“Gjermanët ushqenin rreth 15600 ballistë”. Kasmi: Ja pse janë të besueshme shifrat

Historiani Marenglen Kasmi publikoi dokumente exclusive në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, që hedhin dritë mbi pushtimin nazist të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kasmi solli në “Real Story” dokumentet origjinale të ushtrisë gjermane, që përshkruajnë aksionin e tyre 14 mujor në Shqipëri. Ndër dokumentet janë dhe ato që hedhin dritë mbi trupat nacionaliste shqiptare që kanë bashkëpunuar me gjermanët. Sipas historianit Kasmi, në dokumentet gjermane evidentohen se janë rreth 15600 trupa të ndara në 77 çeta të Ballit Kombëtar, si forca aleate të gjermanëve në Luftën e Dytë Botërore.

“Kjo është një listë, janë grupime sigurie dhe banda, se kështu i quanin, të cilët bashkëpunojnë me Gjermanët. Këto janë banda me qëndrim pritës, qëndrim neutral. Abaz Kupi kishte forcë nga 500 deri në 3000 mijë. Po ti referohemi listës, trupat që bashkëpunojnë me gjermanët, janë 77 çeta të Ballit Kombëtar me afërsisht 15 mijë e 600 burra. Janë sipas zonave dhe rajonit ku ato luftojnë. Për të gjitha këto trupa, në ditarin luftarak të forcave gjermane janë të pasqyruara”, u shpreh Kasmi.

Po a janë të besueshme këto shifra? Marenglen Kasmi tha se shifrat janë të besueshme për arsyen e vetme se këto çeta furnizoheshin nga gjermanët me armatime, ushqime dhe veshje. “Nuk ka komandat ushtarak që gënjen dot kur vjen puna në këtë pikë. O i ke njerëzit në rresht ose nuk i ke. Mund të ketë brenda kësaj liste dhe gjëra që mund të lëviznin. Ne e dimë që Abaz Kupi ka patur rreth 2000 forca të llogaritura. Për sa i përket këtyre forcave unë mendoj se janë forca që ushqeheshin nga gjermanët. Këto armatoseshin, visheshin, ushqeheshin nga gjermanët. Është listë e mbledhur nga të gjitha trupat që raportonin. Po të shikohet janë të ndara sipas zonave. Unë them që kjo shifër është e përafërt, sepse mund të gjesh dhe elementë që mund të jenë të lëkundur”, tha Kasmi.

Më tej, Marenglen Kasmi dha dhe argumente të tjera që tregojnë se gjermanët pas operacionit të qershorit 1944, njohin Ushtrinë Nacional Çlirimtare jo më si banda komuniste, por brigada të strukturuara. Sipas tij, në momentin që ushtria çlirimtare u fuqizua, Balli Kombëtar humbi mundësinë që të dilte si forcë politike. “Mbas qershorit të 1944 gjermanët nuk flasin më për banda komuniste, por flasin për brigada për struktura më të organizuara. Dhe për gjermanët kjo forcë shihet si e tillë. Edhe në pikëpamje të luftës politike në Shqipëri kjo është e qartë. Në këtë moment Balli Kombëtar e humbi mundësinë të dilte si forcë politike”, tha historiani Kasmi. /Realstory.al/

Skip to toolbar