Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca ka zhvilluar një takim me Komisionerin Johanes Hahn. Sipas një mesazhi në Twitter të ambasadorit të BE, mësohet se qëllimi i takimit ka qenë hapja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me BE. Soreca shkruan se ka informuar Komisionerin Hahn në funksion të vendimit që Këshilli i Europës do të marrë në muajin tetor për negociatat me vendin tonë.
“Jam i kënaqur që informova Komisionerin Johanes Hahn mbi zhvillimet më të fundit të situatës politike në Shqipëri. Në funksion të tetorit, për vendimin e Këshillit të Europës për hapjen e negociatave të pranimit, është e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë të përqëndrohet në procesin e Reformave”, shkruan Soreca.
Shqipëria pret hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në në 18 tetor, kohë kur është parashikuar të mblidhet Këshilli i Europës për të marrë një vendim. Më herët, ishte Komisioni i Europës që rekomandoi hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, duke u shprehur se ‘të gjitha kushtet janë plotësuar’. Ndërkohë, procesi i thellimit të reformave, është një nga kushtet kryesore për integrimi, ku reforma në drejtësi dhe zbatimi i saj, shihen nga vendet e unionit si thelbësore për të afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.