“Juli i Pashakos”, i dyshuar për atentatin ndaj Ndojës. Si i shpëtoi policisë para 1 muaji

Policia ka identifikuar një të dyshuar tjetër në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Ai është Julian Sulo i njohur si “Juli i Pashakos”. Gjurmët e tij u gjetën në makinën e braktisur nga autorët në një fshat të Ishmit gjë që ka bërë që policia ta shpallë në kërkim. Prej mbrëmjes së 7 nëntorit, policia është vënë në kërkim të “Julit të Pashakos”, ku u zhvilluan operacione blic ku më shumë se 500 forca të FNSH dhe RENEA rrethuan Niklën, Lushnjen, Peqinin dhe zonën e kënetës në Durrës, ku u kontrollua edhe një banesë që dyshohet se përdorej si bazë nga personat me rekorde kriminale.

Sipas Abcnews Julian Sulo i shpëtoi policisë një muaj më parë, ku ishte duke përgatitur një tjetër atentat të bujshëm në një qytet të vendit. Ai nuk vijoi me planin e tij pasi kuptoi se policia ishte vënë në ndjekje të tij duke u zhdukur në mënyrë të papritur.

Policia ka arrestuar për atentatin ndaj prokurorit Ndoja, vetëm Redjan Rrajën, i cili dyshohet si një nga autorët, pasi gjurmët e tij janë gjetur në makinën e braktisur. Më 1 nëntor te mbikalimi i Shkozetit, u bë një atentat mafioz ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja, i cili u plagos. Nga atentati mbetën të plagosur edhe personat që udhëtonin me të, Pëllumb Muharremi i njohur si “Rrumi” dhe shoferi i tij Andi Maloku, i cili humbi jetën, 6 ditë pas atentatit si pasojë e plagëve të rënda.

Kush është “Juli i Pashakos”?

Julian Sulo, i cili njihet ndryshe si “Juli i Pashakos” është një emër i njohur për policinë e shtetit. “Juli i Pashakos” nga të gjithë njihet si një nga kundërshtarët e betuar të Aldo Bares, pjesëtarit të bandës së Lushnjes.

Ai është arrestuar dhe më parë si i përfshirë në atentatin ndaj nipit të Aldo Bares, por nuk u gjet asnjë provë dhe më pas ai u la i lirë. Sulo ishte ndër të dyshuarit për atentatin ndaj Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit, miq të nipit të Aldo Bares, por ai para hetuesve deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me këtë krim. Ndërsa më parë ndaj Sulos është bërë dhe një tentativë për ta vrarë duke pësuar dëmtime të shumta, por autorët e këtij krimi nuk u zbardhën kurrë.

Atentati ndaj Ndojës, Krimet e Rënda “rihapin” dosjen Konomi

Të tjera detaje dalin nga hetimet lidhur me atentatin e gjashtë ditëve më parë ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Sipas News 24, grupi i hetimit është duke hetuar pistën e përplasjes së grupeve kriminale në Durrës për zotërimin e pronave në Gjirin e Lalzit. Në hetim janë përfshirë disa procese gjyqësore që kanë në qendër tjetërsimin e pronave që kanë çuar në përplasje të ashpër mes njerëzve të botës së krimit. Dosja e parë që është sekuestruar nga Krimet e Rënda, është ajo e Pal Selçunit, një 74-vjeçar i cili përfitoi 45 mijë metër katrorë tokë me një vendim gjykate disa vite më parë.

Arsyeja pse është sekuestruar kjo dosje lidhet me faktin se çështja Selçuni është përfaqësuar nga studio ligjore e bashkëshortes së Arjan Ndojit. Në gjykim ishte palë dhe Avokatura e Shtetit dhe Bashkia e Durrësit. Por asnjëra prej tyre nuk e ankimoi vendimin. Sapo përfitoi pronën, Selçuni ia shiti atë familjës muharremi. Në këtë sipërfaqe nisi të investonte biznesmeni libanez Faad Mitri, i cili u rrah barbarisht dhe më pas u largua nga Shqipëria, duke anuluar dhe investimin e kompleksit turistik. Pëllumb Muharremi alias Aleksandër Laho i njohur si “Rrumi” i dyshuar se ishte pjesë e dhunës ndaj biznesmenit, nuk u mor asnjëherë në pyetje për këtë ngjarje.

Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestroi dosjen e pronave të pretenduara nga gjyqtari i ndjerë i Vlorës, Skerdilajd Konomi, i vrarë disa vite më parë po në një atentat mafioz. Sipas News 24, referuar dokumentave, familja Toptani ka një proces të hapur gjyqësor me familjen Konomi, për një sipërfaqe prej 275 hektarësh me vendodhje në Hamallaj në Durrës.

Duket se kjo nuk ka asnjë lidhje me atentatin ndaj prokurorit. Por, fakti që në proces janë përfshirë persona me lidhje me Aleksandër Lahon ngre dyshime të forta. Padia, për procesin mes familjes Toptani dhe Konomi, aktualisht ndodhet në shqyrtim në Gjykatën e Durrësit. Krimet e Rënda po shqyrtojnë edhe prona që dyshohet se familja Muharremi ka zaptuar, kryesisht prona shtetërore, por që tashmë janë regjistruar me emrin e tyre.

Avokati i Rrajës: Syzet e vetmja provë, do e kontestojmë

Avokati i Redjan Rrajës, Besnik Çerekja tha se klienti i tij nuk ka lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Pas seancës gjyqësore te Krimet e Rënda ku u vendos masa “burg pa afat” për të dyshuarin Redjan Rraja, avokati Çerekja tha për mediat se klienti i tij nuk ka pasur konflikte me prokurorin dhe se nuk ka qenë i përfshirë në atentatin kundër tij. Avokati cilësoi se vetëm syzet ku janë gjetur gjurmët e tij janë si sjellë si provë dhe nuk ka asnjë tjetër.

Nuk ka asnjë lidhje, nuk është i përfshirë në këtë histori. Të njëjtën gjë konfirmuam dhe ne, kontestuam provat që pretendojnë prokurorët, qoftë për ligjshmërinë e arrestimit qoftë për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Prokuroria solli si prova gjurmë të gishtërinjve në një nga sendet që ndodheshin në makinë. Akuzohet për një sërë veprash penale, që nga vjedhja deri të vrasja e funksionarëve të lartë të mbetur në tentative. Rraja ndodhej në Shqipëri në momentin e atentatit, nuk po tentonte që të largohej, ishte në mjetin e tij, me pasaportën e tij, normalisht. Nuk janë gjetur shenjat e gishtërinjve përveç objektit. Redjani deklaroi vetëm ‘Jam dakord me mbrojtjen dhe shpresoj drejtësia të bëjë punën e saj“.– tha Çerekja.

Gjatë seancës gjyqësore Redjan Rraja nuk ka folur për tu mbrojtur, por ka lënë avokatin e tij. Seanca që zgjati rreth një orë u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa Rraja ka mohuar përfshirjen në atentat duke kundërshtuar akuzat. Avokati Çerekja madje ka dhënë alibi duke pretenduar se klienti i tij ndodhej në një tjetër vend për arsye personale të premten në orën 16:15 minuta kur u bë atentati dhe jo te mbikalimi i Shkozetit. Arrestimi i tij u bë të dielën në darkë në pikën kufitare të Hanit të Hotit, ndërsa tha se “ishte një udhëtim i planifikuar”

Shtohet “rrethimi” ndaj Ndojës. Pas KLP, nën hetim nga Arta Marku

Vetëm pak orë pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë kërkoi hetim për prokurorin Arjan Ndoja, Prokuroria e Përgjithshme është vënë në lëvizje. Me anë të një deklarate për mediat, Prokuroria e Përgjithshme Arta Marku lajmëroi se nisi “verifikimin e fakteve të bëra publike në rastin e prokurorit Arjan Ndoja. Verifikimet konsistojnë  në mbledhjen e të dhënave  për shkeljen e rregullave të papajtueshmërisë  me funksionin e magjistratit, parashikuar në nenin 103 shkronja “a” të ligjit 96/2016  “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve  në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme.

Ky zhvillim erdhi pasi në makinën e prokurorit Arjan Ndoja u gjetën fashikuj të dosjeve hetimore, të cilët dyshohet se i përkasin dosjes së pronave që ishte vjedhur në Prokurorinë e Durrësit një vit më parë. Gjithashtu, dyshohet se një pjesë e fashikujve të gjetur i përkasin dojes së Skerdilajd Konomit, gjyqtarit të vrarë në atentat me tritol në vitin 2011, ku dyshohet se shkaku ishte pikërisht një pronë që ai kishte në pronësi në Durrës. Prokurori Ndoja e pranoi se në mjetin e tij ishin gjetur këto dokumenta, por ai arsyetoi se i mbante pasi i përkisnin studios së tij ligjore.

Por ky argument nuk e justifikon faktin, pasi sipas ligjit prokurorit nuk i lejohet që ndërkohë që ushtron funksionin publik shtetëror, të ketë dhe aktivitetin privat me studio ligjore. Kujtojmë se gjatë të mërkurës, Realstory.al publikoi fakte se prokurori Ndoja e kishte aktive studion ligjore deri në vitin 2009, kohë në të cilën ai ushtronte dhe detyrën si prokuror.

Gjithashtu, edhe në rastin tjetër, nëse fashikujt e gjetur në makinën e prokurorit vërtetohet se i përkasin dosjes së vjedhur në prokurori dhe dosjes Konomi, përsëri prokurori ndodhet në telashe. Po sipas ligjit, prokurorit nuk i lejohet kurrësesi të mbajë me vete dosje hetimore. Për të dyja rastet do të jetë Prokuroria e Përgjitshme që do të duhet të vërtetojë se cilat ishin arsyet që fashikujt hetimor ndodheshin në mjetin e prokurorit.

Pronat dhe dosja Konomi në makinën e prokurorit? “Nëse vëretohen, Ndoja arrestohet”

Të martën u zbuluan detaje të tjera nga atentati i prokurorit Arjan Ndoja. Në makinën e prokurorit media të ndryshme raportuan se janë gjetur fashikuj të ndryshëm hetimor. Lajmin e konfirmoi vetë prokurori në një intervistë dhënë të martën në mbrëmje, pavarësisht se e justifikoi me faktin se ato dokumenta ishin aty për shkak se ai ka një studio ligjore. Por ky argument bie.

Në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, gazetarët e kronikës deklaruan se prokurorit i ndalohet me ligj që të mbajë dosje hetimore me vete. “Arjan Ndoja në këtë rast është në një situatë të vështirë, sepse nuk e justifikon dot gjetjen e dokumentave në makinën e tij. Në ditët në vijm ai mund të merret përsëri në pyetje. Hetimi i çështjeve të pronave është më i ngutshëm se çon në zbardhjen e ngjarjeve të tjera”, tha gazetari Xhevair Zhabina.

Duke konfirmuar këtë qëndrim, gazetarja Klodiana Lala u shpreh se nëse vërtetohet se dokumentet e gjetura në makinën e prokurorit i përkasin dosjeve të grabitura në Prokurorinë e Durrësit, Arjan Ndoja mund të arrestohet. “Nëse vërtetohet dhe një dokument i vetëm i gjetur në atë makinë që është i dosjes së grabitur, përbën shkak për arrestimin e prokurorit Ndoji”, tha Klodiana Lala. Më tej ajo shpjegoi faktin se në makinën e prokurorit raportohet se është gjetur dhe dosja që lidhet me gjyqtarin e vrarë në atentat, Skerdilajd Konomi, i cili ishte pronar i një prone në Durrës.

Klodiana Lala u shpreh se është e mundur që ajo dosjet të jetë aty, për shkak se bashkëshortja e prokurorit është avokate, por shtoi faktin se gjërat komplikohen, pasi prona e gjyqtarit të vrarë në atentat, tashmë është në duart e Pëllumb Muharremit. “Çështja Konomi mund të disponohet nga familja Ndoji, pasi bashkëshortja është avokate. Fakti që kjo pronë që pretendohet se trashëgonte Konomi, dhe është marrë nga Pëllumb Muharremi dhe një grup kriminal tejtër në Durrës, i komplikon gjërat. Në atë kohë dyshimet e ekzekutimit të Konomit me këtë dosje u lidhën”, tha Klodiana Lala.

Shumë i rezervuar në deklaratat e tij zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, lidhur me këtë detaj, pra të gjetjes së dosjes së vjedhur në prokurorinë e Durrësit dhe gjyqtarit Konomi. Por, ai la të kuptohet se grupi hetimor po punon edhe në këtë drejtim dhe gjasat janë që të ketë zhvillime pozitive. “Asnjë pistë nuk përjashtohet nga grupi hetimor. Të gjitha të dhënat premtojnë se do kemi zhvillime pozitive. Nuk përjashtohet asnjë pistë. Grupi hetimor po tregohet shumë profesionit. Policia ashtu siç po dëshmon profesionalizëm në rastin konkret, do të marrë masa edhe për të parandaluar raste të tjera”, tha Lamallari./Realstory.al/

Hajdarmataj: Atentati ishte ndaj Prokurorit Ndoja dhe i motivuar politikisht

Ish drejtuesi i policisë Arben Hajdarmataj tha se ai ka bindjen e plotë se atentati mafioz ishte ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe jo ndaj “Rrumit” të fortit të Sukthit që ndodhej në makinë. Hajdarmataj tha në “Real Story” se mënyra se si është qëlluar, makina ndaj të cilit është qëlluar dhe fakti që është përgjuar dhe vëzhguar çdo lëvizje e tij bën të mendosh që dhe atentati ka qenë ndaj tij.

“Për mua, atentati është ndaj prokurorit. Autorët e kanë ditur shumë mirë se kush ka qenë në makinë dhe e kujt ka qenë makina. Ata e kanë monitoruar Ndojën gjatë gjithë ditës.” tha Hajdarmataj.

Hajdarmataj tha se për të ky sulm ka qenë i motivuar politikisht, pasi një kryeministër dhe një zëvendëskryeministër nuk mund të dalë e të anatemojë në mënyrë publike me emër e mbiemër një prokuror. Hajdarmataj tha se pikërisht këto sulme publike kanë shtyrë dhe autorët të ndërmarrin atentatin ndaj tij në këtë kohë.

“Për mua është një atentat i motivuar politikisht. Për sa kohë Kryeministri e anatemon në mënyrë publike dhe zëvendëskryeministri shfaqet në një seancë gjyqësore. Autorët e krimit kanë mbështetje politike. Nëse qeveritarët kanë fakte duhet t’i çojnë në prokurori dhe jo të bëjnë deklarata publike. Nëse Redjan Rraja del se është një nga autorët, atëherë kjo vërteton politikisht atë që po them unë.” tha Hajdarmataj

Ish drejtuesi i policisë tha gjithashtu se atentati ka qenë ndaj prokurorit Ndoja dhe jo ndaj “avokatit” Ndoja. Ndërsa për gazetaren Klodiana Lala, prokurorin Ndoja e pengon ligji të bëj dhe rolin e avokatit dhe të prokurorit. “Studio ligjore që ka Ndoja nuk ia lejon ligji. S’mund të jesh dhe avokat i kriminelit dhe prokurori i tij”.

Lamallari: Zhvillime pozitive në zbardhjen e atentatit të prokurorit

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari deklaroi në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja po shkon drejt zbardhjes. Ai tha se është vërtetuar nga provat se Redjan Rraja ishte i pranishëm në automjetin që i bëri atentat prokurorit.  

“Besoj se është bërë punë shumë e mirë nga hetuesit. Nuk ka dyshime që personi ka qenë në automjet përsa i përket gjurmëve të gjetura. Do doja të theksoja nuk duhet të përjashtojmë asnjë pistë. Mund të jetë ndaj këtij personi, ndaj personit tjetër, e kombinuar. Unë kam bindjen që do avancojë në këtë aspekt. Numëri i abuzuesve në sistemin e drejtësisë është fenomen. Kryeministri dhe zëvendësi i tij kanë shumë burime. Unë besoj shumë se do kemi zhvillime shumë pozitive në drejtim të zbardhjes së ngjarjes”, tha Lamallari.

Ndërkohë, gazetari i kronikës Xhevair Zhabina u shpreh se fati i mirë në atentatin ndaj prokurorit, ishte fakti që një nga armët u bllokua. Sipas tij, hetimet kanë nisur pozitivisht, por duhet të pritet dhe deklarata e Pëllumb Muharremit.

“Qitësi ka qenë profesionist. Është qëlluar në dy anë, por një nga kallashnikovët është bllokuar. Ky është fati i mirë. Rraja është përfshirë në ngjarje në Bllok ku ka qenë pjesë e një tavoline ku mbeti një person i vdekur. Është ngjarje e zbardhur në koh rekord. Është hetim i nisur shumë mbarë nga policia dhe prokuroria. Deri tani mungon dëshmia e Pëllumb Muharremit. Ai duhet të tregojë problemet që ka”, tha gazetari. /Realstory.al/

Sonte në Real Story: Zhvillimet e bujshme pas atenatit ndaj prokurorit

Komplikohet edhe më shumë dosja hetimore pas atentatit të së premtes ndaj makinës ku udhëtonte prokurori i Durrësit Arian Ndoja dhe “i forti” i Shijakut Pëllumb Muharremi. Burime policore thonë se në makinën e tij janë gjetur një seri dosjesh, ku ndër të tjera spikat një dosje që përfshin Skerdilajd Konomin gjykatësi vlonjat, i vrarë në një atentat mafioz në mes të ditës në Vlorë në shtator 2011. Familja e gjykatësit, pronare e disa tokave në Hamallaj të Durrësit, ishte në një konflikt gjyqësor. Vetë Ndoja thotë se e kishte dosjen në cilësinë e avokatit, por vetëm në Shqipëri ndodh që njerëz të drejtësisë të jenë njëkohësisht avokat i dy palëve, i ligjit dhe i krimit.

“Dentist, kanadez dhe vrasës”, arrestohet i dyshuari i parë

Gjithashtu vetëm në Shqipëri ndodh të jesh edhe dentist, edhe kanadez edhe vrasës profesionist. Është ky kurrikulumi i personit kryesor të akuzuar nga organet ligjzbatuese si autori i vrasjes së mbetur në tentativë, të personave që udhëtonin në makinën e prokurorit Ndoja. Ashtu siç paralajmëruam një ditë më parë në Real Story, policia kreu sot arrestimin e bujshëm, nga cv-ja por dhe nga lidhjet familjare, postet shtetërore të këtij individi, me një familje të madhe nga Fushë Kruja. Qendër tjetër e krimit në vend, por edhe zona elektorale e deputetit socialist Rrahman Rraja. Ngjarja mesa duket po shtrin tentakulat e saj si një oktapod kriminal, që përfshin ngjarje të rënda kriminale, nga vrasja e gjyqtarit Konomi, tek vrasja e vrasësit te tij vlonjat në Durres një vit e ca më parë dhe çështje pronash e asetesh të patundshme, që kanë në bazë të tyre, tjetërsimin, me forcë, gjak dhe vulën e korruptuar të drejtësisë.

Akuzat e opozitës dhe reagimi i Kryeministrit

Mbiemri Rraja ka ngjallur reagimin e opozitës. Kreu i saj nga Korça, e ka quajtur larje hesapesh brenda llojit, në vazhdën e njëjtësimit që opozita i bën krimit dhe maxhorancës socialiste në vend. Vetë deputeti Rrahman Rraja ka kërkuar dënimin e të arrestuarit për të cilin thotë se e ka vetëm një kushëri të largët. Ndërkohë sot theu heshtjen kryeministri Edi Rama, i cili përsëriti akuzat ndaj Ndojës dhe njoftoi krijimin e bazës ligjore dhe krijimin e një force elitë kundër të fortëve. Real Story ka mësuar detaje të reja të rëndësishme sesi ajo po ngrihet, nën stërvitjen e forcave elitë izraelite, por si do të funksionojë ajo? Si do të thyejë ajo mitin e të fortëve, dhe cila do jetë lidhja e saj me SPAK dhe BKH?

Dosjet e gjetura në makinë, Ndoja: Pjesë e punës time, nuk shoqërohem me kriminelë

Arjan Ndoja i cilësoi dosjet dhe dokumentet e gjetura në makinën e tij, si pjesë e punës që ai ofron si konsulent ligjor. Ndoja, nga dhoma e spitalit në Durrës ku gjendet i shtruar, tha se zotëron një studio ligjore dhe se çështjet që lidhen me pronat apo çështjet penale janë pjesë e punës së tij. Gjatë një interviste për A2 CNN, Ndoja tha se me këtë ai nuk ka shkelur asnjë ligj, ndërsa në lidhje me akuzat për bashkëpunim me grupe kriminale, shtoi se nuk ka shpërdorur kurrë detyrën e tij si prokuror.

 “Unë prej kohësh drejtoj një studio ligjore, ku ofroj dhe konsulencë ligjore për çështje të ndryshme. Ndër to janë disa çështje që lidhen me pronat, por edhe çështje penale për të cilat unë jam njohës dhe sugjerues. Shpresoj që prokuroria të tregohet objektive në hetim, pasi këto janë gjëra të ditura dhe unë nuk kam shkelur asnjë ligj apo të drejtë”, tha Ndoja.

Prokurori Arjan Ndoja tha se kurrë nuk është ndjerë i kërcënuar dhe se nuk e priste që dikush do i drejtohej me armë. Ai tha se nuk i trembet askujt dhe nuk është shoqëruar kurrë me kriminelë.

 “Nuk jam ndjerë asnjëherë i kërcënuar, ndryshe do të kisha marrë masa të mbrohem. Çdo gjë kisha pritur, vetëm këtë jo. Kisha menduar që mund të më çonin në prokurori, duke më ngritur akuza, por jo deri tek arma. Unë nuk i trembem askujt. Asgjë nuk kam bërë në kundërshtim me ligjin dhe nuk jam shoqëruar kurrë me kriminelë”. tha Ndoja

Makina me të cilin po udhëtonte Arjan Ndoja ishte pjesë e një atentati me armë më 1 nëntor te mbikalimi i Shkozetit, ndërsa në makinën e tij gjendej shoferi Andi Maloku dhe  Aleksandër Laho me precedent penal i njohur edhe me nofkën “Rrumi”, ku mbetën të 3 të plagosur.

“Dosja Konomi në makinën e Ndojës”: I vjedhur nga posta e Prokurorisë. Zbulohet më shumë oktapodi kriminal

Detaje të tjera dalin në dritë nga hetimet për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Sipas Top Channel, në makinën e prokurorit, që iu bë atentat të premten e javës së kaluar, janë gjetur disa dosje. Ato dyshohet se janë dosje që lidhen me pronat në Gjirin e Lalzit. Ndër dokumentat e gjetura është dhe dosja e vjedhur nga kasaforta e Prokurorisë së Durrësit një vit më parë, si dhe dosja e gjykatësit të vrarë disa vite më parë në Vlorë, Skerdilajd Konomi.

Referuar këtij lajmi, “burimet thonë se pista kryesore e hetimit është pikërisht një konflikt për tokat e pretenduar nga familja e viktimës, ku disa kohë më parë është bërë një transaksion i dyshimtë në hipotekën e Durërsit në favor të një organizate kriminale, çka mendohet se ka çuar edhe në konfliktin mes prokurorit dhe drejtuesit të ri të hipotekës që kishte rënë në gjurmët e këtij transaksioni”.

Nëse këto vërtetohen zyrtarisht, atëherë provohet faktin i lidhjes së prokurorit me personin me rekorde kriminale që gjendje në makinë me të, i cili figuron pjesëtar i asaj organizate. Ndërkohë, në vitin 2018 në Prokurorinë  e Durrësit ndodhi një grabitje e dokumenteve nga persona të paidentifikuar, të cilët morën serverin ku dyshohet se ishin dokumente që lidheshin me problemin e pronave në Gjirin e Lalzit.

Mbrëmjen e të hënës, në studion e “Real Story”, gazetarja Klodiana Lala u shpreh se drejtori i Postës në Durrës është vëllai i personit Pëllumb Muharremit apo njohur ndryshe si “Rrumi”, personi që ndodhej në makinë me prokurorin Ndoja gjatë atentatit të së premtes. Kujtojmë se një vit më parë, veç serverit të prokurorisë së Durrësit, u vodh dhe posta e prokurorisë, ku dyshohej se dokumentet që ndodheshin aty lidheshin pikërisht me dosjen e pronave. Por ishte ish prokurori Shkëlqim Hajdari, i cili paralajmëroi të hënën se në dosjen e atentatit do të dalin të lidhura edhe çështje te tjera, perfshire edhe vrasjen e gjykatesit Konomi.

Skip to toolbar