Kryeministri Rama nuk e pranon vendimin e Metës për të shyrë datën e zgjedhjeve dhe këtë e ka treguar në mbledhjen e së hënës të kryesisë së PS-së. Pas mbledhjes ai u shfaq i buzëqeshur, i qetë dhe i relaksuar, ndërkohë që doli në krah të Veliajt, si për të treguar se fushata vazhdon
Referuar burimeve, televizionet informative njoftojnë se Rama ka thënë në mbledhjen e kryesisë që fushata të vazhdojë se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor.
“Vendimi i presidentit ishte i pritshëm! Ne jemi Republikë Parlamentare, jo Presidenciale. Ndaj asgjë s’na ndal të vijojmë përpara me 30 qershorin. Të enjten debat shumë i gjatë parlamentar. Të shpalosim të gjitha argumentet kundër këtij vendimi të presidentit. E enjtja do të finalizohet me rezolutë për shkarkimin e presidentit. Duhet të fokusohemi tek 30 qershori. Jemi në mes të lojës. Pas debatit çështja diskutohet ne KQZ e me pas do kalojë në Kolegj Zgjedhor. Fokusi jonë është 30 qershori”, mësohet të ketë thënë Rama.
Ndërkohë që zyrtarisht PS njoftoi se të enjten do të nisë procedurat për të shkarkuar presidentin Meta, duke thënë se ai e ka humbur të drejtën për të qenë kryetar shteti.