Dokumente sekrete të qeverisë britanike
paralajmërojnë paralizim në gjithë vendin në rast se Britania largohet më 31
tetor nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje. Dokumentet u publikuan nga
gazeta “The Sunday Times” dhe sipas burimeve qeveritare që nuk pranuan të
identifikohen, ato janë dhënë shtypit nga një ish-ministër.
Britania pritet të përballet me probleme të
mëdha nëse largohet nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje tregtare, thuhet
në disa dokumente të publikuar nga gazeta “The Sunday Times”.
Në në rast të tillë vendi do të përballej me
ndërprerje të furnizimeve me ilaçe, ushqime e karburant, që mund të zgjasnin
deri në gjashtë muaj.
“The Sunday Times” shkruan se “dosja
ofron një vështrim të rrallë mbi një plan sekret të qeverisë për të shmangur
një kolaps katastrofik në infrastrukturën e vendit”.
Dokumentet ku detajohet ndikimi negativ në
vend në rast të një Brexit-i pa marrëveshje, janë nxjerrë nga një ish-ministër
në një përpjekje për të ndikuar negociatat e qeverisë me Bashkimin Evropian,
tha një burim qeveritar të dielën.
Sipas të njëjtit burim “dokumenti i
përket kohës kur ministrat po bllokonin atë që duhej bërë për t’u përgatitur
për largimin dhe fondet nuk ishin në dispozicion”, siç tha ai.
Megjithëse skenarët e zymtë, që përshkruhen në
dokumentet që kanë rrjedhur prej qeverisë, janë diskutuar prej kohësh nga
akademikët dhe ekonomistët, ato janë hedhur poshtë si përhapëse të paniku nga
përkrahësit e largimit të Britanisë nga BE-ja.
Kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë
se vendi do të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor pa një marrëveshje
edhe nëse nuk do të mundet të rinegociojë marrëveshjen e paraardhëses së tij
Theresa May me bllokun.
Megjithatë zyrtarët e kanë paralajmëruar
kryeministrin Boris Johnson se dalja pa marrëveshje nga Brexit, do të vendoste
në rrezik bashkëpunimin për ndarjen e informacionit që u nevojitet forcave të
zbatimit të ligjit si dhe industrinë e shërbimeve financiare.
Dokumentet e publikuara nga “The Sunday Times”
citojnë gjithashtu zyrtarët të paralajmërojnë se deri në 85 për qind e
kamionëve nuk do të ishin gati për të kaluar doganat franceze në vendkalimin
kritik, Kanalin e Lamanshit në 31 tetor, duke shkaktuar radhë që mund të
zgjasnin me ditë. Rreth 75 për qind e të gjithë ilaçeve që vijnë në Britania
arrijnë përmes këtij vendkalimi, thuhet në dokumente.
Zyrtarët parashikojnë prekje të
“elementëve kritikë” të zinxhirit të furnizimit me ushqime “që
do të krijonin mungesa në treg e do të rrisnin çmimin, me pasoja tek grupet më
të prekshme”. “The Sunday Times” nuk e ka shpjeguar se si i mori
dokumentet edhe qeveria nga ana tjetër nuk i është përgjigjur kërkesave për
komente./VOA/