Skandali “Besa”, burri i sekseres: Drejtuesit e bankës na mashtruan me 2 mijë lekë

AKTUALITET


Skandali i fondit “Besa” ka nxjerrë në dritë detaje të reja për skemën e mashtrimit të përdorur nga punonjësit e arrestuar. Eris Doko, bashkëjetuesi i Orkida Drizës, sekseres së fondacionit “Besa”, ka dhënë të hënën dëshminë për skandalin që ka përfshirë këtë fondacion. Në një prononcim për mediat, bashkëjetuesi i Drizës, e cila është në burg, ka thënë se ai dhe bashkëjetuesja e tij kanë qenë thjeshtë viktima të kësaj skeme piramidale.

“Skema ishte e thjeshtë, njerëzit na sillni vetëm certifikata dhe fotokopje dhe merrnin një shumë prej 300 mijë lekësh të vjetra, pasi brenda vitit do të mbyllej. Këtë shumë e merrnin te Fondi Besa. Nuk e dija që ishte skemë mashtruese”, tha Doko, i cili shtoi se lekët i jepeshin nga drejtoresha e fondacionit. Ai deklaroi përpara mediave se për çdo person që dërgonte në fondacion përfitonte 2 mijë lekë të reja. Më shumë se 100 persona tha Doko se ka çuar te “Besa” brenda një viti.


Doko përmendi edhe emrin e një burri tjetër, të quajtur Dritan dhe i cili është në kërkim nga policia. Ky person ishte ai që kishte kontaktuar me Eris Dokon. “Dritani tha çfarë të keni të afërm sillni se është pa probleme, brenda vitit mbyllet. Unë si Dritan e njihja, vinte që merrte lekët dhe i çonte te drejtoresha”, deklaroi Eris Doko. Ai shtoi se ka pasur shumë sekserë që punonin për “Besën”.

Eris Doko tha gjithashtu se kërkon drejtësi për bashkëjetuesen, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest me burg”. Sa i përket Orkida Drizës, ajo ka deklaruar se është e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë, duke pretenduar se është përdorur në skemën fiktive. Skema e mashtrimit në fondacionin “Besa”, me kredidhënie fiktive, rezulton të ketë prekur mbi 800 persona. Rreth 3.7 milionë euro është shumë e përfituar.




Skip to toolbar