Matthew Palmer “merr në dorë” Ballkanin Perëndimor, emërohet i dërguar special i SHBA

BOTA


Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka emëruar zëvendës ndihmës sekretarin Matthew Palmer, si të dërguarin e tij special në Ballkanin Perëndimor.

“Në këtë rol, Palmer do të udhëheqë përpjekjet tona për të përforcuar angazhimet diplomatike të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon si dhe do të përqendrohet në integrimin e vendeve të Ballkanit perëndimor në institucionet europiane”, thuhet në deklaratën për mediat të Departamentit Amerikan të Shtetit.


Si i dërguar special, Palmer do të udhëtojë për në Slloveni në 1 shtator për të marrë pjesë në Forumin Strategji në Bled. Ai do të përfaqësojë gjithashtu Shtetet e Bashkuara në takimin mes drejtuesve të Vendeve të Kuintit në Bruksel dhe do të marrë pjesë në takime në Vjenë dhe Podgorica, 4-10 shtator.

Ai do të vazhdojë gjithashtu të mbajë pozicionin e Zëvendës Ndihmës Sekretarit në Zyrën e Çështjeve Europiane dhe Aziatike, një pozicion që ai ka mbajtur që nga viti 2018.

Emërimi i një dërguesi të ri special për Ballkanin tregon qartë se Shtetet e Bashkuara po përfshihen shumë më tepër në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Shtetet e Bashkuara gjithmonë kanë lujtur një rol kryesor në ndërmjetësimin e paqes në Ballkan pasi rajoni shpërtheu në luftë dhe dhunë me bazë etnike mbi dy dekada më parë. Kohët e fundit, diplomatët amerikanë luajtën gjithashtu një rol të rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes historike mes Greqisë dhe Maqedonisë Veriore për çështjen e emrit, ndërsa pritet që të ketë një rol aktiv edhe në normalizimin e bisedimeve Serbi-Kosovë.




Skip to toolbar