Shkarkimi i Metës, Komisioni i Venecias zbarkon sot në Tiranë, ja axhenda

AKTUALITET


Një përfaqësi e Komisionit të Venecias do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë të martën më 10 dhe të mërkurën më 11 shtator. Delegacioni i Venecias vjen në Tiranë, pas kërkesës që kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka bërë këtij komisioni, për të dhënë një opinion në lidhje me ‘rolin e Presidentit në caktimin e datës së zgjedhjeve në sistemet parlamentare’. Një ditë para nisjes së vizitës së delegacionit të Komisionit të Venecias, Kuvendi ka publikuar axhendën e takimeve. Sipas njoftimit për shtyp, në orën 9:00, delegacioni i Venecias do të ketë një takim me kryetarin e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla dhe deputetët e këtij grupi.

Në orën 10:00, delegacioni do të zhvillojë një takim me krerët e grupeve parlamentare të opozitës në kuvend, ndërsa në orën 11:00, delegacioni i Komisionit të Venecias do të takojë Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Takimet do të jenë të hapura për mediat vetëm për pak minuta, ndërsa deri më tani nuk është raportuar për konferenca shtypi. Megjithatë, pas takimeve me përfaqësuesit e Kuvendit, delegacioni i Komisionit të Venecias do të zhvillojë dhe takime të tjera. Sipas axhendës të publikuar më herët, përfaqësuesit e delegacionit të Venecias do të zhvillojnë takime me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama, Minisrtin e Brendshëm Sandër Lleshaj, Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.


Ndërkohë, Partia Demokratike ka lajmëruar se delegacioni i Komisionit të Venecias do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të opozitës. Sipas një komunikate shpërndarë mediave disa ditë më parë, PD bënte me dije se do të jetë Klajda Gjosha nga LSI dhe Oerd Bylykbashi nga PD, përfaqësuesit e opozitës që do të takohen me delegacionin e Komisionit të Venecias. Sipas PD, takimi është parashikuar të zhvillohet të martën më 10 shtator në orën 8:00 në Rogner, por, në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias, në axhendën e publikuar disa ditë më parë, ende nuk është konfirmuar ky takim.

Qëllimi i vizitës së delegacionit të Komisionit të Venecias është me karakter informues, në prag të përgatitjes së opinionit që i është kërkuar nga Kuvendi në lidhje me kushtetueshmërinë ose jo të dekreteve të Ilir Metës për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe dekretin e 13 tetorit. Ky raport, ashtu siç është shprehur Ulsi Manja, kryetar i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës, do të jetë shumë i rëndësishëm për vendimin përfundimtar të hetimit ndaj Presidenti. /Realstory.al/




Skip to toolbar