Soreca vlerëson Shqipërinë: Hapja e zyrës së Europol ndikon në negociata

AKTUALITET


Është hapur të enjten zyra e oficerit të ndërlidhës së Europol në Shqipëri, nismë kjo që është vlerësuar nga ambasadori i BE-së, Luigi Soreca i cili tha se kjo i shërben Shqipërisë në çeljen e negociatave në tetor.

Soreca gjithashtu vlerësoi masat e marra nga Shqipëria në luftën kundër krimit të organizuar si dhe bashkëpunimin që ka treguar me Europolin për kapjen e personave të kërkuar ndërkombëtarisht. Ai gjithashtu premtoi ndihmën e BE-së ndërsa vuri theksin në parandalimin e emigracionit të paligjshëm.


“Numri i operacioneve dhe koordinimi i Shqipërisë me EUROPOLIN janë rritur, Ato kanë sjellë rezultate në rritjen e goditjes së grupeve kriminale. Policia e Shtetit shqiptar është e aftë për t’u angazhuar në shumë operacione policore me partnerët europian. Ky operacion ndihmon edhe në angazhimin e Shqipërisë në fushën e sigurisë por edhe në procesin e hapjes së negociatave me BE. Unë jam shumë krenar që po e shoh një gjë të tillë në Shqipëri dhe jam më shumë i bindur se puna e EUROPOL do jetë shumë e mirë në bashkëpunimin me policinë shqiptare. Ne do të ndihmojmë Shqipërinë për të pasur më shumë rezultat. Edhe mbështetja në aspektin teknologjik është mjaft e rëndësishme për të çuar në një tjetër nivel bashkëpunimin dhe sigurinë në vend. Rezultatet kanë qenë pozitive në ruajtjen e kufijve dhe parandalimin e emigracionit të paligjshëm. E gjitha kjo tregon se BE është duke aplikuar strategjinë e vet në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Soreca.

I pranishëm në aktivitet ka qenë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu si dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj të cilët garantuan bashkëpunimin e Policisë së Shtetit me zyrën e oficerit të ndërlidhjes së Europol.




Skip to toolbar