Akuzat e PD, Patozi: Asgjë s’na ndalon të garojmë më 30 qershor

Astrit Patozi ka reaguar me fakte në lidhje me akuzat që PD ka bërë për pavlefshmëri të kandidatëve të Bindjes Demokratike. PD tha më herët se kandidatet e partisë Bindja Demokratike janë false, pasi nuk mbështeten në mandat deputeti në të paktën 6 muajt e fundit.

Në reagimin e tij Patozi tha se në fakt jo një po dy deputetë kanë firmosur në mbështetje të Bindjes Demokratike duke treguar edhe një dokument ku ka firmosur Lefter Koka.

“Sqarojmë publikun se BINDJA DEMOKRATIKE mbështetet jo nga një, por nga firmat e dy deputetëve për të garuar dhe kandiduar në gjithë Shqipërinë. Ata janë zotërinjtë Lefter Koka dhe Andi Përmeti, dhe për këtë ekziston e gjithë praktika e depozituar në KQZ.” – shkruan Patozi

Gjithashtu Patozi tha se Basha të mos merret me ndjekjen dhe përgjimin e Bindjes Demokratike, pasi ajo është e krijuar sipas ligjit dhe afateve kohore të përcaktuara nga ai.

Postimi i plotë

ASGJË NUK E NDALON BINDJEN DEMOKRATIKE TE GAROJË MË 30 QERSHOR

E vetmja gjë që e mban në këmbë për të mos ikur me vrap, si tek protesta e fundit, partinë e vetëdjegur të Lulzim Bashës është urrejtja dhe meraku që ka për BINDJEN DEMOKRATIKE. Në fakt, ne ua kuptojmë hallin, por nuk i ndihmojmë dot.
E vetmja punë që ata bëjnë qysh nga data e krijimit të forcës sonë politike është që të na ndjekin dhe përgjojnë, për çdo fjalë që themi dhe çdo veprim që bëjmë, por ne nuk shqetësohemi fare nga kjo. Përkundrazi, e konsiderojmë si reklamë falas për një parti të re.
Sot paskan shpikur që kandidatët tanë qenkan të paligjshëm, sepse nuk u mbështetkan nga një mandat deputeti në të paktën 6 muajt e fundit.
Sqarojmë publikun se BINDJA DEMOKRATIKE mbështetet jo nga një, por nga firmat e dy deputetëve për të garuar dhe kandiduar në gjithë Shqipërinë. Ata janë zotërinjtë Lefter Koka dhe Andi Përmeti, dhe për këtë ekziston e gjithë praktika e depozituar në KQZ. Më poshtë, fotokopja e shkresës së protokolluar.
Por përgjuesit tanë të palodhur bëjnë sikur nuk e kanë parë këtë dhe flasin për paligjshmëri.
Dhe që ta mbledhin mendjen një herë e mirë e mos të lodhen kot, duke u përpjekur çdo ditë të na kapin në gabim, po u themi sot se BINDJA DEMOKRATIKE i ka kapur të gjitha afatet dhe detyrimet ligjore për të konkurruar në 26 bashki me kandidatë për kryetar dhe në rreth 55 të tilla për lista këshilli. Madje në shumë raste ne kemi pasur edhe firmat e qytetarëve të disa bashkive, përvec atyre të deputetëve, të cilat ishin kriter i mjaftueshëm, sipas ligjit.
Si përfundim, i ftojmë që të qetësohen ata që kanë zgjedhur të na ndjekin ne, e të mos hyjnë vetë në zgjedhje. Ata nuk do të na pengojnë dot kurrë që ne të marrim pjesë dhe të garojmë në procesin e pandalshëm të 30 qershorit.

Rrëzohet padia. Regjistrimi i partisë së Patozit, i ligjshëm

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar ditën e sotme, padinë e bërë nga Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar për ligjshmërinë e  Partisë Bindja Demokratike, të Astrit Patozit.

Kolegji Zgjedhor vendosi se regjistrimi i Bindjes Demokratike është në përputhje me ligjin. Fill pas këtij vendimi ka ardhur reagimi i Astrit Patozit i cili shkruan se ky ishte stërkëmbëshi i fundit që PBD kapërceu dhe tashmë ajo është e fokusuar tek zgjedhjet.

“BINDJA DEMOKRATIKE kapërceu sot edhe stërkëmbëshin e fundit të atyre, që i trembeshin më shumë pranisë së saj, se sa mungesës së tyre në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Tanimë, jemi tërësisht të fokusuar tek gara për të treguar se jemi realisht fryma e re dhe shpresa e vetme për ndryshim në këtë vend. Keqardhje për ata që u përpoqën më kot të na pengonin në të drejtën tonë për t’u ofruar shqiptarëve një projekt të ri politik, krejtësisht të ndryshëm nga “Rilindja” e korruptuar dhe nga opozita e dëshpëruar, e cila paralajmëron përplasje civile për të mbuluar vetëvrasjen e vet politike.

BINDJA DEMOKRATIKE po vjen si ortek vullnetesh shpërthyese shqiptarësh të lirë, të cilët nuk e kanë humbur besimin se ky vend mund të bëhet prej nesh vetë. Zoti e bekoftë BINDJEN e qeverive dhe të politikanëve ndaj popullit”, shkruan Patozi.

“Nëse nuk merr pjesë në zgjedhje, PD mund të shkrihet”

Ish nënkryetari i Partisë Demokratike, tashmë themelues i partisë më të re Bindja Demokratike, Astrit Patozi ishte mbrëmë i ftuar në RealStory të gazetarit Sokol Balla. Në këtë emision, Patozi tha se nëse PD nuk merr pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, ka shumë mundësi të shkojë drejt shkrirjes si parti.

“PD mund të shkrihet nëse nuk merr pjesë në zgjedhje. Dhe mua më dhimbset ajo parti dhe nuk dua që ta shoh në atë gjendje”, tha Patozi.

I pyetur për akuzat e Bashës se zgjedhjet 2017 u manipuluan nga qeveria, Patozi tha se nuk qëndrojnë pasi deformime rezultati ka pasur edhe herë të tjerë dhe më keq se kaq.

“Zgjedhjet e vitit 2017 janë deformuar por nuk janë ato zgjedhjet e para që janë deformuar ne Shqiperi. Nuk kane qene ato zgjedhjet me te keqija ne Shqiperi”, tha Patozi i cili akuzoi Bashën se është i pabesueshëm kur del në krah të LSI, një forcë të cilën atëherë e quante organizate kriminale.

“Basha betejën e tij politike ne vitin 2017 e kishte kundër LSI që e etiketonte si organizate kriminale. Ku është morali i tij tani?”, tha Patozi në RealStory.

Hajdari lidere e Bindjes Demokratike? Patozi e sqaron njëherë e mirë

Pas krijimit dhe regjistrimit të partisë më të re në vend “Bindja Demokratike”, ka folur për herë të parë Astrit Patozi, që është njëherësh edhe koordinatori i saj.

Gjatë një interviste në “Top Talk” Patozi foli rreth idesë së krijimit të kësaj partie, emrit që mori dhe qëllimeve që ajo ka. Patozi shpjegon se kjo nisje nuk ishte personale, por një ide e vjetër dhe bashkëpunim i një grupi të madh njerëzish.

“Bindja demokratike është ëndrra e një grupi shumë të madh njerëzish, nuk është projekt personal, të cilët kanë lexuar siç duhet urinë e publikut shqiptar për të pasur një gjë të re dhe të shndërrohet në një lloj modeli. Ne mendojmë që bindja demokratike që ekziston te vendet e Evropës Perëndimore është ajo që mban në këmbë politikën në shërbim të interesit publik, që mban në këmbë institucionet e shëndosha. Kjo shoqëri ka nevojë që të krijojë një bindje demokratike. Ne jemi një ofertë politike që do të përpiqet që t’i jap një vizion tjetër kësaj shoqërie.” – tha Patozi

Patozi foli edhe për qëndrimin që deputetja Rudina Hajdari mbajti në lidhje me krijimin e kësaj partie dhe rolin që ajo ka pasur në të. Patozi tha se ka një respekt të madh për qëndrimin politikë të deputetes Hajdari dhe se ajo asnjëherë nuk ka kërkuar që të jetë liderja e saj.

“E rëndësishme është ideja dhe qëndrimi dhe jo njeriu. Ne kemi pasur një dakortësi shumë të madhe për nevojën që ka Shqipëria për një politike të re. Unë dhe zonja Hajdari kemi shumë qëndrime të përbashkëta, por sigurisht në këtë projekt politik ka nevojë për dëshirë në radhë të parë dhe më pas secili bën kalkulimet e veta. Zonja Hajdari është e ftuar, ashtu si kushdo tjetër, të cilët e mendojnë Shqipërinë si ne, të kenë vendin e tyre te Bindja Demokratike. Rudina nuk ishte krijuese e idesë së partisë së re, kjo ishte një ide e vjetër e shumë njerëzve. Hajdari ishte një inspiruese e idesë që Shqipëria ka nevojë që forcat politike të shkojnë në zgjedhje. Ajo e konsideron të papranueshme që disa forca politike të mos hyjnë në zgjedhje. Hajdari nuk kishte asnjë qëllim të ishte liderja e Bindjes Demokratike.”- ka thënë Patozi.

Patozi tha gjithashtu se kjo parti ka ardhur si një ide revolucionare për të bërë modelin e kundërt të politikës që ndiqet aktualisht. “Nuk mund të kishim një lider partie, ndërkohë që nuk kishin fare parti. Bindja Demokratike ka lindur me qëllimin që të mos jeta partia e liderit, përndryshe nuk do të ekzistonte fare.”

Përse vjen Bindja Demokratike? Astrit Patozi e shpjegon gjërë e gjatë

“Bindja Demokratike është ide, nuk është pronë, as biznes apo njeri”. Kështu e nis shkrimin e tij të gjatë në Facebook, Astrit Patozi, i cili sot regjistroi në gjykatë partinë më të re, Bindja Demokratike.

Ish nënkryetari i PD-së, një ndër kritikët më të fortë të kreut aktual të kësaj partie, së bashku me të tjerë kundërshtarët të Bashës krijuan sot partinë Bindja Demokratike. Patozi shkruan se kjo parti “ka lindur nga bindja e fortë e qytetarëve të lirë të këtij vendi për një projekt të ri politik.

Bindja Demokratike është dhe do të jetë një ofertë serioze dhe tërësisht e pavarur, sa herë që të ketë zgjedhje në Shqipëri.

Bindja Demokratike është frymë dhe alternativë e re, në një shoqëri, ku monopoli partitokratik po vret konkurrencën dhe ka kufizuar lirinë e zgjedhjes për qytetarët.

Ne jemi të bindur se Shqipëria sot po vuan pasojat e një polarizimi politik, që e ka zanafillën tek vrasja e demokracisë brenda dy partive të mëdha dhe tek konsolidimi i një sistemi mbytës, që garanton palët rivale për mosndëshkueshmëri dhe mbijetesë politike, kundër çdo projekti të ri”, shkruan Patozi.

Për ta lexuar të plotë shkrimin e tij klikoni në linkun më poshtë:

PËRSE VJEN BINDJA DEMOKRATIKE?Bindja Demokratike është ide, nuk është pronë, as biznes apo njeri.Ajo ka lindur nga…

Publiée par Astrit Patozi sur Mardi 23 avril 2019

Astrit Patozi regjistron partinë e re në gjykatë. Emrat që i bashkohen nga PD

Ish nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi ka regjistruar sot partinë e re Bindja Demokratike në Gjykatën e Tiranës, duke i hapur rrugën pjesëmarrjes së saj në zgjedhjet e 30 qershorit.

Ideja për krijimin e kësaj partie ishte e Rudina Hajdarit, por ajo u tërhoq për shkak se grupi i ri parlamentar i PD-së nuk pranoi krijimin e një franksioni të PD-së, ku pjesë e së cilës të ishte edhe Patozi.

Mësohet se partisë së Astrit Patozit i janë bashkuar disa emra nga PD, siç janë Fabjan Topollaj dhe Leonard Olli, të cilët deri pak muaj më parë kanë qenë anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, përfaqësues të Partisë Demokratike.

Të dy kanë dhënë dorëheqjen dhe janë larguar nga Këshilli.

Gjithashtu mësohet se Bindja Demokratike nuk do të ketë një kryetar të mirëfilltë, por do të ketë një bord drejtues të përbërë nga 6 anëtarë. Të shohim çdo të ndodhë më vonë me këtë parti.

Ish drejtuesi i PD i kthen kurrizin Bashës dhe uron Rudina Hajdarin

Rudina Hajdari është zgjedhur Kryetare e Grupit Parlamentar të deputetëve të rinj që janë futur rishtas në parlament nga lista e PD-së. Ajo sapo ka marrë urimin e parë nga ish nënkryetari i kësaj partie, Astrit Patozi i cili e këshillon që të bëjë një opozitë të fortë dhe të denoncojë qeverinë e korruptuar në mbrojtje të interesit publik.

Patozi njihet si një kritik i ashpër i kreut të PD-së Lulzim Basha, ndonëse e ka bërë të qartë se nuk do të krijojë vetë një parti të re demokratike, por ka lënë të hapur mundësinë t’i bashkohet një lëvizje për reformimin e PD-së. Ndoshta mund të jetë ky rasti.

“ME KËMBË TË MBARË!

Urimet më të mira dhe suksese Grupit Parlamentar Demokrat!

Opozitë të fortë dhe denoncim të qeverisë së korruptuar, në mbrojtje të interesit publik. Përfaqësim dinjitoz të zgjedhësve në parlament dhe përgatitje e alternativës së re për qytetarët shqiptarë.

Fantastike kauza për ndryshimin dhe riformatimin e sistemit politik në Shqipëri, si rruga e vetme për ta nxjerrë shoqërinë nga nofullat e partitokracisë, e cila ushqen korrupsionin, autoritarizmin, padrejtësisë, abuzimin me pushtetin, dhe mbi të gjitha deformon hapur dhe qartë vullnetin e qytetarëve.

Beteja dhe fitorja e kësaj kësaj kauze është parakushti kryesor për zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Me këmbë të mbarë!”, shkruan Patozi në Facebook.

Skip to toolbar