuar “Ligjin Fusha”. Kjo për shkak të mungesës së PD dhe LSI në zgjedhje. Makutërria e Veliajt dhe Ramës për të zëvendësuar Teatrin Kombëar me kulla gjigande betoni në mes të Tiranës, frenohej nga ligji për “vetëqeverisjen vendore” që parashikonte se pronat e Bashkisë mund ti kalonin në shfrytëzim privatit vetëm nëse këtë e dakordësonte me 3/5 e këshilltarëve bashkiakë”, shkruan Topallaj.

Më tej ai sqaron se as vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të ketë vlerë, lidhur me mbrojtjen e Teatrit. “Dhe sot, pavarësisht se Presidenti i Republikës ka goditur këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, vendimmarrja e kësaj të fundit nuk ka më asnjë rëndësi për çështjen, sepse Rama dhe Veliaj kontrollojnë 59 këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe mund të përdorin lirisht procedurën e vjetër ligjore për të bërë përsheshin e ëndërruar ne sheshin e godinës së teatrit”, shkruan Topallaj.

Kolegji rrëzon Bindjen: Zgjedhjet në Selenicë të rregullta

Kolegji Zgjedhor ka vendosur të rrëzojë padinë e partisë Bindja Demokratike, që kërkonte shpalljen të pavlefshëm të zgjedhjeve në Bashkinë e Selenicsë. BD kishte kërkuar në kolegj që zgjedhjet e 30 qershorit në Selenicë të mos njiheshin, pasi sipas kësaj partie në kutitët e votimit janë hedhur më shumë vota, nga sa kanë votuar votuesit në realitet.

Por Kolegji Zgjedhor ka vendosur të rrëzojë këtë kërkesë, duke konfirmuar ligjshmërinë e procesit të zgjedhjeve për Bashkinë Selenicë. Pas seancës në kolegj, ka folur përfaqësuesi ligjor i Bindjes Demokratike, Fabian Topallaj, i cili është shprehur se “mendojmë që kutitë janë mbushur nga komisionerët.

 “Vëzhguesit tanë kanë vërejtur se në mbyllje të votimit ka pasur diskordancë në numrit të njerëzve që ata kanë numëruar të votojnë dhe numrit që rezultonte në lista”, tha Topollai.

“Mendojmë se komisionerët u kanë dhënë votuesve më shumë se një fletë votimi. Po ashtu mendojmë se kutitë janë mbushur nga komisionerët. Ka diskordancë të numrit të votave të numëruara në ekranet e numërimit dhe votave të pasqyruara në procesverbale. Në kërkuam ne KQZ të hapen kutitë e materialeve zgjedhore”.

Ndërkohë, lidhur me këtë çështje, i pranishëm në seancën e Kolegjit Zgjedhor, përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, Eridian Salianji, u shpreh se “pretendimet e Bindjes Demokratike, janë thjeshtë politike, dhe nuk ka asgjë në të vërtetë në to”.

 Në këto kushte, Kolegji Zgjedhor i jep një tjetër verdikt ligjor procesit zgjedhor të 30 qershorit, duke rrëzuar indirekt edhe akuzat e Partisë Demokratike se “në 30 qershor u mbushën kutitë me fleë votimi.

Gjatë ditës së hënë pritet që të shqyrtohet po në Kolegj Zgjedhor edhe disa kërkesa të Partisë Socialiste për shpërndarjen e mandateve të këshillave bashkiakë në disa bashki.

Zgjedhjet e 30 qershorit, Bindja Demokratike kërkon pavlefshmërinë e tyre në Tiranë e Shkodër

Bindja Demokratike ka ankimuar procesin elektoral të 30 qershorit në të gjitha ato zona zgjedhore ku ajo konkurroi me kandidatë për kryetarë ose këshilltarë bashkie. Pas rrëzimit të disa prej kërkesave të saj nga KQZ, këtë herë Bindja Demokratike kërkon që të shpall të pavlefshme zgjedhjeve në të gjitha Qendrat e Votimit të  Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë dhe Bashkia Shkodër.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që do të shqyrtojë kërkesat e BD ditën e hënë në orën 11:00. Më herët KQZ i  ka hedhur poshtë disa nga animimet e partisë Bindje Demokratike për disa zona zgjedhore, me arsyetimin e nuk kishte prova që vërtetonin akuzat e saj.

Në akuzat e partisë Bindja Demokratike thuhet se procesi u administrua keq dhe ka pretendon se ka pasur shtim fiktiv të numrit të përgjithshëm të votuesve, si dhe ndryshim të votave në tavolinat e numërimit në favor të Partisë Socialiste dhe të aleatëve të saj.

Ankimimi është dorëzuar në KQZ nga anëtari i bordit të përkohshëm përfaqësues, Fabian Topollaj.

Bindja Demokratike kërkon përsëritje të zgjedhjeve në Kolegjin Zgjedhor

Bindja Demokratike e vetmja parti opozitare që mori pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit ka paditur Komisionin Qendror Zgjedhor pranë Kolegjit Zgjedhor për shkak se nuk ka pranuar  kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve në Kurbin.

Bindja Demokratike kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve me 76 Qendrat e Votimit të Kurbinit.

Përfaqësuesit e BD me në krye Astrit Patozin, pretendojnë se 30 qershori ka qenë një proces i cunguar që çoi në deformimin e votës. Që në fillim ata kanë bërë një kërkesë që të kishin komisionerët dhe numëruesit e tyre, por kjo i është refuzuar nga KQZ, duke ia kaluar shoqërisë civile.

Kjo është padia e parë në Kolegjin Zgjedhor pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Bindja demokratike gjithashtu kërkoi rinumërim të votave në qarkun e Sarandës por edhe kjo kërkesë e saj u rrëzua nga KQZ me argumentin se nuk ka prova të mjaftueshme për manipulim votash. Tani pritet vendimi i Kolegjit Zgjedhor në lidhje me kërkesën e Bindjes Demokratike, i cili do të jetë dhe vendim i formës së prerë.

Thirrja e Astrit Patozit: Mos iu bind atij që të fton t`i vësh flakën shtëpisë!

Kryetari i Bindjes Demokratike Astrit Patozi u është drejtuar qytetarëve shqiptarë që dalin në votimet e 30 qershorit, duke u shprehur se “Shqipëria normale nuk ka asnjë lidhje me thirrjet dhe kërcënimet e tyre”, shprehet kreu i BD-së.

Ai ka shpërndarë një video mesazh drejtuar qytetarëve, ku shprehet se e vetmja mundësi, sipas Patozit, për të shprehur “mospranimin ndaj kësaj politike të shëmtuar sherresh dhe pazaresh të pista, ku të njëtët personazhe të konsumuar, veçse ndërrojnë rolet prej 30 vjetësh”, është vota për partinë që ai drejton.

Më tej, Astrit Patozi shprehet: “Mos iu bind atyre që të ftojnë për të shkuar në një festë me lugë të zbrazët dhe, as të tjerëve që të ndjellin t’i vesh flakën shtëpisë tënde. Secili e bën për hallin e vet, që nuk ka asnjë lidhje me tëndin”. Për të gjitha këto arsye, kreu i Bindjes Demokratike u kërkon qytetarëve shqiptarë që të mbështesin BD-në në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Ka vetëm një mënyrë për t’i ndëshkuar ata që e kanë shkaktuar; në mes të kësaj marrëzie mëkatarësh, ndiq zërin e ftohtë të arsyes. Ne nuk kemi asnjë përgjegjësi për sa po ndodh, por përmes teje duam të marrim të gjitha përgjegjësitë për një të ardhme tjetër për Shqipërinë. Voto BINDJEN tënde më 30 qershor”, shprehet ndër të tjera ai.

Patozi nis fushatën jashtë Tiranës: I kthejmë Laçit borxhin që i ka PD

Kryetari i partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, ka zhvilluar një takim elektoral në Laç, ku ka prezantuar kandidatin për kryetar bashkie Edmond Piroli. Gjatë fjalës së tij Patozi, siç shkruhet në njoftim në faqen zyrtare të BD-së, partia e tij do të fitojë zgjedhjet në Kurbin, ndërsa me kryetarin e ri qyteti do të ndryshojë.

Ne jo thjesht kemi gjetur një qytetar të denjë të Laçit, që nesër pritet të zgjidhet kryetar bashkie i Kurbinit, por ju garantojmë se Edmond Piroli do të ndryshojë gjithçka në administrimin dhe në qeverisjen e qytetit”, nënvizoi Patozi.

Më tej, Astrit Patozi u shpreh se e djathta i ka borxh Kurbinit, pasi sipas tij, katër vite më parë Partia Demokratike e la pa kandidat garën për bashkinë e Kurbinit.

E djathta i kishte një borxh Kurbinit, se katër vjet të shkuara e la pa kandidat Laçin, dhe këto zgjedhje ishin një shans për t`ia kthyer atë. Por Partia Demokratike ka vendsur të mos hyjë në këto zgjedhje dhe me këtë logjikë i bie që Kurbini të qëndronte 8 vjet rresht pa pasur garë për kryetar bashkie”, u shpreh Patozi.

Patozi: Vendimi antikushtetues, përgjegjësit e krizës nuk mund të na tregojnë gishtin

Kreu i partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi e ka cilësuar vendimin e Presidentit Meta për çdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit si jo kushtetues dhe se dekreti i presidentit nuk kishte asnjë arsye pse të shfuqizohej prej atij vetë.

Gjatë një interviste për Report Tv Patozi tha se presidenti nuk duhet të mbajë qëndrime emocionale, por institucionale të bazuara në fakte ligjore. Konsideratat negative të Presidentit për Bindjen Demokratike, Patozi i ka cilësuar si vendosje të gishtit në partinë e gabuar, pasi kjo parti nuk ka asnjë rol në krijimin e krizës së thellë politike në vend.

Intervista e plote:

Z. Patozi, doja t’ju bëja një pyetje në lidhje me dekretin e Presidentit paraditen e sotme, i cili ka kërkuar shfuqizimin e dekretit të mëparshëm për zgjedhjet e 30 qershorit. Cili është opinioni juaj? Pasi përveç Partisë Socialiste, edhe ju jeni pjesë e garës elektorale për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Astrit Patozi: Së pari, unë dua të sqaroj që BINDJA DEMOKRATIKE që në daljen e parë të saj publike ka theksuar që data për ne nuk është problem. Pra, ne nuk kemi qënë të lidhur me datën, por ne kemi theksuar që ne do të hyjmë në këto zgjedhje, kurdo që ato të mbaheshin. Dhe ne jemi bërë pjesë e fushatës elektorale me datën që kishte dekretuar vetë Presidenti i Republikës, që ishte 30 qershori. Sot kemi një qëndrim tjetër të Presidentit, të cilin ne e konsiderojmë si jo kushtetues, por më shumë emocional. Por, tek e fundit, nuk ka vlerë opinioni që ne kemi për këtë punë, përsa kohë që ne presim që të shprehen institucionet. Në çastin që institucionet do të flasin sigurisht që ne do të marrim qëndrimin tonë dhe ne shpresojmë shumë që data 30 qershor të mos lëvizë, sepse kemi bindjen që dekreti i presidentit nuk kishte asnjë arsye pse të shfuqizohej prej atij vetë.

Në rast se kjo datë ndryshon, ju si BINDJE DEMOKRATIKE çfarë do të bëni?

Astrit Patozi: Së pari njëherë ne nuk kemi pse të marrim qëndrime tani, pasi ngjarjet nuk kanë ndodhur. Ne shpresojmë që institucionet të vendosin ndryshe, por tek e fundit kjo nuk varet prej nesh. Ne kemi qënë që ditën e parë të prirur që të marrim pjesë në këto zgjedhje, kurdo që ato të mbahen, dhe në rast se do të ketë një datë tjetër sigurisht që ne do të marrim pjesë sërish.

Gjatë deklaratës së tij paraditen e sotme, Z. Meta ju ka sulmuar duke ju quajtur ju BINDJEN DEMOKRATIKE farsë e regjistruar në limite të cilat kishin përfunduar. Keni një koment në lidhje me këtë që ka shprehur Presidenti?

Astrit Patozi: Ne kemi pasur një qëndrim publik për këtë çështje dhe e konsiderojmë joracional qëndrimin e presidentit. E vlerësojmë si një ndjesi e tij personale, si një opinion dhe ne mendojmë që Presidenti i Republikës nuk mund të shprehet emocionalisht, por duhet të shprehet në bazë të të dhënave që ka nga institucionet përgjegjëse. Ne jemi një parti e regjistruar në këto zgjedhje, e regjistruar në Gjykatë, pra i kemi kaluar gjithë etapat ligjore në mënyrën më perfekte të mundshme dhe gjykojmë se çdo gjë tjetër që thuhet në adresën tonë, vetëm e nxjerr zbuluar Presidentin. I cili, në rast se do të ishte përfaqësuesi i unitetit të popullit, siç pretendon, sigurisht që nuk mund të shprehte konsiderata negative për njërën nga partitë, që merr pjesë në garën e 30 qershorit, datë të cilën e ka dekretuar vetë.
Por mbi të gjitha, ajo që është më e rëndësishmja në këtë rast, Partia BINDJA DEMOKRATIKE është një forcë e re politike, e cila nuk ka asnjë përgjegjësi politike lidhur me këtë krizë, që ne e shohim, e ndjejmë dhe e prekim çdo ditë nè Shqipëri.
Pra, në rast se Presidenti do të kishte për të shprehur ndonjë konsideratë negative, mund ta kishte për partitë, që e kanë shkaktuar këtë dhe, jo për BINDJEN DEMOKRATIKE. Fakti që ai e bëri është sigurisht problemi i tij, nuk është shqetësimi ynë.

Keni ndonjë koment për sa i përket krizës politike në vend, pasi kemi, siç ka deklaruar Presidenti, protesta nga ana e opozitës, antimitingje nga ana e mazhorancës, të cilat kanë qënë edhe një nga arsyet që Presidenti ka marrë këtë vendim në vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve lokale?

Astrit Patozi: Tani, ne kemi një qëndrim shumë të qartë për krizën. Ne e konsiderojmë atë si një korrje të asaj që kanë mbjellë forcat e vjetra politike, të cilat e kanë shkaktuar. Ne mendojmë se sistemi politik është në grahmat e fundit dhe kjo krizë është shprehja më e qartë e deformimit dhe e kalbëzimit të sistemit. Ne mendojmë që sot Shqipëria ka ardhur në këtë pikë për shkak të një pazari të pisët që është bërë para dy vitesh mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, e cila në vend të prodhonte stabilitet dhe paqe, prodhoi konflikt dhe ashpërsim mes dy kampeve. Dhe ne mendojmë se zgjidhja e vërtetë e krizës për Shqipërinë do të ndodhë pas mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, me korrektimin dhe formatimin e rendit kushtetues në Shqipëri që do të ndodhë përmes një marrëveshjeje të madhe, që në radhë të parë të ndryshojë Kushtetutën dhe në radhë të dytë të shpëtojë sistemin nga kryetarokracia, që e ka çuar në këtë pikë.

Ju do te jeni pjesë e kësaj marrëveshjeje, si forca më e re poltike në vend?

Astrit Patozi: Pa diskutim që po. Ne jemi të gatshëm që të japim kontributin tonë në çdo tavolinë ku diskutohet riformatimi i sistemit, pra shpëtimi i Shqipërisë nga kryetarokracia që e ka çuar këtu ku po flasim.

Deri në një përgjigje të institucioneve të tjera, ju do të vijoni normalisht fushatën tuaj elektorale?

Astrit Patozi: Pa asnjë dyshim, ne nuk kemi asnjë arsye për të mos vazhduar. Në rast se të gjithë të tjerët janë në fushatë, ne nuk mund të jemi si delja e zezë që të marrim një vendim të njëanshëm, pra që të tjerët të jenë në fushatë dhe ne të dalim nga loja. Ne sigurisht që jemi pjesë e fushatës, për sa kohë që institucionet nuk kanë vendosur ndryshe. Ne çastin që institucionet do të vendosin dikur, ne sigurisht që do të marrim një qëndrim tjetër.

“Parti jashtë afateve Ligjore”, Patozi-Metës: Je produkt i pazareve të pista!

Ilir Meta firmosi mëngjesin e kësaj të hëne dekretin për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Gjatë fjalës së tij të gjatë, ku dha argumentat, që sipas tij ishin kushtetues dhe moral, Ilir Meta u shpreh ndër të tjera se partia Bindja Demokratike u krijuar për të legjitimuar zgjedhjet.

Menjëherë pas fjalës së Metës, ka ardhur reagimi i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, i cil është shprehur se fjalët e metës në adresë të partisë së tij, janë  një fushatë pozitive për BD. “Ndërsa për konsideratat e tij politike dhe jo insistucionale nuk shqetësohemi fare, madje i vlerësojmë ato si një kontribut pozitiv për fushatën e Bindjes Demokratike në këto zgjedhje”, thotë Patozi.

Më tej, Astrit Patozi vijon duke u shprehur se Bindja Demokratike nuk është fajtore në krizën politike në të cilën ndodhet vendi, kreu i kësaj partie thotë se “ndërkohë që vetë Presidenti i Republikës, si funksion dhe si personazh politik, është produkti më sinjifikativ i pazareve të pista midis tyre”.

Astrit Patozi i kërkon Ilir Metës të heshtë kur bëhet fjalë për Bindjen Demokratike, ashtu sikundër ka bërë dhe LSI, parti, të cilën, sipas Patozit, Ilir Meta ia la trashëgim bashkëshortes së vetë.

Por edhe në këtë kontekst, është më mirë që të pranojë heshtjen, me të cilën e ka përcjellë krijimin e Bindjes Demokratike, partia që ia la trashëgim bashkëshortes së vet, se sa të marrë si aksioma thashethemet që dëgjon nga një forcë tjetër politike, që nuk e ka fshehur mërzinë dhe shqetësimin për futjen tonë në garën e 30 qershorit”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Patozit.

Fjalët e Metës për Bindjen Demokratike gjatë konferencës për shtyp:

Kjo situatë bëhet edhe më absurde, referuar faktit që për këto zgjedhje në më shumë se në gjysmën e njësive të qeverisjes vendore konkuron vetëm një kandidat për t’u zgjedhur si Kryetar Bashkie, ndërkohë që për pjesën tjetër konkurohet me kandidatë të propozuar nga një forcë politike e regjistruar në minutat e fundit në sistemin gjyqësor, dhe e regjistruar pranë KQZ përtej afateve ligjore.

Kjo gjë tregon qartë së ky proces zgjedhor është fiktiv dhe është një element shtesë që provon faktin që standardet demokratike të kërkuara për plotësim jo vetëm që nuk mund të përmbushën, por po shkelen në mënyrë flagrante.

I gjithë sistemi i qeverisjes lokale që do të funksiononte si rezultat i këtyre zgjedhjeve pa garë dhe konkurentë, nuk do të bazohej në një sistem zgjedhjesh, siç parashikon neni 1, pika 3 dhe neni 109 i Kushtetutës, por në një sistem emërimi të drejtpërdrejtë të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore, i cili do të cenonte strukturën e demokracisë nga poshtë lart dhe pjesëmarrësve e zgjedhësve në qeverisjen vendore.

Përgjimet e “Bild”, Bindja Demokratike: PS të tërheqë kandidatin në Shijak

Partia Bindja Demokratike e cila merr pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, ka kërkuar të enjten përmes Fabian Topollajt, që PS të tërheqë kandidatin e saj për bashkinë e Shijakut, emri i të cilit del në përgjimet e publikuara nga Bild.

Ndërsa ka reaguar edhe për kandidaten tjetër të PS-së në Durrës, Valbona Sako, duke thënë se ajo është e përzgjedhura e Vangjush Dakos për në bashki.

“Janë të përfshirë drejtpërdrejtë. PS ka kandiduar, Elton Arbanën një prej protagonistëve kryesor në përgjimet e bëra publike. Njeriu që deri dje vjedh zgjedhjet sot na afrohet personalisht si kandidat. Po ashtu kandidatja e Rilindjes, Valbona Sako. Ajo është e përzgjedhura  e Dakos. Në këto kushte Bindja Demokratike kërkon tërheqjen e menjëhershme të kandidatit të Shijakut. Kjo do ishte prova minimale për zgjedhjet 30 qershorit. Kërkojmë edhe moslejimin në garë për personat e lidhur me krimit. Ose në të kundërt Edi Rama kërkon të deformojë vullnetin shqiptar edhe në këto zgjedhje”, ka deklaruar Topollaj.

Deklarata e plotë:

Opinioni publik u njoh dje nëpërmjet publikimeve të gazetës së famshme gjermane “BILD” me prova të reja të korruptimit dhe të manipulimit të proceseve zgjedhore në Shqipëri. Përmes tyre del e faktuar qartë se drejtues të Partisë Socialiste në Durrës dhe të administratës qëndrore dhe lokale atje, janë të përfshirë drejtpërsëdrejti në vjedhjen e zgjedhjeve në atë qark.

E reja e këtyre publikimeve është se, përveç të tjerave, rezulton që Partia Socialiste ka kandiduar për kryetar të Bashkisë së Shijakut në zgjedhjet e 30 Qershorit, Elton Arbanën, një prej protagonistëve kryesorë të këtyre përgjimeve. Që do të thotë se njeriu, që deri dje vidhte vota për kandidatët e tjerë të Rilindjes, sot na ofrohet personalisht nga Maxhoranca si kandidat për Kryetar Bashkie.

Po ashtu, kandidatja e Rilindjes në Bashkinë e Durrësit, Valbona Sako, njihet botërisht së është e përzgjedhura e Vangjush Dakos për këtë funksion, pikërisht e personit që rezulton të jetë, jo vetëm drejtuesi, por edhe aplikuesi kryesor i të gjithë kësaj skeme për deformimin e vullnetit të zgjedhësve në Qarkun e Durrësit.

Në këto kushte, BINDJA DEMOKRATIKE kërkon tërheqjen e menjëhershme nga gara të kandidatit të Partisë Socialiste në Bashkinë e Shijakut, që do të ishte prova minimale për të treguar vullnetin e maxhorancës për realizimin e zgjedhjeve brenda standardeve më 30 Qershor.

Nga ana tjetër, ne kërkojmë sqarimin sa më të shpejtë nga organet kompetente të pozicionit dhe mundësisë së implikimit në këtë skandal edhe të kandidates së Partisë Socialiste në Durrës, zonjës Valbona Sako, duke pasur si qëllim moslejimin e përfshirjes në garën e 30 Qershorit të personave me përgjegjësi të drejtpërdrejtë në kryerjen e krimeve zgjedhore, siç e parashikon edhe ligji i dekriminalizimit.

Në të kundërt, do të provohej, jo vetëm që vetë Edi Rama është ideatori i kësaj megaskeme manipulimi, por edhe që ai synon ende që të deformojë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë edhe në këto zgjedhje.

Skip to toolbar