Tabaku: Kur të vijmë në pushtet do të merremi me pronat

AKTUALITET


Ish deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku deklaroi të premten se kur PD të vijë pushtet do të pezullojë të gjithë ligjet anti kushtetuese që mohojnë të drejtën e pronës në Shqipëri. Duke iu referuar opinionit të Venecias të publikuar të enjten e cila rrëzoi projektligjin për hipotekimin e tokave, duke i kërkuar qeverisë që disa nene të rishkruhen, Tabaku tha se Venecia ka pasqyruar të njëjta shqetësime që ka shprehur kohë më parë edhe PD.

“Komisioni i Venecias ndan të njëjtin opinion si opozita: çdo ligj për pronën i kësaj qeverie është kundër pronarëve dhe në shkelje të të drejtave të njeriut.


Që nga viti 2013, qeveria e Edi Ramës ka miratuar disa ligje për pronën, të cilat kanë një qëllim të vetëm: zaptimin e pronës private dhe publike dhe tranferimin e saj tek disa klientë të Edi Ramës. Çdo ligj për pronën i kësaj qeverie është kundër pronarëve dhe në shkelje të të drejtave të njeriut. Në këtë përfundim ka dalë edhe Komisioni i Venecias, i cili ndan të njëjtin opinion si opozita, Presidenti dhe shoqatat e pronarëve se qeveria shqiptare, me të padrejtë, u heq mundësinë e kompensimit fizik pronarëve, duke i përdorur këto toka për interesat grabitqarë të disa oligarkëve, pa u dhënë pronarëve të vërtetë mundësinë e gëzimit të pronës. Komisioni i Venecias ka dalë në përfundimin se edhe ligji i ri për “Tokën”, është në kundërshti me të drejtat e njeriut dhe nuk merr parasysh të drejtat e sanksionuara në konventat ndërkombëtare të njeriut”, deklaroi ish-deputetja e Partisë Demokratike.

Ish-deputetja theksoi se “me vetëdijen se gjatë qeverisjes sonë nuk i dhamë zgjidhje çështjes së pronës, Partia Demokratike e ka njohur Komisionin e Venecias me një plan të ri të opozitës për të zgjidhur problemin e pronave”.

“Partia Demokratike në qeveri do të pezullojë të gjitha ligjet anti-kushtetuese, që mohojnë të drejtën e pronës si Ligji Investimeve Strategjike, Ligji për Kompensimin e Pronës të vitit 2015, Ligjin e Kadastrës dhe ligjet e tjera në lidhje me pronën. Partia Demokratike në qeveri do të krijojë një bazë të dhënash me të gjitha pronat publike që sot jepen për 1 euro, por në vend që t’u jepen pronarëve, shfrytëzohen nga oligarkët. Me besimin se pa gëzuar pronën, nuk mund të gezojmë liri të vërtetë, Partia Demokratike do të bëjë të mundur që të drejtën e pronës ta gëzojnë pronarët e vërtetë, jo miqtë dhe klientët e kryeministrit, siç po ndodh me qeverinë e Edi Ramës. Këto janë bazat mbi të cilat Partia Demokratike do të miratojë një paketë të plotë ligjore që respekton pronarët dhe trajton me drejtësi çështjet e pronave, kthimin apo kompensimin fizik të tyre”, shpjegoi Tabaku.

Komisioni i Venecias në opinionin paraprak kërkoi që projektligji për hipotekimin e tokave të rishkruhet pasi bie në kundërshtim me dispozitat e ligjit 7501 për pronën. Kujtojmë se ligji 7501 për pronën është ligji famëkeq i firmosur nga Berisha në fillim të viteve ’90 dhe që është kundërshtuar ashpër nga shoqatat e pronarëve por prej vitesh vazhdon të jetë në fuqi./realstory.al




Skip to toolbar