SPAK gati në nëntor, zyrtari i SHBA e kërkoi me urgjencë

AKTUALITET


SPAK është në rrugë të mbarë drejt ngritjes dhe sipas kreut të KLP-së, Gent Ibrahimi në nëntor Prokuroria Speciale që do të hetojë dhe do të vërë pas hekurave zyrtarët e korruptuar do të jetë funksionale. Një javë më herë pati një ngërç dhe u duk sikur po bllokohej ngritja e SPAK, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i amerikanëve, të cilët sollën në Tiranë Jorgan K. Andrews.

Ai është zyrtari i Departamentit të Shtetit që kërkoi ngritjen sa më parë të Prokurorisë Speciale. Aktualisht, Andrews mbikëqyr programet e Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikeve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit në Europë dhe Azi.


Më herët ai ka qenë i angazhuar në 3 programet më të mëdha të Byrosë, në Kolumbi dhe Meksikë. Në të dyja vendet e shënjuara rëndë nga aktiviteti i bandave kriminale e karteleve të drogës, ai ka mbikëqyrur programe mbështetëse për sigurinë të qeverisë amerikane, për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikun e lëndëve narkotike, njëkohësisht duke forcuar institucionet në sektorë të drejtësisë.

Andrews ka shërbyer gjithashtu edhe në Kazakistan, Guatemala dhe Rusi.

Të martën paradite Andrews ishte në Tiranë dhe zhvilloi një takim me Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, të cilit i kërkoi marrjen e masave dhe ngritjen me urgjencë të SPAK.

Gjithashtu të pranishëm në takim ishin edhe Leyla Moses- Ones, e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri dhe Julie Craven, Drejtoreshë Byroja për çështjet ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës  dhe Michelle Lakomy nga OPDAT.

Pas takimit me amerikanët Ibrahimi tha se po shikohet mundësia që SPAK të ngrihet me 8 prokurorë deri në përfundim të procesit të vettingut për kandidatët e tjerë, deklaratë kjo që u bë realitet ditën e premte (sot), kur KLP pranoi rekomandimin e komisionit të posaçëm për të emëruar 8 prokurorët e parë të SPAK.




Skip to toolbar