Policia e Lushnjës ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikit, nisur mes tre adoleshentëve në fshatin Dushk të kësaj bashkie. Sipas komunikatës së policiës, mësohet se gjatë të enjtes, në fshatin Dushk kishte nisur një konflikt fizik mes tre adoleshentëve.
Pas marrjes së njoftimit policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka konstatuar se midis shtetasit A.M., 16 vjeç dhe shtetasve E.N., 14 vjeç dhe F.R., 14 vjeç, kishte ndodhur një konflikt për motive të dobëta. Gjatë konfliktit shtetasit E.N dhe F.R në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin qëlluar me mjete të forta shtetasin A.M.
Me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit dhe të ndonjë ngjarjeje të mundshme kriminale, policia shoqëroi në ambientet e Komisariatit të Policisë Lushnjë për veprime të mëtejshme adoleshentët, si dhe ushtroi kontroll në banesat e tyre.
Si rezultat i kontrollit, në banesën e shtetasit A.M u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri automatik me një krëhër dhe 9 fishekë. Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, arrestuan në flagrancë shtetasin A.M., 16 vjeç, banues në Lushnjë.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” në ngarkim të shtetasit A.M dhe “Plagosja e lehtë me dashje” në ngarkim të shtetasve E.N dhe F.R.