Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndaluar
hyrjen e 387.1 tonë produkte ushqimore mishi të kontaminuar me salmonelë. Produktet
që vinin nga Brazili, Kanadaja dhe Qipro, në bazë të analizave laboratorike kanë
rezultuar të papërshtatshme për konsumimin dhe janë kthyer mbrapsht. Konkretisht,
AKU ka kthyer 234.5 tonë mish të
kontaminuar me salmonelë dhe është në proces kthimi edhe për 152.6 tonë mish
të tjera.
AKU i zhvilloi këto kontrolle në portin e Durrësit në ngarkesat e importit që ishin
gati për t’u shpërndarë për konsumim njerëzor në vend.
Tre ngarkesa me sasi totale 74.946 ton “Mish
Derri” me origjinë nga Kanadaja, importuar nga subjekti “FRIGO ALB shpk”,
rezultuan se nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore dhe kishin
mangësi në besueshmërinë e dokumentacionit shoqërues (kryesisht të certifikatës
veterinare si dokumenti kryesor i sigurisë së produktit si dhe certifikatat e
analizave raportonin prezencë Ractopaminë, një produkt mjekësor veterinar i
paregjistruar dhe i ndaluar për përdorim në Shqipëri dhe në BE)
Dy ngarkesa me sasi totale 52.257 ton “Mish
Viçi” me origjinë nga Brazili, importuar nga subjekti “Apetit shpk”, në regjim transit
në territorin e Shqipërisë me destinacion final Kosovën, rezultuan me mangësi
dhe mospërputhje thelbësore në dokumentacionin shoqërues të mallit (certifikata
e origjinës dhe ajo veterinare mbanin të dhëna të ndryshme nga dokumenti i
transportit dhe fatura komerciale) çka e bën mallin ushqimor të importuar pa
identitet të konfirmuar dhe të pasigurt për konsum.
Më herët, analizat e kryera për disa nga
ngarkesat me produkte ushqimore mish të importuar rezultuan me ngarkesë
mikrobiologjike (analizat laboratorike raportuan prezencën e Salmonella spp)
dhe si rrjedhojë, produkti ushqimor i importuar me këto ngarkesa është i
pasigurt dhe i papërshtatshëm për konsum njerëzor. Për ketë arsye dhe referuar
bazës ligjore dhe rregullator në fuqi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi
kthimin e këtyre ngarkesave në vendin e origjinës, më konkretisht:
Katër ngarkesa me sasi totale 107.240 ton
“Mish derri” me origjinë nga Brazili, importuar nga subjekti “ZICO sh.a.” është
finalizuar praktika dhe ngarkesat janë kthyer në vendin e origjinës.
Gjashtë ngarkesa (152.631 ton në total) janë në proces përmbyllje praktike për kthimin ne vendin e origjinës ose asgjësim.