Shqipëria dëbon dy diplomatë iranianë për akte terroriste: Bashkëpunëtorë të Soleimanit

#NËRADAR


Dy vjet pasi dëboi ambasadorin iranian, Shqipëria ka dëbuar dhe dy zyrtarë të tjerë të ambasadës së Iranit në vendin tonë. Me anë të një njoftimi, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, njoftoi se ka vendosur që dy përfaqësues diplomatikë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri të shpallen persona të padëshirueshëm. Ministri Cakaj nuk ka dhënë detaje mbi motivet e largimit të tyre, por sipas të dhënave të besueshme, shpallaja e tyre “non grata” ka ardhur pas informacioneve të mbledhura nga SHISH.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka vendosur sot, që përfaqësuesit diplomatikë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri, z. Mohammad Ali Arz Peimanemati Konsulli i Tretë dhe z. Seyed Ahmad Hosseini Alast Konsull Kulturor, të shpallen persona të padëshirueshëm, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Dy përfaqësuesëve të Republikës Islamike të Iranit u është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë”, tha Gent Cakaj.

Burime të qeverisë shqiptare, i thanë Zërit të Amerikës se atasheu kulturor Seyed Ahmed Hosseini Alast kishte mbajtur poste të larta në Gardën Revolucionare të Republikës Islamike dhe Mohamed Peimanemati ishte anëtar i njësisë operacionale të inteligjencës së Iranit Mois dhe ishte përgjegjës për disa akte terroriste në vendet e BE-së. Sipas burimeve, ata kishin qenë bashkëpunëtorë të Kasem Soleimanit.

Dëbimi i dy zyrtarëve të tjerë të ambasdës së Iranit në Shqipëri, vjen vetëm pak ditë pas vrasjes së Kasem Sulejmanit, komandantit të forcave “QUDS” të gardës revolucionare të Iranit. Pas asaj ngjarje, lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei kërcënoi Shqipërinë duke e cilësuar “vend djallëzor”.

Më herët, gjatë vitit 2018, Shqipëria dëboi ambasadorin e Iranit, Gholamhossein Mohammadnia dhe një diplomat të kësaj ambasade për cenim të sigurisë kombëtare. Në atë kohë, ambasadori dhe një tjetër zyrtarë i kësaj ambasade u dëbuan nga vendi ynë, pasi dyshohet se ishin pas sulmeve që u planifikuan të kryheshin gjatë ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Ndërkohë, lajmin e dëbimit të ambasadorit iranian nga Shqipëria në 2018 e përshëndeti Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe ish-këshilltari i Sigurisë i Presidentit Donald Trump. “Unë përgëzoj kryeministrin Edi Rama për dëbimin e dy agjentëve iranianë që komplotuan sulmet terroriste në Shqipëri. Kombet evropiane kanë penguar tre komplote iraniane vetëm këtë vit. Bota duhet të qëndrojë e bashkuar për të sanksionuar regjimin e Iranit derisa të ndryshojë sjelljen e tij destruktive”, deklaronte dy vite më parë Pompeo në Twitter.



Skip to toolbar