Situatë alarmante, 29 abuzime seksuale në 6 muaj në Tiranë. Më të shumta brenda familjes

AKTUALITET


Në 6 muajt e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme përsa i përket abuzimeve seksuale në Tiranë duke e bërë situatën shqetësuese për autoritetet.

Psikologia e policisë së Tiranës, Besmira Muça bën të ditur se në 6 muaj janë regjistruar 29 raste të abuzimeve seksuale, ndërkohë që 16 persona janë arrestuar nga policia.

Mosha e prekur nga abuzimet janë minorenët, ndërsa një grup i caktuar oficerësh policie janë trajnuar në Akademinë e Sigurisë, vetëm për trajnimin e kësaj vepre penale.

“Gjatë periudhës 6 mujore të vitit 2019, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka evidentuar 29 raste të abuzimeve seksuale, 26 prej të cilave janë zbuluar dhe janë arrestuar 17 autorë të këtyre veprave penale. Abuzues të këtyre krimeve seksuale kanë ndodhur si brenda familjes dhe jashtë saj, duke përmendur këtu babain, gjyshin, dajën apo edhe pjesëtarë të tjerë të familjes të cilët kanë pasur rrethana lehtësuese lidhur me një të mitur, i cili është në kushtet e viktimës.

Rastet e krimeve seksuale janë raste shumë të rënda që shfaqen me trauma shumë të mëdha. Nuk është e lehtë për kulturën shqiptare që të denoncohen rastet e abuzimeve seksuale. Krimet seksuale që janë denoncuar kryesisht në komisariatet përkatëse, përgjithësisht kanë ardhur nga zona rurale, por kjo nuk do të thotë që duhet përjashtuar edhe kryeqyteti.

Nëse do të bëjmë një analizë krahasuese të vitit 2018, janë regjistruar 40 raste gjithsej të abuzimeve seksuale, nuk flasim këtu vetëm për minorenë, por edhe për persona të rritur. Në vitin 2017 janë 39 raste të regjistruara nga të cilat janë zbuluar 37 nga policia. Pra shohim një rritje të lehtë të denoncimeve që qytetarët kanë bërë në polici. Pjesa më e madhe e viktimave, e personave që janë abuzuar janë minorenë, por ka pasur edhe raste kur viktimë kanë qenë fëmijët”, është shprehur psikologia Muça në një intervistë për Report Tv.

Muça i bën thirrje grave dhe vajzave, por edhe djemve që ndjejnë se abuzohen nga persona të afërt ose jo, t’i drejtohen sa më parë policisë, pasi identitetet e tyre do të ruhen si konfidenciale dhe do t’u ofrohet ndihmë jo vetëm nga policia por edhe nga organizata qeveritare ose jo qeveritare.



Skip to toolbar