Video me kokainë e kryebashkiakut “përplas” analistët në Real Story

Kriminalizimi dhe kryabashkiakët e akuzuar për precedentë të ndryshëm zhvilloi një debat të ashpër mes analistëve Fatos Lubonja dhe Arian Vasjari në studion e emisionit “Real Story” në News 24. Përsëritja e rasteve të kryebashkiakëve të kriminalizuar për Lubonjën tregon se edhe vetë PS sot është kthyer në një parti të inkriminuar. Mendimi Lubonjës hasi kundërshtimin e fortë të Vasjarit, i cili tha se nuk mund ta pranojë që Partia Socialiste është një parti e kriminalizuar. Vasjari tha se nuk mund ta shoh çdo gjë të kriminalizuar, por kërkon të shoh shpresë se gjërat do ndryshojnë dhe se palët duhet të përballen për të gjetur zgjidhje.

Pjesë nga debati:

Agron Gjekmarkaj: Ky fenomen u bë normale që kur Edi Rama ka marrë drejtimin e Partisë Socialiste. Bëhen kryebashkiakë njerëz problematikë sepse ata kanë para. Kryebashkiaku merr diku tek rreth 1 milionë lekë të vjetra dhe bëhet gjithë kjo luftë për të qenë kryebashkiak. Pse? Sepse ka interesa. Intelektualët nuk hyjnë në politikë, sepse duan lakenjtë që thonë o mbret, o pasha. Konkurrojnë njerëz që kanë lekë që të shtojnë paratë. Këta kanë përjashtuar intelektualin nga partia dhe kanë ulur horrat në politikë, sepse prodhojnë para.

Fatos Lubonja: Ore ke dëgjuar kryetar partie që vrasin, ke dëgjuar raste kur ka vrasje dhe shkarkohen të gjithë? Në Maltë ndodhi kjo.

Arian Vasjari: Pse kap Maltën? Pse nuk kap edhe 27 vende të tjera të BE që nuk ndodhi ajo që ka ndodhur në Maltë.

Fatos Lubonja: Ti thua nuk e kriminalizon dot PS-në. Ka parti të kriminalizuar. Pinochet çfarë ishte Pinochet?

Arian Vasjari: Nuk mund të kriminalizojë dot Partinë Socialiste. Europa e sotme i ka instrumentet për të mos lejuar një Hitler. Ti mendon se është kriminalizuar gjithçka, unë them ka shpresë.

Fatos Lubonja: Nëse del se ka shumë të kriminalizuar, partia është e kriminalizuar. Kjo është njësoj sikur të thuash hajduti do drejtësi. A ke parë hajdut që do drejtësi. Nuk je i bindur se Edi Rama nuk reflekton. Ti po thua ti bëjmë thirrje kësaj bande që të ndryshojë. Këtë thua. Vënia e kryebashkiakëve është forcimi i korrupsionit dhe kjo vazhdon në dëm të të gjithë shqiptarëve. Tirana është bastardizuar, tani kur do i them “Mjaft” unë këtij. Sipas teje, nuk duhet të themi “Mjaft”. Se dhe ai që thoshte “Mjaft” na është bërë kryetar bashkie sot.

Arian Vasjari: Unë them që zgjidhja është që palët të përballen. Po më thua një gjë të pavërtetë që t’i nënshtrohemi këtyre

Fatos Lubonja: Po ti këtë gjë po thua

“Duhej një mea cupla”, Vasjari: Në tryezë u ulën dy kultura të dështuara politike

Analisti Arjan Vasjari tha se palët politike duhet të kishin bërë fillimisht një ‘mea culpa’ për shqiptarët dhe vitin e tmerrshëm që krijuan në 2019, por në fakt treguan se në tryezë u ulën dy kultura të dështuara politike. Vasjari tha në emisionin “Real Story” në “News 24” tha se palët politike duhet që të njihnin faktin se viti 2019 kishte zhvillime të tmerrshme politike, ndërsa nënvizoi dhe gabimet e opozitës, ku në disa raste bie edhe në kundërshtim me veten.

“Unë jam skeptik. Në tryezë janë ulur dy kultura politike të dështuara. Nga njëra anë është kultura e dështuar e përfaqësuar jashtë institucioneve. Ndërsa Zoti Bushati këtu përfaqëson kulturën e përfaqësimit të vendit pa opozitën. Viti 2019 është bilanci i dështimit spektakolar në 28 vjet. 2019 ishte dështimi total. Në substancë nuk ka ndryshuar asgjë. Duhet që palët të thoshin se viti 2019 është një vit totalisht shkatërrues demokracie dhe palët duhet të mendonin për ndryshim. Palët nuk kanë thënë këtë gjë prandaj jam skeptik. Palët duhet që të kërkonin ‘mea culpa’. Edhe opozita ka gabimet e veta. Nëse opozita thotë se nuk ka zgjedhje të lira me Edi Ramën, pse ulet në tryezë me të? Ju jeni në kundërshtim me veten”, deklaroi Vasjari.

Atentati ndaj Ndojës: Drejtësia “viktimë”, përgjegjëse politika, përfitoi mafia

Analisti Arjan Vasjari e cilësoi atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja tipik mafioz, duke vërtetuar se tashmë vendi ka “mafien e saj autoktone”. Vasjari tha në emisionin “Real Story” në News 24 se ky atentat përshkruan në mënyrë simbolike se “në atë makinë udhëtonte shteti, krimi dhe populli, dhe siç ndodh gjithmonë populli vdes” duke iu referuar edhe vdekjes së shoferit të prokurorit Andi Maloku, i cili ndërroi jetë pasditen e të enjtes në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Vasjari tha se njerëzit e drejtësisë goditen vetëm për dy arsye ose kur luftojnë krimin ose kur bëjnë biznes me të. Analisti shtoi se nuk mund të akuzojë prokurorin se po bashkëpunon me krimin, por fakti që udhëton me të tregon se nuk po e lufton.

“Ajo çfarë ndodhi te mbikalimi i Shkozet, është për të shpjeguar Shqipërinë e sotme. Në atë makinë udhëtonte shteti, krimi dhe populli, dhe siç ndodh gjithmonë me popullin, populli vdes. Përmasa e asaj çfarë ka ndodhur është qartësisht përmasa e një ngjarjeje mafioze, tipikisht mafioze. Duhet të themi se tashmë Shqipëria në realitete të caktuara të saj, veçanërisht Durrësi, fenomeni mafioz ka pësuar një metamorfozë. Tani flitet për mafie të mirëfilltë. Ne duhet të themi “po, kemi një mafie autoktone, një mafie tonën”. Shpeshherë ngatërrohet krimi i organizuar me mafien. Mafia është një fenomen politiko-social i strukturuar, që bashkëjeton vetëm në bashkësinë e shtetit dhe të politikës. Në Shqipëri mafia është e kapitalizuar, është në shtet, në strukturat e drejtësisë, në politikë, në bashki, etj. Ajo që është shqetësuese, është se ne kemi dhe një kërkesë të madhe për mafiozët. Njerëzit e drejtësisë mund të goditen vetëm për dy arsye ose se luftojnë bizneset e krimit ose se bëjnë biznes me krimin, nuk ka rrugëdalje tjetër. Unë nuk e di që Ndoji është duke bërë biznes me krimin, ama të udhëtosh me krimin është provë e qartë se nuk je duke i luftuar”- tha Vasjari.

Ndërkohë, Arian Vasjari shtoi se sistemi i drejtësisë është “viktimë” në këtë histori. Sipas tij, përgjegjëse kryesore është politika. Përplasjet e saj me sistemin e drejtësisë, krijuan vakumin që tashmë po shfrytëzohet nga mafia, e cila zgjidha ato probleme që nuk i zgjidh drejtësia dhe politika,

“Për mua sistemi i drejtësisë është “viktimë” në këtë histori. Fajin kryesor e ka politika. Unë them që ka një rritje të fenomenit mafioz vitet e fundit. Kjo ka ndodhur sepse s`kishte unitet mes politikës dhe sistemit të drejtësisë. Unë mendoj se ky vakum është shfrytëzuar nga fenomeni mafioz. Atë që nuk e zgjidhte politika apo sistemi i drejtësisë, e zgjidhte fenomeni mafioz.  Është një konflikt jo parimor mes politikës dhe të drejtës. Për të thënë është parimor ose jo, do të duhet të presim deri sa të krijohet SPAK. Ky është një shtet brenda shtetit, që e kanë marrë në dorë ata që e kanë marrë. Unë për këtë jam optimist”, tha Vasjari.

Mungesa e drejtësisë dhe lidhjet e krimit me politikën janë arsyet se pse ndodhin atentate tipike mafioze në vend si ai ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Analisti Skënder Minxhozi e cilësoi atentatin ndaj prokurorit si ngjarje që erdhi nga një drejtësi e munguar. Minxhozi tha se njerëzit e drejtësisë janë të përlyer dhe se për shkak të kësaj askush nuk shkon në burg apo dënohet. Në emisionin “Real Story” Mnixhozi tha se vendi është bërë më keq se jugu i Italisë në vitet 1970 dhe shoqëria është e kriminalizuar në një shkallë shumë të lartë. Sipas Minxhozit shpëtim mund të shihet vetëm te drejtësia e re, por që shprehu rezerva për procesin e Vetingut

“Duket sikur jetojmë në jug të Italisë në vitet ’70, sepse kemi të vrarë. Këtu tek ne është më pak e lavdishme, sepse njerëzit e drejtësisë janë të përlyer. Kjo është një ngjarje e mbartur nga një drejtësia e munguar. Kjo tregon se sa thellë ka hyrë në indin njerëzor krimi dhe kriminalizimi. Kjo shoqëria është e kriminalizaur në një shkallë shumë ta lartë. Këtu nuk hyn askush në burg, por dalin të gjithë të pafajshëm. Nuk hyn njeri në burg që vjedh vota. Drejtësia e re duhet të bëjë drejtësi. Tek kjo kemi të vetmen shpresë, përndryshe do të shkojmë të gjithë në Gjermani te Merkel. Vettingu nuk po sitë mirë dhe imët ata që kalojnë matanë. Unë kam dyshimin se nuk është një sitë kaq e imtë dhe e kujdesshme. Nuk e shoh çështjen politikisht, por teknikisht. Edhe ata që po kalojnë vettingun kam përshtypjen se nuk janë të gjithë të virgjër”-tha Minxhozi.

Mungesa e drejtësisë që sjell akte të tilla u mbështet edhe nga analisti Alfred Lela, i cili tha se ngjarje të tilla i kemi parë më herët edhe në Shkodër, Vlorë e Durrës. “Kjo ngjarje bëri bashkë 3 pika kryesore që janë çështja e pronave, drejtësia e munguar dhe infektimi i zgjedhjeve. Më pëlqeu metafora e Vasjarit, që në fund populli e ha. Këtu te ne është populli që e ha në këtë film që është vënë në skenë nga politika dhe drejtësia.” tha Lela

Analisti Robert Rakipllari tha se kjo çështje vjen si pasojë e “tranzicionit’ që po kalon drejtësia nga e vjetra drejt të resë. “Këto ngjarje janë efekt i reformës në drejtësi ku krimi, prokurorët dhe politika po mundohen t’i zgjidhin sa më shpejtë çështjet që të mos mbeten në dorë të drejtësisë së re që po vjen. Kjo drejtësi “tranzitore” që kemi aktualisht është më qesharake se ajo që kishim. Krimi është i lidhur me drejtësinë e politikën, të paktën në nivel qendror. “Rrumi” e tregoi këtë.” tha Rakipllari./ Real Story/

“Parlamenti është ilegjitim” Kryemadhi përplaset me Vasjarin

Legjitimiteti i Kuvendit dhe deputetëve të rinj të opozitës ka përplasur kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi me analistin Arjan Vasjari në studion e emisionit ‘Real Story”.

Kryemadhi theksoi se parlamenti është ilegjitim pasi nga 140 deputetë në fakt ka vetëm 122 dhe se procedura e emërimit të tyre është bërë kundër rregullave.

Kuvendi është ilegjitim pasi nga 140 deputetë sot ka 122. Gjithashtu mënyra e emërimit të tyre duhej bërë një nga një ashtu siç duheshin thirrur edhe deputet e larguar një nga një. Por procedurat nuk janë respektuar dhe emërimi i tyre është bërë në bllok duke u përshpejtuar.” tha Kryemadhi

Ndërsa për analistin Arjan Vasjari, Kuvendi është legjitim dhe çdo deputet i zgjedhur nga listat emërore të partive janë legjitimë. Ndërsa në lidhje me legjitimitetin moral, Vasjari tha se çdokush e mendon në mënyrë të ndryshme.

Parlamenti është legjitim. Të gjithë ato që janë atje brenda janë legjitim. Ata që kanë dalë nga lista emërore e partive janë legjitim atje ku janë në parlament. Në kuptim të çështjes morale atëherë çdo njeri prej nesh ka një mendim të caktuar.”- tha Vasjari / Real Story

“Ndërhyrjet në reformë rekord”, Vasjari: Zgjedhorja nuk zgjidh krizën

Analisti Arjan Vasjari tha se nuk e shikon Reformën Zgjedhore si një zgjidhje të krizës në vend, pasi për të problemi nuk qëndron te pushteti, por te sistemi. Vasjari tha se Shqipëria ka një shifër rekord për ndërhyrjet në reformën zgjedhore dhe deri më sot vijon të ketë probleme dhe të mos gjejë zgjidhje. Për këtë arsye, Vasjari thekson se kriza nuk është e pushtetit, por është e sistemit.

Zgjidhja e krizës nuk është reformë zgjedhore siç tha Basha, unë se besoj. Pse? Në 27 vite kemi ndërhyrë 13 herë në reformën zgjedhore. Deri sa vijojmë të jemi ende në këtë gjendje atëherë nuk mund të besoj se ky ndryshim i ri do të zgjedh zgjidhjen që presim. Nëse vazhdojmë të bazohemi tek vullneti politik atëherë kemi një sistem zgjedhjesh që ikën njëri, vjen tjetri dhe nuk ndryshon asgjë. Në këtë rast dalim në përfundimin se nuk kemi krizë pushteti këtu, por jemi në një krizë sistemi.” tha Vasjari

Në lidhje me negociatat, Vasjari theksoi se hapja e tyre “ është oksigjeni që nuk do zgjidh probleme në themel, por do imponojë klasën politike të zbatojë rregullat. Ndërsa marrja e një “jo” do të ishte deprimuese për vendin” / Real Story

Skip to toolbar