Kisha “kryqëzon” Kurtin: Qeveria, sjellje prej shteti adoleshent

AKTUALITET


Kreu i Kishës katolike, Dodë Gjergji deklaron se Vatikani de-facto e ka njohur Kosovën me hapat konkretë që ka ndërmarrë ndaj vendit tonë, megjithëse shton se ka ende hezitim për njohjen de-jure.

Gjergji thotë se thirrja dhe insistimi i Kishës katolike në Kosovë është e vazhdueshme edhe për një njohje “me letra” të shtetit të Kosovës nga ana e Vatikanit dhe se përpjekjet e tilla nuk do të pushojnë deri në arritjen e qëllimit, pavarësisht se thekson edhe rëndësinë e autoriteteve në raportet shtetërore.


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është lideri i fundit që është pritur në Selinë e Shenjtë pak kohë më parë. Mirëpo, as ky dhe as të tjerë para tij që kanë pasur mundësinë të priten nga kreu i Vatikanit nuk janë konsultuar me Kishën në Kosovë.

“Do të donim që të konsultohemi më shumë përpara se të shkonin kjo do të ishte gjëja më e duhur, por personat veçantë që kanë pasur këtë mundësi që të shkojnë në selinë e shenjtë të takojnë papën nuk e kanë parë të arsyeshme të konsultohen me neve”, vijon Gjergji.

————————————————————————————————–

“Sjellje adoleshente”, Gjergji për situatën në veri: Kujdes me aleatët, duhet paqe e pajtim

Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji, në një intervistë ekskluzive për KosovaPress duke komentuar situatën e tensionuar të muajit të fundit në veri kërkon të ndërmerren veprime të matura pasi nuk duhet të rrezikojmë atë që e kemi fituar më 1999. Gjergji shprehet se deri më tani janë parë “sjellje prej adoleshenti të një shteti” që bën gabim të mendojë se nuk ka nevojë për ndihmën e atyre që e sollën deri në këtë ditë.

Kreu i Kishës katolike në Kosovë tregon edhe idenë e parealizuar të komunitetit fetar për të ndihmuar në lidhje me situatën në veri, ndërsa pyetet rreth dyshimeve të ngritura se Kisha ortodokse serbe po kontribuon në destabilizimin e vendit dhe për raportet e acaruara mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama.

Më 26 maj kryetarët e zgjedhur të komunave Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq tentuan të hyjnë në objektet komunale për të filluar punën, por hasën në rezistencën e protestuesve serbë. Nga ajo ditë pasuan akte të dhunshme në drejtim të policëve, trupave të KFOR-it dhe gazetarëve. Një situatë e brishtë ende po mbretëron në atë pjesë.

Imzot Gjergji thotë se situata e krijuar në komunat më veriore të Republikës duhet të zgjidhet me urtësi.

Kreu i Kishës katolike, duke nënkuptuar aleatët kur përmend figurën e “prindërve” thotë se ndonjëherë “njeriu duhet të heqë dorë nga e drejta vetë për të mirën e përgjithshme”.

Ipeshkvi Gjergji tregon edhe iniciativën e parealizuar të klerikëve që të lutën te ura e Ibrit. Megjithëse, nuk tregon se kush e pengoi një iniciativë të tillë, Gjergji shprehet se e vetmja rrugë për të dalë nga situata është paqja dhe pajtimi.

Gjergji beson se shqiptarët dhe serbët do të gjejnë rrugën e pajtimit dhe se për këtë ka edhe një vullnet të ndërkombëtarëve.

Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë nuk shprehet i shqetësuar as me obligimin që ka marrë Kosova në marrëveshje me Serbinë për atë që është interpretuar si më shumë autonomi për Kishën serbe.

Megjithëse është i shkurtër dhe i kujdesshëm në fjalët që zgjedh, Gjergj thotë se do të ishte e papranueshme nëse Kisha ortodokse serbe po shfrytëzohet për destabillzim të vendit, siç u pretendua së fundmi edhe në Parlamentin britanik nga deputetja Alicia Kearns, që deklaroi se armët e kontrabanduara nga Serbia në Kosovë po mbahen në kishat ortodokse.

Javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk u prit në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. I pyetur edhe për raportet mes liderëve, Gjergji u shpreh se “duhet të ulen gjakrat” dhe të mësohemi të flasim edhe me ata që mendojnë ndryshe.




Skip to toolbar