Shtirej si juriste, premtoi lirimin nga burgu të vrasësit dhe rrëmbeu 50 mijë euro

AKTUALITET


Policia ka arrestuar të premten 33 vjeçaren Amarlida Leka e lindur në Përmet, banuese në Tiranë e cila akuzohet për mashtrim dhe grabitje parash. 33-vjeçarja shtirej si juriste në Gjykatën e Lartë dhe  kishte premtuar se do ndikonte te trupa gjyqësore dhe do ta lironte nga burgu një person të dënuar me 30 vite burg për vrasje. Si rezultat i këtij premtimi i kishte marrë një qytetari nga Tepelena  50 mijë euro.

Për të zbuluar mashtruesen policia ndërmori operacionin e koduar “Bënça”, që zgjati rreth 1 vit dhe gjatë të cilit u përdorën metoda proaktive. 33 vjeçarja është dënuar me arrest me burg nga gjykata.


Ajo akuzohet se ka mashtruar një person me inicialet B. Z., me banim në Tepelenë, duke i marrë 50 000 euro, me pretendimin se ishte juriste pranë Gjykatës së Lartë Tiranë dhe me njohjet që ajo kishte do të ndikonte pranë trupës gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë dhe në Gjykatën e Lartë për të nxjerrë nga burgu një të dënuar.

Personi me inicialet A.M., ishte i dënuar me 30 vjet heqje lirie, për një vrasje në rrethana rënduese që kishte kryer në Memaliaj, në vitin 2015, i cili është duke vuajtur dënimin në IEVP Bënçë, në Tepelenë.

Por Amarilda Leka, sipas policisë nuk e kishte për herë të parë një mashtrim të tillë. Në vitin 2015 ajo është arrestuar sërish për një rrethanë të ngjashme. Amarilda Leka u kishte marrë lekë familjarëve të të burgosurve me premtimin se do të ndikonte tek gjyqtarët e prokurorët për lirimin e tyre. Në vitin 2015 ajo i mori 2500 euro vëllait të një të arrestuari me premtimin se do të ndikonte tek një gjyqtar për të liruar nga burgu. Këto para sipas prokurorisë, ajo i shpenzonte për jetë luksi pasi asgjë nuk ndryshonte nga vendimi i gjyqtarëve.




Skip to toolbar