UEFA heton Bullgarinë dhe Anglinë. Pranga 6 tifozëve

AKTUALITET


Policia bullgare identifikoi 15 tifozë, të cilët dyshohet se shkaktuan koret raciste në takimin Bullgari-Angli të disa ditëve më parë, në eleminatoret e Euro 2020. Policia arrestoi 6 prej personave të identifikuar, ndërsa tre janë shpallur në kërkim. Ndeshja, që Anglia fitoi 6-0 ndaj Bullgarisë në Sofje, u ndal dy herë në pjesën e parë pas koreve raciste të tifozëve vendas.

“Ne nuk do tolerojmë një sjellje të tillë”, tha një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme të Bullgarisë. Ndërkohë, ky skandal, u shoqërua me dorëheqjen e Presidentit të Federatës Bullgare të Futbollit Borislav Mikhailov. Koret raciste të tifozëve bullgarë nuk u pritën mirë as nga përfaqësues të futbollit në këtë vend. Ish-futbollisti Hristo Stoichkov, u bë emocionues kur u pyet në televizion se si mund të parandalohen akte të tilla të shëmtuara.


Ai u shpreh se “tifozët nuk duhet të lejohen në stadium, dhe të përballen me ndëshkime më të rënda”. Ndërkohë, UEFA lajmëroi se nisi hetimet ndaj Federatës Bullgare të Futbollit  në disa drejtime; për koret raciste, hedhjen e sendeve të ndaluara në fushë dhe prishjen e himnit kombëtar. Nën hetim është vënë dhe Federata Angleze e Futbollit për prishje të himnit kombëtar të ekipit kundërshtar, ndërsa pritet që çështja të trajtohet nga Komisioni i Disiplinës.




Skip to toolbar