Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dërguar për gjykim, dosjen hetimore në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla dhe 12 të pandehurve të tjerë.
Në përfundim të hetimeve, SPAK bën me dije se ndaj Allës janë ngritur akuzat “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.09 të vitit 2022, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datën 14.09.2023 kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:
1. Lefter Alla, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
2. Enkeleda Lleshi, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
3.Rubin Kola, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
4. Arsen Gjoka, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
5. Kujtim Zogu, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
6. Erion Isaku, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, dhe “Korrupsion pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”.
7. Leonard Daçi, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
8. Denis Xholi, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
9. Rasim Daci, akuzuar për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, nga personi qe ka për detyre te përpilojë dokumentin, kryer ne bashkëpunim e me shume se njëherë, dhe “Korrupsioni aktiv i personit qe ushtron funksione publike”.
10. Aqif Konesha, akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, kryer ne bashkëpunim e me shume se njëherë.
11. Ana Nishku, akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, nga personi qe ka për detyre te lëshojë dokumentin, kryer në bashkëpunim e më shumë se njëherë.
12. Dali Gazidedja, akuzuar se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, kryer në bashkëpunim e më shumë se njëherë.
13.Kastriot Ibrahimaj, akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve””, njofton SPAK.
“Nga analiza e provave të administruara gjatë hetimit provohet dyshimi i arsyeshëm, se gjatë zhvillimit të procedurës së prokurimit publik, zhvilluar në datë 30.04.2021 nga Bashkia Bulqize, me objekt “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë të tenderit në shumën 322.439.000 lekë të reja, për të cilën janë shpallur fitues operatorët ekonomikë “Egland Sh.p.k” dhe “BE-IS” Sh.p.k, rezulton se janë kryer veprime nga nëpunës publikë të Bashkisë Bulqizë në kundërshtim me Ligjin Për Prokurimet Publike dhe aktet nënligjore”, njoftoi SPAK.
Sipas SPAK, “rezulton e provuar se zyrtarët e Bashkisë Bulqize, konkretisht shtetasit Lefter Alla, Enkeleda Lleshi, Rubin Kola, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Leonard Daçi dhe Erjon Isaku në bashkëpunim me njëri- tjetrin për arsye të njohjeve apo lidhjeve me te hetuarin Rasim Daci, i cili është përfituesi “de jure” i tenderit dhe të hetuarit Aqif Konesha, i cili është përfitues “de facto” në tenderimet e kryera nga ana e Bashkisë Bulqize, i kanë privilegjuar ata, duke krijuar avantazhe për këto dy subjekte, si gjatë procedurës së prokurimit, duke e shpallur fitues subjektin e shtetasit “R. D” pa përmbushur të gjitha kriteret e vendosura ne Dokumentet Standarde të Tenderit, por edhe gjate fazës së zbatimit të punimeve sepse punimet janë kryer nga subjekti i shtetasit Aqif Konesha, që nuk është shpallur fitues në procedurën e tenderit ku ka konkuruar, pasi nuk plotësonte kriteret ligjore. Kjo me qëllimin e vetëm që të mos krijoheshin dyshime për lidhjet e të pandehurit Aqif Konesha me kryetarin e Bashkisë Bulqizë, të pandehurin Lefter Alla”, vijon SPAK.
“Kjo procedurë prokurimi është iniciuar dhe zhvilluar në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe aktet nënligjore, pasi nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Bulqizë, konkretisht nga të pandehurit (kryetari i Bashkisë Bulqizë, zv/kryetarja e Bashkisë Bulqizë, anëtarët e Njësisë së Prokurimit, anëtarët e Komisionit te Vlerësimit te Ofertave) janë ndërmarrë veprime aktive te kundërligjshme që konsistojnë në ngritjen e një mekanizmi të posaçëm, për paracaktimin/nxjerrjen fituese të një firme në këtë procedure prokurimit duke: i) miratuar kritere për të favorizuar një firmë pjesëmarrëse në tender, II) Për ta kualifikuar dhe shpallur fitues firmën e favorizuar të hetuarit Rasim Daci, edhe pse nuk plotësonte kriteret në DST, iii)firma pjesëmarrëse në prokurim paraqiste vetëm dokumentacionin, ndërkohë punimet realizoheshin nga i pandehuri Aqif Konesha, i cili rezulton lidhje e afërt e Kryetarit të Bashkisë Bulqizë. Gjate hetimit u provua se nga subjekti i shpallur fitues ne këtë procedure prokurimi ishin kryer pagesa monetare ne favor te te hetuarit Erion Isaku, që kishte cilësinë e anëtarit te Komisionit te Prokurimit Publik në këtë procedurë”, sqaron SPAK.
“Edhe gjate fazës se zbatimit te kontratës janë evidentuar shkelje ligjore, pasi provohet tej dyshimit të arsyeshëm të mbështetura në prova, që te hetuarit Lefter Alla dhe Enkeleda Lleshi me mos-veprime lidhur me punimet qe janë bërë de facto nga shoqëria e te hetuarit Aqif Konesha që nuk përmbush kushtet dhe kriteret për kryerjen e këtyre punimeve, kanë cenuar interesat e ligjshëm të shtetasve, pasi subjekti qe ka kryer de facto punimet nuk gëzon licensat e nevojshme për kryerjen e punimeve specifike për ujësjellësin që është një objekt me rëndësi jetike për qytetarët e Bashkisë Bulqizë, ndaj mungesa e licencave profesionale nuk garanton standardin me të lartë shëndetësor të qytetarëve”, bën me dije SPAK..
“Ndërsa të hetuarit Rasim Daci dhe Aqif Konesha, administratorët subjektit fitues dhe atij qe ka kryer de fakto punimet, ne bashkëpunim edhe me te hetuarit e tjerë Ana Nishku qe ka kryer detyrën e mbikëqyrësit te punimeve dhe Dali Gazidedja drejtuesi teknik i punimeve kane përpiluar dokumente te falsifikuara gjate zbatimit te kontratës duke pasqyruar faktin e rremë se punimet janë kryer nga firma fituese e procedurës se prokurimit si dhe për faktin se aktet qe dokumentojnë kryerjen e punimeve/mbikëqyrjen e punimeve janë përpiluar në kohë të ndryshme nga data qe pasqyrojnë realisht ne dokumentet e zbatimit”, përfundon njoftimi i SPAK.