Sulmi me 5 të vrarë në Siri/ Irani: Vepër e Izraelit për të përhapur destabilitet, ne do të reagojmë

BOTA


Sulmi i kryer në Siri, ku vdiqën pesë anëtarë të forcave të sigurisë të Iranit, është një akt kriminal dhe agresiv i regjimit sionist. Kështu deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani, raporton Irna.

“Pa dyshim, gjaku i këtyre dëshmorëve të rangut të lartë nuk do të shpërdorohet dhe Republika Islamike e Iranit rezervon të drejtën t’i përgjigjet terrorizmit të organizuar të regjimit të rremë sionist në kohën dhe vendin e duhur”, shtoi ai.


Sipas Kanaanit, “vrasja e këshilltarëve ushtarakë iranianë nga regjimi sionist tregon qartë lidhjen e thellë dhe të organizuar mes këtij regjimi terrorist dhe grupeve të ndryshme terroriste dhe ISIS-it në rajon”.

Teherani kërkon që ndërkombëtarët, përfshirë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të reagojnë “ndaj veprimeve agresive, terroriste dhe kriminale të regjimit sionist dhe ta dënojnë me vendosmëri atë”.

Figura të larta në mesin e Gardës Revolucionare – një forcë e madhe ushtarake, politike dhe ekonomike në Iran – kanë qenë të pranishme në Siri që nga fillimi i luftës civile atje në vitin 2011, duke ndihmuar në mbështetjen e regjimit të presidentit Bashar al-Assad kundër rebelimit të gjerë ndaj sundimit të tij./abcnews.al




Skip to toolbar