Së shpejti tender ndërkombëtar për Aeroportin e Vlorës

AKTUALITET


Në javët e ardhshme do të hapet tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Lajmin e dha Kryeministri Edi Rama nga Italia, ku mbajti një fjalim në Asamblenë e Shoqatës së Industrialistëve të Detit​. “Në javët e ardhshme do të hapim një tender ndërkombëtar për Aeroportin e Vlorës dhe më vjen mirë që shumë grupe italiane kanë shprehur interes në këtë vazhdimësi të përbashkët”, tha Rama. Ai shtoi se Shqipëria është duke punuar në sektorin e infrastrukturës portuale, duke u shprehur se janë duke u zgjeruar portet e Durrësit dhe të Vlorës, ndërsa do të ndërtohet dhe një terminal për kroçerat.

“E dyta që dua të them është që ne po punojmë në këtë periudhë për të zgjeruar kapacitetet e porteve tona. Kemi firmosur një marrëveshje me kompaninë MSC, për të ndërtuar terminalin e parë modern për kroçerat dhe shpresojmë mirë që me ‘’Costa Crociere’’ të ecim përpara në mënyrë që të mbulojmë si Durrësin, ashtu edhe Vlorën me dy terminalë mjaft modernë, të konceptuar, – si përherë që nga koha e Mbretërisë shqiptare, – nga arkitektë fiorentinë”, u shpreh Rama.  

Në fund, kreu i qeverisë u bëri thirrje bizneseve italiane të investojnë në sektorin e turizmit në Shqipëri. “Para se ta mbyll, dua t’iu falënderoj të gjithëve dhe t’u lë me këtë mesazh, se sot të investosh në Shqipëri në turizëm dhe strukturat e pritjes ka një TVSH prej 6% dhe mbi strukturat me 4-5 yje, jo vetëm një TVSH prej 6%, por edhe 10 vjet pa paguar asnjë taksë, po ashtu edhe të gjitha proceset administrative të burokracisë nuk bëhen nga investitorët, por nga strukturat e specializuara të shtetit. Janë struktura të krijuara ‘ad hoc’ për çdo investitor, për të mos humbur në labirintet e burokracisë shqiptare, që edhe pse nuk është aq e vështirë sa burokracia italiane, mbetet gjithsesi një burokraci”, tha Rama.



Skip to toolbar