Hajdarmataj: Atentati ishte ndaj Prokurorit Ndoja dhe i motivuar politikisht

AKTUALITET


Ish drejtuesi i policisë Arben Hajdarmataj tha se ai ka bindjen e plotë se atentati mafioz ishte ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe jo ndaj “Rrumit” të fortit të Sukthit që ndodhej në makinë. Hajdarmataj tha në “Real Story” se mënyra se si është qëlluar, makina ndaj të cilit është qëlluar dhe fakti që është përgjuar dhe vëzhguar çdo lëvizje e tij bën të mendosh që dhe atentati ka qenë ndaj tij.

“Për mua, atentati është ndaj prokurorit. Autorët e kanë ditur shumë mirë se kush ka qenë në makinë dhe e kujt ka qenë makina. Ata e kanë monitoruar Ndojën gjatë gjithë ditës.” tha Hajdarmataj.


Hajdarmataj tha se për të ky sulm ka qenë i motivuar politikisht, pasi një kryeministër dhe një zëvendëskryeministër nuk mund të dalë e të anatemojë në mënyrë publike me emër e mbiemër një prokuror. Hajdarmataj tha se pikërisht këto sulme publike kanë shtyrë dhe autorët të ndërmarrin atentatin ndaj tij në këtë kohë.

“Për mua është një atentat i motivuar politikisht. Për sa kohë Kryeministri e anatemon në mënyrë publike dhe zëvendëskryeministri shfaqet në një seancë gjyqësore. Autorët e krimit kanë mbështetje politike. Nëse qeveritarët kanë fakte duhet t’i çojnë në prokurori dhe jo të bëjnë deklarata publike. Nëse Redjan Rraja del se është një nga autorët, atëherë kjo vërteton politikisht atë që po them unë.” tha Hajdarmataj

Ish drejtuesi i policisë tha gjithashtu se atentati ka qenë ndaj prokurorit Ndoja dhe jo ndaj “avokatit” Ndoja. Ndërsa për gazetaren Klodiana Lala, prokurorin Ndoja e pengon ligji të bëj dhe rolin e avokatit dhe të prokurorit. “Studio ligjore që ka Ndoja nuk ia lejon ligji. S’mund të jesh dhe avokat i kriminelit dhe prokurori i tij”.




Skip to toolbar