Shkëmbimi i territoreve, Gjermania kundër

AKTUALITET


Ministri i Jashtëm i Gjermanisë foli gjatë intervistës për Deutsche Welle, edhe për çështje të tjera në rajon, si krijimi i mini-Shengenit ballkanik apo dialogu Kosovë-Serbi. Së pari, Heiko Maas, shprehet se për vendet e Ballkanit integrimi në BE-së është i vetmi proces, ndërsa sipas tij, bashkëpunimi rajonal mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, i shërben këtij procesi.

“Ne nuk shohim të ketë alternativa të tjera përveç procesit të pranimit në BE, nëse duam që të ruajmë interesin për reforma serioze dhe të qëndrueshme, si për shembull në fushën e shtetit ligjor. A mund të përmirësohet procesi ekzistues? Kjo është një çështje tjetër. Përmirësimi i bashkëpunimit rajonal plotëson procesin e pranimit në BE. Forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimi ekonomik janë në favor të secilit prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ato e bëjnë Ballkanin Perëndimor në përgjithësi më interesant. Me procesin e Berlinit ne mbështesim prej vitesh këto përpjekje dhe kemi arritur shumë, si për shembull kemi krijuar organizatën rajonale të të rinjve RYCO, dhe praktikisht, kemi ulur tarifat për roaming”, u shpreh ai.

Ndërkohë, lidhur me dialogun Serbi-Kosovë, ministri gjerman është shprehur se shkëmbimi i territoreve nuk i shërben stabilitetit të Ballkanit. “Sa i përket idesë së këmbimit të territoreve ose ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, ne nuk mendojmë se kjo kontribuon për stabilitetin në rajon. Ajo që mbështesim ne është rifiilimi i shpejtë i dialogut të ndërmjetësuar nga BE, duke pasur si synim një marrëveshje të gjithanshme që t’i mundësojë të dy vendeve afrimin me BE. Ne dëshirojmë një bashkëpunim konstruktiv me Rusinë, edhe nëse kemi ndryshime pikëpamjesh. Ne e kuptojmë po ashtu se është e rëndësishme që të ruhen marrëdhëniet e mira dhe lidhjet kulturore. Kjo nuk është në kundërshtim me antarësimin në BE”, tha ministri gjerman.



Skip to toolbar