Ndërkombëtarët “opium” për… opozitën

AKTUALITET


Protestës së opozitë i ka paraprirë një reagim i fortë nga selitë diplomatike dhe përfaqësues të shteteve partnere në Tiranë. I pari që reagoi paraditen e së shtunës, ishte Zëvendës Ndihmës-Sekretari i Shtetit në SHBA Mattheë Palmer, që i dha një mesazh të fortë krerëve të opozitës. Z.Palmer, në një intervistë për mediat shqiptare u shpreh se nëse në protestën e opozitës do të ketë akte dhune, përgjegjësit do të ishin Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.

 “Dua të jem shumë i qartë me Z. Basha, Znj. Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Ka qenë shumë e qartë në të kaluarën që kur drejtuesit duan që protestat që të jenë paqësore, ato kanë qenë paqësore. Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE”, shprehet Palmer.

Por, Palmer nuk është ndalur vetëm me dënimin e dhunës së ushtruar në protestat e opozitës, pasi ai ka lëshuar dhe një paralajmërim të fortë për ata që do të tentojnë të prishin zgjedhjet e 30 qershorit, një paralajmërim që së fundmi është dëgjuar shpesh edhe nga kryeministri Edi Rama në takimet elektorale që po zhvillon në këtë fushatë.

“I kemi paralajmëruar drejtuesit e opozitës të mos pengojnë procesin zgjedhor, çka siç e vërejta, mund të përbënte shkak për të mos u kualifikuar për të hyrë në SHBA. Ditën e zgjedhjeve, ekipet tona të ambasadës do të vendosen në qendra votimi për monitorim zgjedhor. Kemi në plan të shqyrtojmë raportimet për monitorimin zgjedhor të ekipeve tona si dhe ato të ODIHR”, deklaroi Palmer.

Pak para nisjes së protestës së 8 qershorit,  ambasada e Bashkimi Europian në Tiranë ka reaguar duke bërë thirrje që nuk do të tolerojnë asnjë lloj të dhunës apo përdorim të mjeteve që janë projektuar për të lënduar. Në një deklaratë për mediat, BE cilëson se nëse ka dhunë në protestë përgjegjës do të jenë vetëm drejtuesit e saj, ndërsa ka bërë thirrje për një dialog urgjent për të kapërcyer situatën aktuale politike.

“Ndërkohë që respektojmë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve shqiptarë për të demonstruar, ritheksojmë rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Ne dënojmë të gjitha aktet e dhunshme që kanë ndodhur në protestat e mëparshme. Asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme. Përdorimi i eksplozivëve ose i ndonjë sendi tjetër të projektuar për të shkaktuar lëndime është krejtësisht i papranueshëm”, thuhej ndër të tjera në deklaratën e ambasadës së BE në Tiranë.

Të njëjtën retorikë mbajti edhe Ambasada Gjermane në Tiranë, ku bëri thirrje që drejtuesit e protestës të siguroheshin që nuk do të kishte përdorim dhune, ndërsa theksuan nevojën urgjente për tu ulur në tryezën e dialogu.

Ambasada e Britanisë së Bashkuar në Tiranë ka zgjedhur ta japë mesazhin e saj për opozitën në dy gjuhë. Në anglisht dhe shqip, selia diplomatike në Britanisë në Tiranë, i drejtohet opozitës dhe kryetarit të saj Lulzim Basha, që të ushtrojë të drejtë për të protestuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore.

“Ndërkohë që respektojmë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve shqiptarë për të demonstruar, ritheksojmë rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejtë në mënyrë të rregullt dhe paqësore”, shkruan në nisje të deklaratës së saj ambasada e Britanisë.

Më tej, mesazhi bëhet dhe më i qartë, më domethënës për opozitën dhe drejtuesit të saj, pasi ambasada e Britanisë shprehet se “dënon të gjitha aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mpërashme të opozitës, dhe asnjë formë e dhunës nuk është e tolerueshme”, thuhet në deklaratën e ambasadës së Britanisë.

“Përdorimi i eksplozivëve ose i ndonjë sendi tjetër të projektuar për të shkaktuar lëndim është krejtësisht i papranueshëm. Është përgjegjësi  e drejtuesve të protestës të sigurojnë që demonstrimet të mbahen në mënyrë të sigurt si për pjesëmarrësit ashtu dhe për banorët e tjerë në Tiranë, si dhe për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave”, thuhet në deklaratën e ambasadës së vendit ishullor.

Në fund, ambasada e Britanisë dërgon dhe një tjetër mesazh, duke u kërkuar palëve angazhim urgjent për dialog. “Ne vazhdojm t`i bëjmë thirrje të gjitha palëve të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën politike”, mbyllet mesazhi i ambasadës britanike.



Skip to toolbar