8 prokurorët e SPAK betohen para Metës dhe SHBA. Shkrihet Prokuroria e Krimeve të Rënda

Ashtu siç ishte njoftuar, 8 prokurorët e parë të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, kryen betimin përpara Presidentit Ilir Meta, në prani të përfaqësuesve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian si dhe organizatave që punuan për hartimin e Reformës në Drejtësi. Altin Dumani, Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Behar Dibra, Arben Kraja, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi, prej të enjtes së 19 dhjetorit janë zyrtarisht në detyrë.

Në një njoftim të presidencës, thuhet se, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, prokurorët u betuan para Presidentit Meta: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”

Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Avokati i Popullit Erinda Ballanca, drejtuesja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, Kreu i KLP, Gent Ibrahimi, Ambasadori i BE Luigi Soreca, përfaqsues nga Ambasada e  Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të OPDAT-it, misionit EURALIUS V dhe anëtarët e KLP-së.

Ndërkohë, pas cereomonisë së betimit, të enjten Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të bëjë dhe emërimin e Kryetarit të SPAK. Në garë janë Altin Dumani, Edvin Kondili dhe Arben Kraja. Ata dhanë intervista publike përpara anëtarëve të KLP të mërkurën. Ndërkohë, prej kësaj të enjte shkrihet zyrtarisht Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ajo e Apelit për Krime të Rënda.

Dosjet hetimore që të kësaj prokurorie i kalojnë SPAK. Paralelisht me krijimin e SPAK, po të mërkurën Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi ngritjen e Gjykatës së Posaçme e cila do të gjykojë dosjet hetimore të SPAK, ndërsa zëvendëson Gjykatën e Krimeve të Rënda. /Realstory.al/

Sulmet e Metës ndaj ambasadës, DASH: Po vëzhgojmë situatën

Departamenti Amerikan i Shtetit reagoi të premten, në lidhje me sulmet publike që Presidenti Ilir Meta bëri ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe diplomatëve amerikanë në Tiranë. Në një reagim për Zërin e Amerikës, DASH shprehet se “është në dijeni” të komenteve të Presidentit Ilir Meta ndaj ambasadës dhe diplomatëve amerikanë dhe se “është duke vëzhguar situatën”.

Pas sugjerimit të djeshëm të ambasadës amerikane në Tiranë që Shqipëria t’i drejtohej për opinion Komisionit të Venecias lidhur me përplasjen për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Meta u shpreh me një gjuhë të ashpër duke thënë “Jo më shtet të ambasadave, por shtet të së drejtës”.

Duke iu përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës për komentet e djeshme të Presidentit Meta, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkura nuk ka ndryshuar”, thotë zëdhënësi, duke shtuar se “vazhdimi i përparimit me reformat është jetik për stabilitetin dhe begatinë e Shqipërisë, si dhe për çuarjen përpara të synimit tonë të përbashkët, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Shtetet e Bashkuara, shton më tej zëdhënësi, “do të vazhdojnë të mbështetin Shqipërinë si një vend mik, partner dhe aleat, teksa vendi kryen reforma jetike”, thotë DASH.

Ndërkohë, Ilir Meta reagoi duke e përshëndetur qëndrimin e DASH. Duke cituar vetëm frazën “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”, Meta e lexon në favorin e tij këtë qëndrim. Ai shprehet se i qëndron besnik qëndrimeve të qarta dhe transparente, të shprehura zyrtarisht për përfaqësuesit e lartë amerikanë.

“Presidenti Meta i qëndron besnikërisht të gjitha qëndrimeve të tij të qarta dhe transparente, të shprehura zyrtarisht për përfaqësuesit e lartë amerikanë gjatë 5 viteve të fundit, që i përsëriti dhe në bisedën zyrtare telefonike që zhvilloi mbrëmjen e 20 nëntorit me Zv.Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA, z.Matthew Palmer. Aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA dhe miqësia e shkëlqyer midis dy vendeve dhe popujve tanë është e palëkundur”, thotë ndër të tjera Meta.

Shqipëria zgjeron rrjetin diplomatik, hapet ambasada në Australi

Shqipëria do të ketë ambasadë në Australi. Qeveria ka miratuar vendimin për të hapur seli diplomatike në Kanberra të Australisë. Lajmin e ka dhënë Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj. “Qeveria e Shqipërisë sot ka marrë vendim për hapjen e ambasadës të Republikës të Shqipërisë në Kanberra të Australisë! Ky vendim është në shërbim të zbatimit të strategjisë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të zgjeruar rrjetin e ndërveprimit politik ndërkombëtar dhe rritur numrin e përfaqësive diplomatike të Shqipërisë nëpër botë në përgjithës”, shkruan Cakaj.

Hapja e ambasadës në Australi, sipas Cakajt, ka përfitime të gjera politike dhe diplomatike. Deri më tani, marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me Australinë dhe disa vende të tjera në Azi, janë mbuluar nga Ambasasda e Shqipërisë në Pekin.

“Për më shumë, hapja e Ambasadës në Kanberra do të mundëson intensifikimin e marrëdhënieve diplomatike, politike dhe ekonomike midis Shqipërisë dhe Australisë. Tutje, kjo Ambasadë do të ketë një funksion shumë të rëndësishëm edhe në ofrimin e shërbimeve konsullore për shqiptarët (dhe jo vetëm) në Australi (dhe jo vetëm). Sipas pritjeve paraprake, Ambasada në Kanberra do të ofron afërsisht 4000-5000 praktika konsullore brenda një viti kalendarik”, shkruan Gent Cakaj.

Ky vendim i Qeverisë shqiptare, vjen fill pas nënshkrimit të marrëveshjes për përfaqësi diplomatike t të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kosovës në vende të ndryshme të botës. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk merr vlerë në rastin e Australisë, pasi Kosova e ka ngritur më herët selinë diplomatike në kontinentin australian.

Firmoset marrëveshja, Shqipëri-Kosovë me ambasada të përbashkëta në botë

Merr jetë projekti i bashkimit të përfaqësive diplomatike dhe konsullore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Të martën pasdite në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, ministri në detyrë, Gent Cakaj dhe homologu i tij kosovar, Bexhet Pacolli kanë firmosur marrëveshjen ndërministrore për bashkim të përfaqësive diplomatike dhe konsullore dhe për bashkëpunim strategjik në fushën e politikës së jashtme. Cakaj u shpreh se Shqipëria merr përsëripër përfaqësimin drejtpërdrejt dhe afirmimin pa kushte për qëndrimet zyrtare të Kosovës, në vendet ku përfaqësimi i Kosovës është i pamundur.

“Shqipëria merr përsipër edhe përfaqësimin e drejtpërdrejt dhe afirmimin pa kushte për qëndrimet zyrtare të Kosovës ku përfaqësimi i Kosovës është i pamundur. Ngritje të këshillit të përbashkët për planifikimin strategjik për politikat me rëndësi kombëtare. E dyta është shtylla diplomatike. Jemi dakorduar për fondin e përbashkët për menaxhimin dhe ambasadat e konsullatat e përbashkëta. Nga sot do të fillojmë punën për të pasur ambasada dhe konsullata të përbashkëta në të gjithë botën”.

“E treta është shtylla profesionale në shërbimin diplomatit për të shkëmbyer personelin në të gjitha vendet në botë. Po e pres me padurim ardhjen e diplomatëve kosovarë në shërbimin diplomatik të Shqipërisë, por edhe të Shqipërisë që do të shkojnë të shërbejnë në qendra diplomatike të Kosovës, por edhe këmbime të stafit ministritë tonë. Do të kemi edhe një kalendar të përbashkët kulturor, por edhe konferencën e përbashkët të Diasporës. Kjo është frymë vëllazërore, por edhe domosdoshmëri” tha Cakaj.

Për ministrin e Jashtëm të Kosovës, Bexhet Pacolli, kjo marrëveshje sjell shumë përfitime për vendin e tij. Pacolli tha se nuk është logjike që  një kontinent si Afrika të mos jetë i mbuluar me përfaqësi diplomatike. “Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë. Jam tejet i lumtur që firmosëm këtë marrëveshje, nga tani punojmë në interes të dy shteteve. Nuk është logjike që një kontinent si Afrika të mos jetë mbuluar. Kosova ka nevojë për këto shtete, por edhe nevoja ekonomike. Përfaqësitë e përbashkëta rrisin eficecën dhe imazhin dhe reduktojnë kostot.  Jemi gati të veprojmë edhe sipas këshillave të Shqipërisë, së bashku do të jemi më të fortë dhe më të respektuar nga të tjerët. Kosova është dhoma tjetër e shtëpisë sonë dhe aty gjithmonë do të ketë dyer të hapura dhe duar të hapura për vëllazërit dhe motrat tona nga Shqipëria” tha ai.

SHBA: Do monitorojmë 30 qershorin, dialogu për krizën dhe reformat pas zgjedhjeve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reguar këtë të premte për procesin zgjedhor të 30 qershorit. Me një komunikatë për shtyp publikuar në faqen zyrtare, SHBA kërkon distancim të opozitës nga aktetet e dhunës ditën e zgjedhjeve,  pasi në të kundërt ata do të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë, zyrtarëve të qeverisë, agjencive të sigurisë dhe qytetarëve shqiptarë që të sigurohen që zgjedhjet e 30 qershorit të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe transparente. Ne nxisim udhëheqësit politikë të refuzojnë çdo dhe të gjitha llojet e dhunës, apo çdo përpjekje për të penguar procesin zgjedhor apo edhe të drejtën e çdo qytetari për të votuar. Dhuna nuk është një mënyrë legjitime e të shprehurit politik. Ata që përfshihen në akte dhune duhen hetuar me të gjithë fuqinë e ligjit”, shprehet ambsada.

Duke theksuar se SHBA-të do të kenë vëzhguesit e saj të dielën për të monitoruar procesin zgjedhor, shprehet, se pas datës 30 qershor, partitët politike të ulen për të dialoguar duke i dhënë fund krizës politike në vend. Kështu, SHBA, kërkon ngritjen e GJykatës Kushtetuese me gjykatës që kanë kaluar Vettingun, nisjen e punës për Reformës Zgjedhore dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Ne nxisim udhëheqësit politikë që, pas zgjedhjeve të së dielës, të rikthejnë vëmendjen e tyre në forcimin e institucioneve demokratike shqiptare dhe zbatimin e ligjit, përfshirë edhe ecjen përpara me ngritjen e një Gjykate Kushtetuese të drejtuar nga gjykatës të cilët e kanë kaluar vetingun. Miratimi i reformave zgjedhore dhe zbatimi i reformës në drejtësi janë thelbësore për aspiratat europiane të Shqipërisë dhe për ngritjen e demokracisë së fortë që i shërben të gjithë shqiptarëve”, përfundon deklarata e SHBA.

Je aplikant i Lotarisë? Ja çfarë duhet të dish sipas ambasadës

Ambasada Amerikane në Tiranë ka postuar sot një tjetër këshillë për të gjithë ata persona që kanë aplikuar për Lotarinë Amerikanë.

Ambasada thekson se të gjithë aplikantët e Lotarisë Amerikane të cilët kanë jetuar për më shumë se gjashtë muaj duhet të marrin me patjetër një vërtetim penal nga shteti ku kanë jetuar si pjesë e dokumenteve të aplikimit.

“Jeni aplikant i Lotarisë? Nëse keni jetuar jashtë Shqipërisë më shumë se gjashtë muaj, ju duhet të merrni një vërtetim penal nga ai shtet si pjesë e aplikimit tuaj. #PyetAnen”, shkruhet në njoftim.

Schütz: Protestat në rrugë nuk zëvendësojnë dialogun

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Susanne Schütz i bëri thirrje opozitës që të ndalë protestat e dhunshme dhe të nisë rrugën e dialogut. Në një deklaratë për mediat Schütz  tha se shfaqja e dhunës në protestat e deritanishme të opozitës është e papranueshme. Ashtu si selitë e tjera diplomatike edhe ambasada gjermane ka dënuar sulmin ndaj ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt.

Protestuesit opozitarë shkruan në banesën e tij “Shame on you”, turp të kesh. Ky gjest është dënuar ashpër nga të gjitha ambasadat e huaja në Tiranë.

“Demonstratat paqësore janë një e drejtë themelore e rëndësishme në demokraci. Shfaqje të dhunës, sikurse ishin ato që pamë në datën 11.05., janë tërësisht të papranueshme dhe të papajtueshme me këtë parim. Për këtë arsye ne dënojmë maksimalisht dhunën e çdo lloji. Veçanërisht na shqetëson fakti, që drejtuesi i Prezencës së OSBE në Shqipëri është kërcënuar. Ndaj u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës Basha dhe Kryemadhi të dënojnë të gjitha format e dhunës ndaj njerëzve dhe institucioneve dhe t’i parandalojnë ato në mënyrë efektive. Si organizatorë ata mbajnë përgjegjësi për zhvillimin paqësor të demonstratave. Në të njëjtën kohë apelojmë forcat shqiptare të sigurisë të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë konsekuente, me maturi dhe në proporcion me situatën.

Protestat në rrugë nuk zëvendësojnë dialogun e domosdoshëm politik! Ndaj u bëjmë thirrje të gjitha palëve, që në funksion të përafrimit të mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Evropian kundërshtitë në qëndrime t‘i zgjidhin në kuadër të një dialogu politik konstruktiv”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Ambasada Amerikane apel opozitës: Protestoni pa dhunë

Ambasada Amerikane i ka bërë thirrje sot opozitës që në protestën e nesërme të mos ketë veprime të dhunshme. Në një mesazh të postuar në Facebook, Ambasada thekson se është e paligjshme dhe jo demokratike të kryesh akte dhune dhe të shkatërrosh pronën publike.

“E drejta për t’u përfshirë në protesta paqësore është një e drejtë themelore demokratike. Përgjatë muajve të fundit, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve kanë ushtruar të drejtën e tyre për të protestuar paqësisht. Megjithatë, në çastin kur një protestë paqësore njolloset nga një akt dhune, qoftë edhe nga një individ, qëllimi demokratik i protestës kompromentohet. Është e paligjshme dhe jo demokratike të kryesh akte dhune, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës. Iu bëjmë thirrje të gjithë personave të përfshirë në protestën e së shtunës që të refuzojnë dhunën për të siguruar një protestë paqësore dhe konstruktive”, bën thirrje Ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Çfarë e bëri zyrtaren amerikane të derdhë lot në Tiranë

Leyla Moses-Ones, e ngarkuara me punë e SHBA-së në Tiranë, ishte sot e pranishme në një aktivitet të zhvilluar për luftën kundër kancerit të gjirit. Zyrtarja amerikane ka ndarë një histori të dhimbshme nga jeta e saj, teksa nuk arriti t’i përmbante lotët kur kujtoi me dhimbje se nëna e saj ishte ndarë nga jeta për shkak të kancerit të gjirit.

 “Dymbëdhjetë vite më parë, në këtë muaj humba nënën time për shkak të kancerit. Kështu që unë e di personalisht se kanceri i gjirit ndikon te të gjithë ne, pavarësisht se kush jemi ose prej nga vijmë. Partitë politike? Të parëndësishme. Lidhjet familjare? Të parëndësishme. Pasuria apo varfëria? Të parëndësishme. Kanceri i gjirit nuk njeh kufij dhe është i verbër ndaj privilegjeve. Ne e dimë se diagnoza e kancerit është tragjike dhe zemërthyese për familjet. Për pasojë, asnjë punëdhënës nuk duhet të ndëshkojë gratë që u duhet të luftojnë këtë sëmundje të tmerrshme”, tha Moses-Ones.

Për këtë qëllim zyrtarja e amerikane apeloi që drejtuesit e Shqipërisë të punojnë së bashku për t’i ardhur në ndihmë këtyre grave por edhe për të çuar përara çështje me rëndësi për vendin, siç është ndër të tjera edhe Reforma Zgjedhore.

 “Shpresoj që kjo do të jetë një fushë e përbashkët, ku ju – drejtuesit politikë të Shqipërisë – të mund të vini së bashku dhe të bashkoheni për ta çuar vendin përpara. Së bashku…për një kauzë të përbashkët. Kur t’i lini mënjanë dallimet tuaja dhe të bashkoheni në të mirë të publikut do ta drejtoni këtë vend me frymëzim. Udhëheqës shqiptarë, që punojnë së bashku, për të dhënë një shembull të shkëlqyeshëm për qytetarët tuaj. Zhvillim ekonomik, paqe dhe siguri, ndoshta edhe Reformë Zgjedhore. Të gjitha këto janë të mundshme me drejtues të mirë në krye, në një bashkim përpjekjesh”, tha më tej Moses-Ones.

Mundësi punësimi në ambasadën e SHBA. Shih detajet

Përmes një njoftimi ambasada Amerikane në Tiranë bën të ditur se ka një vend bosh në pozicionin e praktikantit në Zyrën për Marrëdhëniet me Publikun.

Afati për të aplikuar është 23 prill 2019.

Ambasada i bën thirrje të gjithë të interesuarve që të aplikojnë, ndërsa ka vendosur edhe një sërë kriteresh që duhen plotësuar si dhe mënyrëne aplikimit.

Për më tepër shiko linkun më poshtë.

https://al.usembassy.gov/sq/embassy-sq/jobs-sq/?fbclid=IwAR3dpTI9yVWPOG85GOq01XEEWz8QhFy0jI8zAm6bvg4bdNNR_ltw2VAH3jA

Skip to toolbar