SHBA: Bojkotimi i votimit për largimin e kryetarëve të komunave në veri nga Lista Serbe – për keqardhje

KOSOVA


Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë të hënën se vendimi i Listës Serbe – subjektit kryesor të serbëve të Kosovës, për të mos marrë pjesë në votimin për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, është për keqardhje.

Ambasada amerikane në Prishtinë, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës, se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të shkarkuar kryetarët në përputhje me ligjin në Kosovë.


“Ne vlerësojmë përpjekjet e zyrtarëve të Kosovës për të lejuar të gjithë qytetarët e vendit të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovën kanë mundësi pjesëmarrjeje. Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe që do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për largimin e kryetarëve aktualë”, thuhet në përgjigje, në të cilën theksohet se “pjesëmarrja demokratike siguron që udhëheqësit të jenë përfaqësues të popullsisë që i shërbejnë dhe votimi është e drejtë thelbësore e shoqërive demokratike”.

“Presim që qeveria e Kosovës të trajtojë me ndjeshmëri shqetësimet e qytetarëve në veri përgjatë këtij procesi. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mbetet i qartë dhe i pandryshuar – mbështesim një demokraci gjithëpërfshirëse dhe shumë etnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe të ligjshme që e mbështesin këtë demokraci”, thuhet në përgjigje.

Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, akuzoi të dielën kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po bën përpjekje të vazhdueshme që ky votim të dështojë, ndërsa theksoi se një ndër arsyet e mospjesëmarrjes në të është edhe fryrja e listave të votuesve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, konfirmoi të hënën dorëheqjet e katër anëtarëve të Komisioneve Komunale për komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, të cilët ishin emëruar më parë si përfaqësues të Listës Serbe.

Në një përgjigje të këtij institucioni thuhet se pas këtyre dorëheqjeve në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve mbesin edhe 23 anëtarë nga subjektet politike, të cilët sipas ligjit do të administrojnë procesin e votimit, nën mbikëqyrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviçi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Vendimi që me 21 prill të mbahen votimet për largimin nga detyra të kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës pasoi nënshkrimin e një peticion gjatë muajit janar nga mbi 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në secilën komunë.

Për largimin e kryetarit të një komune duhet të votojnë 50 për qind plus një e votuesve me të drejtë vote. Nëse dështon, një peticion tjetër nuk mund të organizohet përpara se të kenë kaluar 12 muaj.




Skip to toolbar