Shkelën sigurinë ushqimore, AKU u vë kyçin tre restoranteve në Fier e Durrës

AKTUALITET


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka goditur disa raste të tjera, të bizneseve që vepronin në kushte të jashtëligjshme dhe në shkelje të kushteve hijeno-sanitare. Sipas një njoftimi publik, AKU njofton se ka gjobitur dhe bllokuar aktivitetin e disa subjekteve, pasi janë kapur në shkelje të rënda ligjore. Kështu, sipas AKU, në Lushnje është gjobitur një biznes, “Magazinë ushqimore me shumicë”, e cila ushtronte aktivitetin pa licencën përkatëse, dhe për më tepër, në këtë magazinë janë gjetur produkte të skaduara, si: çajra, kotej, biskota, akullore, amareta etj.

Ndaj këtij subjekti është vendosur një gjobë me vlerë 2.6 milion lekë, ndërsa është ndërprerë aktiviteti deri në plotësimin e kushteve. Në qytetin e Fierit, sipas AKU, i është ndërprerë aktiviteti subjektit “Dorjan Gjoka”, që kishte një restorant pa pasur liçencën përkatëase. Veç ndalimit të aktivitetit, ndaj këtij subjekti është vendosur dhe një gjobë prej 1.5 milion lekësh.


Po në qytetin e Fierit, për të njëjtat arsye si personit subjektit të mësipërm, i është ndërprerë aktiviteti dhe gjobitur me 1.5 milion lekë gjobë, shtetasit Artur Bocova. Ndërkohë, në qytetin e Durrësit, shtetasit Shpëtim Turku, AKU i ka bllokuar aktivitetin e restorantit të tij, pasi nuk përmbushte kushtet hijeno-sanitare. Ndaj këtij subjekti është vendosur edhe një gjobë prej 600 mijë lekësh. Sipas AKU, këto mjasa kanë ardhur në kuadër të rritjes së sigurisë ushqimore gjatë sezonit turistik në vend.




Skip to toolbar