Ish-kryeministri grek: Ballkani, ende vrimë e zezë në Europë

Ish-kryeministri grek Kostas Karamanlis e cilësoi rajonin e Ballkanit si të paqëndrueshëm dhe një ‘vrimë të zezë” në hartën e Europës, pavarësisht se ka kaluar 20 vite nga lufta e fundit në rajon.

Ka ende re në rajon. Ballkani Perëndimor, 20 vjet pas luftës së fundit në rajon, për fat të keq mbetet një vrimë e zezë në hartën evropiane. Po, nuk ka konflikte të përgjakshme si në këtë kohë, por situata në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Shqipëri, në veçanti, është duke ngecur apo edhe duke u kthye.” tha Karamanlis

Karamanlis kritikoi ashpër vendimin e BE për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa theksoi se dy vendet duhet të ecin para me reformat. Ish kryeministri grek u ndal edhe tek minoriteti grek në Shqipëri, duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre si pjesë e integrimit.

“Keqardhje që negociatat nuk u hapën, por dy vendet duhet të bëjnë përpara me progresin e reformave. Mbrojtja e të drejtave të pakicës etnike greke është e rëndësishme. Pa zbatimin e standardeve evropiane për këtë çështje dhe pa përmbushjen e detyrimeve të saj, Shqipëria nuk mund të presë përfundimin e kursit të saj evropian,” tha Karamanlis.

Kritikat ndaj Francës, Macron me ofertë të re për Ballkanin?

Franca po përballet me presione të shumta dhe sulme nga liderët e BE, pas vetos së vendosur për bllokimin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. E ndodhur në këto kushte dhe pas “masakrimit” nga eurodeputetët që mbështesin hapjen e negociatave, Macron duket se kërkon të gjejë një tjetër zgjidhje për rajonin e Ballkanit “jo anëtarësim të plotë të tij” por krijimin e një “partneriteti të veçantë të privilegjuar”.

Sipas gazetës serbe “Nezavisne”, Macron po zhvillon takime diplomatike jozyrtare për të ofruar partneritet të veçantë të privilegjuar për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të zëvendësojë kërkesën e tyre me një anëtarësim të plotë.

Ai kërkon t’u ofrojë përmes këtij “partneriteti të privilegjuar” mbështetja financiare, partneritet speciale për qasje në tregjet evropiane dhe përfitime të tjera, në këmbim të një tërheqje të heshtur nga ana e Ballkanit Perëndimor për kërkesën e tyre për anëtarësim të plotë në BE.

Një partnerit i tillë sipas gazetës “Nezavisne, thuhet se i është ofruar edhe Turqisë 10 vite më parë nga Gjermania, por ajo u pa si një mënyrë elegante e heqjes dorë nga pranimi i Turqisë në BE.

Në shkrim thuhet se kjo është arsyeja pse zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut janë caktuar në prill për të parë nëse BE do të aprovojë vazhdimin e procesit të para-pranimit për anëtarësim në mars.

Franca u shpreh se nuk dëshiron një zgjerim të Ballkanit në këto momente, pa u zgjidhur çështjet e brendshme të tij, por duket se në fakt me ofrimin e një “partneriteti të tillë të veçantë” në këmbim të heqjes dorë nga anëtarësimi i plotë në BE, Macron nuk kërkon një integrim të Ballkanit Perëndimor në BE. Kjo qasje e tij është kritikuar ashpër nga ndërkombëtarët duke e akuzuar atë se po shtyn Ballkanin Perëndimor në duart e Rusisë, Turqisë dhe Kinës.

Matthew Palmer “merr në dorë” Ballkanin Perëndimor, emërohet i dërguar special i SHBA

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka emëruar zëvendës ndihmës sekretarin Matthew Palmer, si të dërguarin e tij special në Ballkanin Perëndimor.

“Në këtë rol, Palmer do të udhëheqë përpjekjet tona për të përforcuar angazhimet diplomatike të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon si dhe do të përqendrohet në integrimin e vendeve të Ballkanit perëndimor në institucionet europiane”, thuhet në deklaratën për mediat të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Si i dërguar special, Palmer do të udhëtojë për në Slloveni në 1 shtator për të marrë pjesë në Forumin Strategji në Bled. Ai do të përfaqësojë gjithashtu Shtetet e Bashkuara në takimin mes drejtuesve të Vendeve të Kuintit në Bruksel dhe do të marrë pjesë në takime në Vjenë dhe Podgorica, 4-10 shtator.

Ai do të vazhdojë gjithashtu të mbajë pozicionin e Zëvendës Ndihmës Sekretarit në Zyrën e Çështjeve Europiane dhe Aziatike, një pozicion që ai ka mbajtur që nga viti 2018.

Emërimi i një dërguesi të ri special për Ballkanin tregon qartë se Shtetet e Bashkuara po përfshihen shumë më tepër në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Shtetet e Bashkuara gjithmonë kanë lujtur një rol kryesor në ndërmjetësimin e paqes në Ballkan pasi rajoni shpërtheu në luftë dhe dhunë me bazë etnike mbi dy dekada më parë. Kohët e fundit, diplomatët amerikanë luajtën gjithashtu një rol të rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes historike mes Greqisë dhe Maqedonisë Veriore për çështjen e emrit, ndërsa pritet që të ketë një rol aktiv edhe në normalizimin e bisedimeve Serbi-Kosovë.

Die Welt:”Garë e re armatimi në Ballkan”

Garë e re e armatimit në Ballkan. Nën këtë titull, e përditshmja gjermane “Die Welt” boton sot një shkrim të korrespondentit të saj në Budapest, Boris Kalnoky.

Për shkak të sanksioneve të vendosura kundër Rusisë pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, Rumania nuk lejoi të kalojnë nëpër territorin e saj “një dhuratë e popullit rus për popullin serb”: “dhjetë tanke me rrota të përdorur, por të modernizuar të tipit BRDM-2, pjesë e një dhurate të pazakontë për Serbinë: 30 tanke luftarakë të modernizuar të tipit T-72 dhe 30 automjete të blinduara. Rusët i dërguan pastaj tanket në Serbi me avionë, “duke kaluar mbi hapësirën ajrore të Hungarisë, kryeministri i së cilës…përpiqet gjithmonë për marrëdhënie të mira me Presidentin rus…”

Me mbështetjen te Rusia, “Serbia mbështetet në këtë mënyrë te një vend, që tregoi në Ukrainë vullnetin për ta zgjeruar zonën e vet të ndikimit me dhunë armësh”, shkruan autori. Serbia zhvilloi nën diktatorin Slobodan Milosheviç luftëra kundër Kroacisë dhe Kosovës, si dhe mbështeti serbët e atjeshëm në luftën e Bosnjës. “Në këtë sfond tingëllon veçanërisht kërcënuese, që qeveria serbe ka bërë të ditur se në rast nevoje do ta sulmojë Kosovën, nëse ky vend krijon ushtrinë e tij”.

Më tej artikullshkruesi tërheq vëmendjen që shtetet e Evropës Qendrore e Lindore kanë programe armatimi afatgjata, “nga 2014 ose 2017 deri në 2026 ose 2030”. Polonia investon më shumë për armatimin, me shpenzime armatimi që në vitin “2018 kapën madje shumën dymbëdhjetë miliardë dollarë”. “Rumania i dyfishoi në vitin 2017 shpenzimet ushtarake nga dy në katër miliardë dollarë”.

Në rajon, “në një kohë kur NATO…mbështetet para së gjithash te Shqipëria, Kosova dhe Kroacia, Rusia është përqendruar te Serbia dhe te…Republika Srpska”. “SHBA kanë në Kosovë një nga bazat e tyre më të mëdha ushtarake, Camp Bondsteel. Rusia do të ndërtojë një bazë ushtarake në pjesën serbe të Bosnjës.”

Veç tankeve, Rusia i dhuroi në shkurt Serbisë “edhe gjashtë avionë luftarakë MIG-29, Bjellorusia dhuroi tetë avionë të tjerë.” Kur të ketë marrë fund modernizimi i avionëve “Serbia ka…në këtë mënyrë aviacionin luftarak më të fuqishëm të rajonit”.

Në artikull shkruhet më tej se për blerje armatimesh, në rajon, kryeson Serbia, e cila shpenzoi në vitin “2017…731 milionë dollarë”. Në vend të dytë, pasoi “Shqipëria me 168 milionë dollarë”. Kosova parashikon të shpenzojë vitin e ardhshëm 98 milionë dollarë për ushtrinë, që ka planifikuar.

Së fundi, artikullshkruesi ndalet në dimensionin politik, që shoqëron armatimin. “Shqipëria dhe Kosova kanë vendosur një bashkim doganor dhe po ecin në konvergim ekonomik”. Veç kësaj, “vazhdon të ekzistojë mendimi i Presidentit serb Vuçiç dhe i Presidentit kosovar Hashim Thaçi, për ta zgjidhur konfliktin e Kosovës me anë të shkëmbimit të territoreve…Kjo mund të çonte në një efekt domino – si p.sh. në një ndarje të Bosnjës dhe bashkimin me shtetet mëmë të pjesëve serbe dhe kroate. Ose madje edhe me një ndarje të Maqedonisë, ku jetojnë shumë shqiptarë.” /DW

Lamtumira e Hahn: Ballkani Perëndimor do jetë në BE

Eurokomisioneri Johanes Hahn thekson se nuk ka asnjë dyshim se vendet e Ballkanit Perëndimor janë në BE, ndërsa vë në dukje se i gjithë rajoni duhet të ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut. Hahn e ka bërë këtë deklaratë gjatë fjalim në Poznan të Polonisë, ku po zhvillohet samiti për vendet e Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit.

“I gjithë rajoni duhet të ndjekë shembullin e Maqedonisë Veriore dhe të rrisë ritmin e reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe qeverisjen e mirë”, deklaroi të enjten komisioneri i BE Johannes Hahn në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Poznan.

Në hapjen e Forumit të Shoqërisë Civile dhe Forumit të Biznesit, Komisioneri i BE-së shpjegoi se BE-ja tani duhet të përmbushë angazhimet e saj dhe të japë besim aty ku ka besim për vendin që ka bërë një arritje historike, duke shtuar se dështimi për të shpërblyer progresin objektiv do të dëmtojnë besueshmërinë e BE-së.

“Unë i qëndroj rekomandimit të Komisionit për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe unë kam besim se Këshilli i Tetorit do të ndjekë vlerësimin tonë pozitiv. Të dy vendet kanë kryer reforma, veçanërisht në fushat e përmendura nga konkluzionet e Këshillit të Qershorit 2018”, tha Hahn në Samitin në Poznan.

Duke folur për IPA III, ai vuri në dukje se Ballkani Perëndimor mund të vazhdojë të besojë në mbështetjen e BE-së për reformat në vitet në vijim.

“Asgjë nuk e demonstron më mirë këtë sesa rritja e propozuar prej 13% e Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA III). Me Kornizën e Investimeve Ballkanike për Ballkanin Perëndimor, ne kemi në dispozicion një mjet tjetër të fuqishëm për të sjellë investime shumë të nevojshme në rajon”, tha Hahn.

Sa i përket axhendës për ndërveprim, e cila është në qendër të samitit të këtij viti, ai tha se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor tashmë janë të integruara ngushtë me BE-në, duke theksuar se më shumë se 70% e tregtisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor është me BE-në për shkak të marrëveshjeve të Stabilizim Asociimit.

Komisioneri i BE shpjegoi se duke hequr pengesat kufitare koha e udhëtimit për qytetarët do të reduktohet, ashtu si dhe kostoja e transportit për bizneset.

“Kjo do të ndihmojë rajonin që të shfrytëzojë potencialin e saj ekonomik edhe më mirë. Gjithashtu, Investimet do të rrisin sigurinë energjetike të rajonit dhe BE-së”, tha Hahn.

Megjithatë, ai tha se kjo axhendë është “më shumë se rrugë, ura dhe linja të energjisë”, duke i kërkuar Ballkanit Perëndimor të marrë pjesë në planet ekonomike për të ardhmen.

“Këto ekonomi janë dixhitale dhe janë jeshile. Duke investuar në ekonomitë dixhitale, ne po i japim rajonit mjetet për të marrë pjesë në revolucionin dixhital”, tha Hahn.

Komisioneri i BE-së gjithashtu përmendi barrierat tregtare të imponuara nga Kosova për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, duke u kërkuar partive që të zgjidhin këto çështje sa më parë.

“Ne shpresonim për të nënshkruar këtu në Poznan disa marrëveshje për të liberalizuar tregtinë e shërbimeve dhe për të lehtësuar lëvizshmërinë e profesionistëve. Ne kundërshtojmë fuqimisht imponimin e barrierave tregtare si një mjet për presion politik”, tha Hahn.

Ai shtoi se krerët e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë drejt marrëdhënieve të mira fqinjësore, bashkëpunimit rajonal dhe pajtimit kuptimplotë, pasi ato janë parakushte për t’u bashkuar me BE.

Olta Xhaçka: Rusia po destabilizon Shqipërinë!

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka folur në konferencën “Sfidat e sigurisë në Ballkan”, ku ka deklaruar se rajoni nuk është imun ndaj influencave të huaja. Xhaçka u shpreh se Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit janë nën kërcënimin e vazhdueshëm të influencave të huaja. Ajo tha se influenca ruse në rajon ka si synim nxitjen e destabilizimit.

Vite më parë nuk imagjinohej që Rusia të arrinte të kishte influencë në Ballkan. Gjatë këtyre 10 viteve, Shqipëria ka ndihmuar si vend anëtar i BE, e ka konsoliduar statusin e saj për sigurinë. Sot ndihemi më të sigurt ndaj influencave ruse, pas zgjidhjes së emrit të Maqedonisë së Veriut dhe hapave integruese të Malit të Zi. Ka një influencë ruse, e cila nxit destabilizim në vendet tona. Këto aktorë bëjnë përpjekje për të destabilizuar vendin, që shkojnë përmes mediave, që synojnë nxitjen e tensioneve fetare, politike, sociale, në një rast ekstrem, u arrit deri në grusht shteti në një vend kandidat për në BE”.

Sipas Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, mënyra më e mirë për të mbajtur larg influencën ruse nga rajoni jonë, është integrimi në Bashkimin Europian dhe bashkëpunim më i ngushtë mes vendeve.

Mirëpo, nëse ne bëhemi bashkë, gjithë Ballkani Perëndimor mund të jetë më i sigurt. Bashkëpunimi dhe shpejtimi i integrimit drejt BE, na bën më të fortë dhe na bën që të mbajmë larg influencat ruse dhe të huaja të padëshiruara. Në Ballkan ka ekzistuar influencë e huaj e padëshiruar. Duhet të punojmë gjithë bashkë që mos lejojmë diçka të tillë”, ka thënë ndër të tjera Olta Xhaçka.

“Tani është koha për të finalizuar integrimin e Ballkanit në BE”

Në 15 vjetorin e zgjerimit të Bashkimit Europian, eurokomisioneri  Johannes Hahn ka postuar një mesazh optimist për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një postim në Twitter, Hahn shkruan se tani është koha që edhe Ballkani Perëndimor t’i bashkohet BE-së. Sipas tij, historia e suksesit të Europës do të shkruhet kur të bëhen bashkë Bashkimi evropian dhe Ballkani Perëndimor.

“Sot ne festojmë 15-vjetorin e zgjerimit të Bashkimit Europian, një projekt ambicioz i bazuar në përpjekjet dhe vizionin e përbashkët: ribashkimin e kontinentit europian dhe mbrojtjen e paqes, prosperitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Bashkimit Europian.

Ky vizion u realizua dhe tani është koha për të hedhur vështrimin përpara dhe për të finalizuar projektin historik të unifikimit të europianëve duke integruar edhe Ballkanin Perëndimor.

Jam i sigurt se, me përpjekje të përbashkëta, kjo do të jetë një histori suksesi për të dyja palët, Bashkimin Europian dhe Ballkanin Perëndimor: Jemi më të fortë së bashku”, shkruan Hahn.

Skip to toolbar