Basha: Protestuesit e arrestuar, të burgosur politik

Basha, gjatë fjalës së tij për mediat, nuk la pa përmendur edhe protestuesit e arrestuar dhe të dënuar me masë “arrest me burg” nga gjykata ditën e sotme. “Ju jeni të burgosur politik të një regjimi monist” tha Basha, i cili shprehu mirënjohje për sakrificën e tyre duke thënë se gjyqtari që dha këtë masë nuk do t’i shpëtojë drejtësisë.

“Zemra e protestës vazhdon të jetë kryeqyteti. Dua t’i shpreh mirënjohje, sidomos rinisë. Ata e kuptojnë se kjo është një ngjarje që do të ndryshojë njëherë e mirë Shqipërinë. Vendin tonë nuk do e lëmë në dorën e një njeriu që ka marrë peng Shqipërinë, ka marrë peng të ardhmen e shqiptarëve. Një mesazh kam edhe për ata që hynë në burg për protestat. Vëllezër dhe motra që sakrifikuat, ju jeni sot të burgosur politik të një regjimi monist. Ju siguroj se dhunuesit tuaj do vendosin përpara përgjegjësisë. Përpara drejtësisë, do të vendoset babai i nënkryetarit të FRESSH, gjyqtari që la në burg 20 protestues. Këtij gjyqtari i them se nuk do të shpëtojë nga drejtësia. Ne nuk lejojmë që kjo qeveri të bëjë reformën sipas orekseve politike të saj. Pushteti absolut korrupton absolutisht.” – tha Basha

Protesta e dhunshme e 11 majit, jepet masa për 50 protestuesit

Gjykata e Tiranës ka dhënë ditët e sotme masën për 50 protestuesit e arrestuar më 11 maj, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

Gjykata vendosi për 20 protestuar masën “arrest me burg”, ndërsa për 11 të tjerë vendosi “arrest shtëpie”. Ndërkohë që për 19 protestues gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Në protestën kombëtare të opozitës më 11 maj, pati një përshkallëzim të saj duke çuar në përdorim të dhunës dhe bombave molotov. Protestuesit i vunë flakën derës së Kryeministrisë dhe zyrave të Kuvendit, ku më pas u zhvendosën para Parlamentit dhe Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku incidentet e tjera nuk munguan.

Cërrik, plagos nipin, arrestohet 57 vjeçari

Një person është arrestuar nga policia e Cërrikut pasi akuzohet për dhunë në familje. Arrestohet shtetasi me iniciale N.K., 57 vjeç, banues në fshatin Shkozë, të Belshit, pasi për motive të dobëta ka goditur me sende të forta nipin e tij shtetasin: M.K., 34 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Elbasanit jashtë rrezikut për jetën.

Materialet hetimore kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë Elbasan, për veprën penale ” Dhuna në familje”.

Ndalohet gomonia me drogë, arrestohen 2 shqiptarë

Policia italiane ka bërë të mundur ndalimin e një gomone pranë brigjeve të San Cataldo, në bordin e së cilës gjendjej një sasi e madhe droge. Në gomone u sekuestruan 400 kg marihuanë dhe hashash, ndërsa ranë në pranga dy shtetas shqiptarë, të cilët po transportonin drogën. Gomonia u identifikuar sapo kaloi kanalin e Otrantos, ndërsa u monitorua nga policia italiane deri në kapjen e saj në brigjet e San Cataldos.

Ngarkesa vinte nga Ballkani dhe kapte në treg një vlerë prej 4 milionë euro. Droga ishte e ndarë në 14 poko të mëdha dhe ndodheshin në një gomone e gjatë 6 metra.

Dy shqiptarët pritet të dënohen për veprën penale “Trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike.”

Qendër lojëra fati në bodrumin e shtëpisë, një i arrestuar

Policia e Dibrës ka bërë të mundur arrestimin e një personi gjatë operacionit të koduar “Monitori”, i cili zhvillonte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Policia arrestoi shtetasin A.T., 25 vjeç, pasi sipas informacioneve ushtronte në mënyrë të kundraligjshme aktivitetin e lojërave të fatit në bodrumin e një apartamenti.

Në cilësinë e provës materiale u konstatuan 17 kompjuterë për lojëra fati, çipsa dhe aksesorë të tjerë që shërbenin për të ushtruar këtë veprimtari të kundraligjshme.

Materialet hetimore do t’i referon Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

Trafikonin qenie njerëzore, 5 të arrestuar, mes tyre një polic

Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesa (SHÇBA) ka arrestuar 5 persona, mes të cilëve ehde një efektiv policie. Të arrestuarit kanë ndihmuar 19 shtetas të huaj për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

SHÇBA finalizoi goditjen ndaj këtij grupi, në hyrje të qytetit të Pogradecit rreth orës 23:50. Shërbimet ndaluan 19 shtetas të huaj, me shtetësi kurdë dhe sirianë, të cilët po transportoheshin drejt Tiranës me mjete që drejtoheshin nga shtetasit shqiptarë E.A. dhe T.H.

Shtetasit e huaj kanë hyrë nga kufiri i gjelbër në zonën e Devollit dhe në afërsi të fshatit Trestenik janë marrë me makina nga shtetasit E.A. dhe T.H. Punonjësi i Policisë, J.Z. (trup shërbimi në Komisariatin e Elbasanit) dyshohet se kishte rolin e kontrolluesit të rrugës. Shtetasit M.A. dhe K.M. ishin shoqërues.

Në këtë aksion të SHÇBA-së u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 automjete, aparate celularë dhe 120.000 lekë. Mbi shtetasit e arrestuar është ngritur akuza për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit, kryer në bashkëpunim”.

Goditet grupi kriminal, 11 të arrestuar

11 persona kanë përfunduar në prangat e policisë, të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike. Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “BISTRICA 2019”, për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal për trafik të lëndëve narkotike drejt Greqisë.

Pas një hetimi pro-aktiv, përgjatë një harku kohor disa mujor u arrestuan në flagrancë shtetasit: E.Xh., 29 vjeç, G.L., 41 vjeç, A.Xh., 40 vjeç, dhe E. L, 28 vjeç, të katërt banues në Fier, P.K., 49 vjeç, B.K., 55 vjeç, E. A, 43 vjeç, të tre banues në banues në Patos-Fier dhe A.M., 47 vjeç, S .D., 43 vjeç, F.L, 21 vjeç dhe G.S., 27 vjeç, të katërt banues në Fier.

Personat e mësipërm në bashkëpunim me njeri-tjetrin u kapën në flagrancë duke trafikuar në drejtim të Greqisë një ngarkesë prej rreth 79 kg lëndë narkotike të llojit “Canabis Sattiva” që ishte e fshehur në vende të krijuara posaçërisht në automjetin që drejtohej nga shtetasi G.L.

Në kuadër të këtij procedimi me datë 05.04. 2019, në Kapshticë, është arrestuar në flagrancë shtetasi G.Gj, 38 vjeç, me banim në Lushnje, i cili u kap duke transportuar për në drejtim të Greqisë rreth 68 kilogramë kg lëndë narkotike të llojit “Canabis Sattiva” të cilën e kishte fshehur në vende të krijuara posaçërisht në automjetin “Toyota” që drejtohej prej tij.

Personat e arrestuar dhe te ndaluar kanë konsumuar elementët e veprave penale ”Trafikim të lëndëve narkotikëve”, ”Grup i Strukturuar Kriminal”, në bashkëpunim.

Gjatë operacionit u arrestua në Mallakastër dhe shtetasi H. L, 52 vjeç, banues në Greshicë, Mallakastër, pasi gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 2 armë gjahu pa leje, 1 armë zjarri automatike me 2 krehra me 60 fishekë si dhe 1 gjerdan me 30 fishekë.

Si rezultat i kontrolleve të zhvilluara në tërësi u sekuestruan:

-145.6 kg lëndë narkotike e llojit “cannabis sativa”;
-4 automjete te markave te ndryshme;
-Një sasi vlerash monetare
-14 aparate celularë me kartat SIM të markave të ndryshme.
-3 amë zjarri dhe municion luftarak.

Nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer nga ky grup kriminal.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/365239864199480/

Pogradec, kalonte emigrantë në kufi me lekë, një i arrestuar

Specialistët e Seksionit për Krimet, në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit me iniciale E.B, 40 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas u kap në fshatin Lin, me mjetin minibus tip “Mercedes-Benz”, duke transportuar drejt Kosovës kundrejt shumës 50 Euro për person, 14 shtetas të huaj.

40 vjeçari do të gjykohet për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.

Kokainë në pyll, arrestohen dy shqiptarë

Dy shqiptarë kanë përfunduar në prangat e policisë italiane, të cilët akuzohen për trafik droge në sasi të mëdha.

Shqiptarët e moshave 52 dhe 33 vjeç, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, janë arrestuar nga një patrullë policie, që kanë kontrolluar mjetin e tyre.

Në makinë, në sediljen e pasme u gjetën 600 gr kokainë, 14 mijë euro, dy qese heroinë, që përmbanin rreth 5 gram substancë dhe 5 telefona celularë, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Operacioni u realizua në zonën midis pyjeve të Marnate dhe Castellanza, ndërsa po hetohet për personat e tjerë të përfshirë në trafikimin e drogës.

Shpërndante drogë tek Pedonalia, një i arrestuar

Policia e Kavajës ka bërë të mundur arrestimin e një personi, i cili shiste drogë në sasi të vogla në zonë të ndryshme të qytetit.

Gjatë operacionit të koduar “Pedonalia” arrestohet shtetasi me iniciale N.B,,51 vjeç, lindur në Kavajë.

51 vjeçari u arrestua në flagrancë në një lokal në Pedonalen e qytetit të Kavajës dhe gjatë kontrollit fizik dhe në banesë iu sekuestruan 27 doza kokainë, 740.000 lekë, 1000 euro, dy aparate celulare dhe një automjet që shpërndante lëndën narkotike.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Skip to toolbar