Struktura që do të hetojë dhe luftojë korrupsionin në nivelet e larta të politikës, SPAK është në prag të ngritjes dhe për këtë arsye qeveria ka miratuar një fond prej 100 milionë lekësh të rinj që do të shërbejnë për akomodimin në zyra të anëtarëve të SPAK.
Mësohet se fondi shtesë është miratuar me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
Bëhet fjalë për një fond prej 100 milion lekësh të rinj. Ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
“Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, në programin buxhetor “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, në zërin “shpenzime kapitale”, i shtohet fondi prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, për përshtatjen e mjediseve të punës për Prokurorinë e Posaçme të Luftës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit si dhe për sigurimin e mjeteve e të pajisjeve të nevojshme për funksionimin e tyre”, shkruhet në vendimin e qeverisë.
Siç duket së shpejti SPAK do të nisë punën dhe para drejtësisë do të vihen zyrtarët dhe politikanët e korruptuar.