Hajdari: Ka sinjale për një pakt të fshehtë PS-PD

AKTUALITET


Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari e cila mban dhe postin e bashkëkryetares së komisionit për Reformën Zgjedhore, thotë se ka sinjale për një marrëveshje të fshehtë mes PS dhe PD për realizimin e reformës zgjedhore, ndërsa thekson se qëllimi i opozitës parlamentare është ndryshimi i sistemit zgjedhor. Ajo thotë se të gjitha marrëveshjet e fshehta që janë bërë nga partitë kryesore në vend kanë qenë të dëmshme.

“Do të kemi një propozim konkret që do të vijë sot në lidhje me ndryshimin e sistemit. Ne presim që të kemi zhvillime shumë të reja në këtë komision, i cili do të jetë shtytja kryesore në lidhje me ndryshimin e sistemit. Kjo do të jetë një fitore. Në fillim Rama tha se do të ketë dy faza, por kjo nuk ndodhi. Deri në dhjetor tha se do të kemi implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por unë thash se do të kemi dy procese paralele. Rekomandimet dhe të angazhuar edhe shoqërinë civile dhe në fakt kjo ka ndodhur. Shoqëria civile shihet me cinizëm, por ka një frymë të re. Ne po mundohemi të angazhojmë të gjithë faktorët. Ajo që duam ne është të mos biem në të njëjtën metodë që i bije për shtat vetëm politikës.


Kam parasysh marrëveshjen e 2008-ës, marrëveshjen e 2017-ës. Kam parasysh shumë raste të tjera kur kjo ka ndodhur. Në momentet e fundit, për çështje të ndryshme, kemi pasur dy apo tre persona që janë ulur dhe kanë bërë një marrëveshje. Janë pikërisht këto marrëveshje që e kanë dëmtuar Shqipërinë. Ka sinjale për një gjë të tillë. Kemi një opozitë që është jashtë që kërkon të marrë pjesën e saj në këtë proces. PD dhe LSI janë një aset i vyer, duhet të jenë pjesë e procesit, por duhet të jenë transparent dhe të mos bëjmë shoë politik”, është shprehur Hajdari për A2news.

Hajdari ka mbështetur prej kohësh idenë e ndryshimit të sistemit zgjedhor dhe kandidimit të partive në zgjedhje me lista të hapura deputetësh.




Skip to toolbar