Rrëzohet qeveria në Bullgari, dy aleatët përplasen për veton ndaj Shkupit 

AKTUALITET


Bullgaria po përballet me një tjetër krizë politike. Partia “Ka një popull të tillë” ka tërhequr të gjithë ministrat e saj nga qeveria, duke i dhënë fund koalicionit.

Ishte vet kryetari i partisë, Sllavi Trifonov ai që përmes një videopostimi në rrjetet sociale njoftoi se po largohen nga qeveria për dy arsye kryesore. E para është politika toleruese ndaj Maqedonisë së Veriut.


SLLAVI TRIFONOV
KRYETAR I “KA NJE POPULL TE TILLE”, BULLGARI

“Kryeministri u ka premtuar liderëve në Evropë dhe në botë se do të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe po bën gjithçka që është e mundur për ta bërë këtë, megjithëse shumica e bullgarëve duan që negociatat të hapen vetëm pasi te përmbushet Marrëveshja e Fqinjësisë mes dy vendeve. Kështu, ai shkel në mënyrë të rëndë dhe të pamëshirshme marrëveshjen e nënshkruar të koalicionit.”

Arsyeja e dytë, sipas Trifonov, është keqmenaxhimi i fondeve buxhetore.

SLLAVI TRIFONOV
KRYETARI I “KA NJE POPULL TE TILLE”, BULLGARI

“Kiril Petkov në mënyrë të vrazhdë, të pamëshirshme dhe të njëanshme nuk e respektoi marrëveshjen e nënshkruar të koalicionit. Miliarda kanë fluturuar. Askush nuk ka të drejtë të eksperimentojë me paratë tona.”

I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Petkov, i cili nënvizoi se kjo krizë do të shmanget përmes një qeverisjeje të pakicës.

KIRIL PETKOV
KRYEMINISTER, BULLGARI

“Ajo që ne kemi vendosur është një qeveri e pakicës . Nuk do të diskutojmë më shumë, nuk do ta vonojmë ligjin. Një qeveri e pakicës është shumë më e mirë se një qeveri që përpiqet të marrë para shtesë. Nuk është morale të fshihesh nën ndonjë titull të përgjithshëm, por është morale kur i thua “jo” dërgimit të parave mafiozëve që i eksportonin paratë në thasë.”

Rrëzimi i koalicionit në Bullgari vjen vetëm pak ditë para se liderët e Bashkimit Evropian të mblidhen për të diskutuar hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.




Skip to toolbar