Basha vijon të bind “të vetët” se 30 qershori është nul

Gjatë takimeve që kreu i PD-së, Lulzim Basha po zhvillon me strukturat e partisë demokratike në vend, duket se po mundohet t’i mbush mendjen mbështetësve të vetë, që dolën të zhgënjyer nga aksioni opozitar pas mbajtjes së 30 qershorit. Me një fjalim thuajse të ngjashëm në çdo takim me degë të partisë demokratike që ka zhvilluar deri më sot, Lulzim Basha vijon të theksojë me forcë se “30 qershori është nul, është antikushtetuese dhe nuk prodhon asnjë rezultat të ligjshëm.”

30 qershori vetëm sa vërtetoi edhe njëherë se me Edi Ramën s’mund të ketë një proces normal zgjedhor. Natyrisht që 30 qershori është nul, është nul nga ana kushtetuese. Me 10 qershor, i vetmi institucion që dekreton zgjedhjet, Presidenti i Republikës, e anuloi si datë, caktoi një datë tjetër. I vetmi institucion që mund ta gjykojë është Gjykata Kushtetuese. Ndaj 30 qershori është nul. Nuk ka prodhuar dhe s’mund të prodhojë asnjë rezultat të ligjshëm”,- deklaroi Basha gjatë bashkëbisedimit me anëtarë dhe drejtues të Partisë Demokratike në Sarandë.

Për sa i përket ligjshmërisë së 30 qershorit kanë folur vetë gjykatat e vendit duke miratuar mandatin e kryetarëve të rinj dhe Kolegji Zgjedhor me certifikimin e këshillave bashkiakë. Ditën e premte, kryetari i ri i Bashkisë Devoll, Eduard Duro mori postin e tij dhe hyri në zyrë, pavarësisht protestave të kryetarit të larguar Bledjon Nallbati për të mos liruar zyrën.

Gjithashtu Basha vijon të parashtrojë planin ekonomik kur të vij në pushtet, në një kohë që nuk ka ansjë përfaqësim të saj në asnjë lloj pushteti si lokal ashtu edhe parlamentar dhe nuk jep shenja se do të ketë së shpejti një dialog me qeverinë për normalizimin e situatës.

 “Varfëria, papunësia, mungesa e mundësive në jetë vjen nga grabitja që po i  bëhet Shqipërisë nga qeveria me një grusht klientësh. Shqiptarët po varfërohen sepse po grabiten. Shqipëria po plaçkitet dhe po shkatërrohet nga Edi Rama me një grusht biznesmenësh grabitqarë që ndajnë paratë dhe pasuritë me njëri tjetrin.” – tha Basha.

Veliaj sfidon Bashën: Jepu aktorëve godinën e SHQUP-it. Me ligj nuk ju takon

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka sfiduar kryetarin e PD-së, Lulzim Basha duke i propozuar atij që t’u japë aktorëve godinën e SHQUP-it, pra selinë e PD-së.

Sipas Veliajt, PD aktualisht nuk ka asnjë përfaqësues të popullit dhe nuk ka asnjë pushtet, ndaj dhe me ligj nuk i takon më të mbajë selinë më të madhe në Shqipëri.

“Propozoi që nëse PD-ja ka dëshirë të kontribuojë vërtet për aktorët dhe artistët, le të lirojë godinën e SHQUP-it dhe ta bëjë zyra e sallë shfaqjesh. Sot edhe Teatri Eksperimental, edhe Teatri Kombëtar, janë pa zyra. Sot Partia Demokratike ka selinë më të madhe në Shqipëri; por, s’ka asnjë deputet, s’ka asnjë anëtar në Këshillat Bashkiakë, nuk ka asnjë kryetar bashkie, pra në termat e shërbëtorëve publikë, PD-ja nuk ka askënd që t’i shërbejë qytetarit, sipas përcaktimit të asaj që quhet shërbëtor publik. Pra, me ligj, nuk i takon as selia, se nuk ka asnjë njeri të përfaqësuar në të gjitha institucionet e Shqipërisë. Prandaj, nëse i do aktorët, meqë kanë mungesë zyrash dhe meqënëse i gjithë ujësjellësi i Kamzës u fut në Teatër dhe panë me sytë e tyre në çfarë kushtesh punohej, le t’u falin SHQUP-in, e cila ka qenë një ndërtesë publike. Të falësh dhe të japësh gjëra që nuk i ke, është shumë kollaj; puna është, a jep dot diçka që e ke?”, tha Veliaj gjatë të premtes.

Të enjten kreu i PD-së, Basha firmosi një marrëveshje besimi me aktorët dhe përfaqësuesit e Aleancës në Mbrojtje të Teatrit të cilët i mbështet në vendimin e tyre për të mos lejuar shembjen e Teatrit Kombëtar.

Kujtojmë se PD mori përmes debatesh godinën e SHQUP-it me vendim të qeverisë Berisha në ikje në vitin 2013.

Teatri, Bindja Demokratike: Po e shemb Basha dhe Kryemadhi, që refuzuan zgjedhjet

Përfaqësuesi ligjor i Bindjes Demokratike, Fabian Topallaj ka reaguar në lidhje me protestën e qytetarëve kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Topallaj ka shkruar një status në rrjetet sociale, ku shprehet se fajin për prishjen e teatrit e ka Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.

“A e dini se Rama dhe Veliaj mund ta shembin Teatrin Kombëtar edhe nëse Gjykata Kushtetuese konstituohet edhe mblidhet që nesër duke e rrëzuar “Ligjin Fusha”. Kjo për shkak të mungesës së PD dhe LSI në zgjedhje. Makutërria e Veliajt dhe Ramës për të zëvendësuar Teatrin Kombëar me kulla gjigande betoni në mes të Tiranës, frenohej nga ligji për “vetëqeverisjen vendore” që parashikonte se pronat e Bashkisë mund ti kalonin në shfrytëzim privatit vetëm nëse këtë e dakordësonte me 3/5 e këshilltarëve bashkiakë”, shkruan Topallaj.

Më tej ai sqaron se as vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të ketë vlerë, lidhur me mbrojtjen e Teatrit. “Dhe sot, pavarësisht se Presidenti i Republikës ka goditur këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, vendimmarrja e kësaj të fundit nuk ka më asnjë rëndësi për çështjen, sepse Rama dhe Veliaj kontrollojnë 59 këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe mund të përdorin lirisht procedurën e vjetër ligjore për të bërë përsheshin e ëndërruar ne sheshin e godinës së teatrit”, shkruan Topallaj.

Basha u merr kauzën artistëve, por nuk qëndron: Po iki, kam një drekë

Kreu i PD-së, Lulzim Basha iu bashkua të mërkurën protestës së artistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe u duk sikur do të qëndronte gjatë me ta, për shkak të retorikës së ashpër kundër qeverisë. Pasi foli për mediat dhe dha deklaratën e tij, Basha u fut brenda godinës së Teatrit dhe qëndroi më pak se një orë. Gjatë gjithës kohës u pa duke folur në telefon dhe duke shkëmbyer mesazhe dhe më pas u largua nga salla.

I pyetur nga gazetarët se pse po largohej Basha tha se kishte një drekë, ndërkohë që njoftoi se të enjten PD do të nënshkruaj një marrëveshje me përfaqësuesit e Alencës për mbrojtjen e Teatrit.

Ai tha se PD do vijojë të mbështesë aksionin e Aleancës për Teatrin për të mbrojtur godinën.

Ndërkohë punonjësit vazhdojnë aksionin për zbrazjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa një pjesë e artistëve vijojnë rezistencën e tyre në mbrojtje të godinës.

Teatri kombëtar u kthye në një kauz politike për opozitën e cila në fakt gjatë këtyre viteve është treguar e gatshme të shfrytëzojë protestat e të tjerëve. Kështu bëri PD edhe në rastin e protestës së studentëve, apo në rastin e protestës së banorëve të Astirit.

“Toyota Yaris”, Basha i gatshëm të bashkëpunojë me prokurorët belgë

Të enjten më 25 korrik kreu i PD-së Lulzim Basha do të merret në pyetje nga prokurorët belg për çështjen e “Toyota Yaris”. Mediat në vend kanë bërë të ditur se Basha është shprehur i gatshëm të kontribuojë në hetimin e autoriteteve të drejtësisë belge.

Kryetari i opozitës është shprehur i gatshëm për të ndihmuar me informacionet që disponon në zbardhjen e aferës së pastrimit të miliona eurove për dosjen e njohur si “Toyota Yaris”, ku u kapën 3.4 milionë euro.

Prokurorët belgë do të zhvillojnë takime me grupin që po kryen hetimet për dosjen, si edhe me prokurorë të Krimeve të Rënda, Doloresa Musabelliu dhe Ened Nakuci. Nuk dihet nëse ky grup prokurorësh belgë do të asistojnë gjatë marrjes në pyetje të kreut e PD-së por ato do të jenë prezent deri të enjten ën Shqipëri. Kryedemokrati Basha ishte personi që denoncoi në Kuvend çështjen e ‘Toyota Yaris’.

Basha në fushatë: Heqim taksën në Rrugën e Kombit, sa të vijmë në pushtet

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka nisur të ndryshojë strategji, ku krahas akuzave drejtuar qeverisë, ka nisur të bëjë premtime elektorale dhe gjithnjë e më shumë flet për kohën kur PD të vijë në pushtet dhe ai të jetë kryeministër.

Basha ka qenë të martën në Kukës ku ka premtuar heqjen e taksës në rrugën e Kombit, vendim që ai premton ta marrë javën e parë që PD të vijë në pushtet.

“I shpreh kuksianëve mirënjohjen time për refuzimin që i bënë Ramës më 30 qershor. Dua të rikonfirmoj vendosmërinë tonë për të hequr traun e rrugës së Kombit në javën tonë të parë të ardhjes në pushtet.

Duhet t’i japim fund emigracionit e kurbetit që po e tret Kukësin. Punësimi i  shqiptarëve, mirëqenia e  shqiptarëve janë objektivi dhe prioriteti më madhor i PD dhe i imi personalisht”, është shprehur Basha në Kukës, një fjalim ky që i ngjason premtimeve elektorale.

Kujtojmë se Basha ka qenë ministër i Transporteve në kohën kur është ndërtuar rruga e Kombit dhe prokuroria hapi hetim pas publikimit të raportit të KLSH sipas të cilit janë vjedhur 230 milionë euro në ndërtimin e rrugës përmes faturave fiktive, me rritje të kostove vetëm në letër. Por Basha nuk iu përgjigj asnjëherë thirrjeve të prokurorisë për të dëshmuar duke çuar raporte se ishte i sëmurë dhe çështja u mbyll për tejkalim të afateve.

Ndërsa tani, Basha bën premtime për heqjen e taksës dhe gjatë daljeve të fundit për mediat, ka shtuar premtimet elektorale. Pjesë e këtyre premtimeve është hetimi i Ramës dhe i gjithë ministrave që kanë firmosur për konçensionet, si dhe zhbërja e tyre.

Në një dalje për mediat të martën, ish deputetja e PD, Oriola Pampuri premtoi rritjen e pensioneve minimale deri në 250 dollarë kur PD të vijë në pushtet. “Lufta kundër varfërisë, rritja e pensioneve minimale në 250 dollarë, janë prioritete në planin e Partisë Demokratike për rimëkëmbjen e ekonomisë. Por që ky plan të realizohet, vendit i duhen zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Pampuri.

Premtime këto që tregojnë se PD po bëhet gati për zgjedhje të parakohshme, megjithëse kjo sipas maxhorancës nuk ka gjasa të ndodhë. Rama e ka mohuar në mënyrë kategorikë mundësinë për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në vend, duke e bërë të qartë se zgjedhjet do të mbahen në 2021.

Basha “vijon refrenin”: Zgjedhje të parakohshme pa Ramën

Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijon të krijoj konfuzion ku njëherë njeh 13 tetorin dhe deklaron e kjo mund të jetë një datë e mundshme për zgjidhjen e  krizës, duke harruar sloganin e tij 6 mujor “Rama ik” , ndërsa herë të tjera deklaron nuk ka zgjidhje pa largimin e Ramës, krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve  të parakohshme pa Ramën kryeministër.

Në takimin me demokratët e Lezhës, kreu i opozitës, Basha tha se Rama është problemin më i madh për ekonominë dhe shkatërrimin e drejtësisë, ndërsa shtoi se Partia Demokratike do të vijojë me avancimin e objektivit madhor të zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Edi Rama është artist i mashtrimit. Çdo gjë që ka premtuar, çdo gjë që ka thënë, ka qenë mashtrim me qëllim për të vjedhur. Çdo projekt, program dhe politikë është mashtrim për shqiptarët në shërbim të oligarkëve. 30 qershori, në këtë pikëpamje vetëm ka përforcuar dhe konfirmuar si të drejta shqetësimet dhe rrugëdaljet nga kriza që kemi parashtruar: një qeveri tranzitore pa Edi Ramën, çuarjen para drejtësisë të të gjithë politikanëve dhe kriminelëve, të faktuar para të gjithë botës si hajdutët e zgjedhjeve, dhe zgjedhje të parakohshme.” tha Basha

Ndërsa duke iu referuar rastit të vendimit të Gjykatës së Durrësit, Basha tha se kjo tregon se reforma në drejtësi është kapur nga Rama dhe prandaj nuk funksionon.

“Kjo tregon se drejtësia është tërësisht e privatizuar nga Edi Rama. 3 vjet pas miratimit të reformës në drejtësi, drejtësia është tërësisht e kapur nga Rama. Kjo është arsyeja pse drejtësia nuk funksionon. “- u shpreh Basha.

Basha në fokus Prokurorinë, kërkon burg për Vangjush Dakon

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka sulmuar ashpër sistemin e drejtësisë në vend për shkak se nuk po fut në burg Vangjush Dakon. Megjithëse nuk i përmend me emër, Basha ia ka drejtuar sulmin kryeprokurores Arta Marku dhe prokurores Donika Prela, fotot e të cilave i ka postuar në mesazhin e tij në facebook ku shkruan se me këtë drejtësi nuk do të ketë kurrë politikanë në pranga.

“Me këtë drejtësi nuk do ketë kurrë politikanë në pranga, nuk do ketë kurrë kriminelë në burg. Me këtë drejtësi, prangat janë për njerëzit e thjeshtë dhe krimi e hajdutëria qeveritare bëjnë kërdinë. Çlirimi i vendit nga sundimi i Edi Ramës dhe bandës së tij në qeveri është domosdoshmëri për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe stabilitetin e vendit”, shkruan Basha.

Ai akuzon Ramën dhe Dakon se kontrollojnë drejtësinë dhe pushtetin lokal në Durrës, ndërsa kërkon burg për ish kryebashkiakun Dako.

“Edi Rama përmes Vangjush Dakos dhe krimit të organizuar kontrollon pushtetin lokal, drejtësinë dhe çdo institucion tjetër të Durrësit. Bashkëpunëtori i bandës kriminale të Avdylajve, liruesi nga burgu i Lul Berishës dhe pastruesi i parave të krimit në Durrës, duhet të ishte në burg, por ai është padroni i atyre që që duhet ta dërgonin në burg.

Drejtësia në të gjithë Shqipërinë është sot në duart e krimit dhe të organizatës kriminale të rilindjes. Sot mes rilindasve dhe krimit nuk ka më asnjë ndryshim. Jemi kthyer në kohët e errëta, kur drejtësia ishte partia kriminale”, shkruan Basha.

Një ditë më herët Basha foli me gjuhën e një kryeprokurori , ndërkohë që premtoi hetimin e Ramës kur të vijë në pushtet dhe arrestimin e qeveritarëve. Ndërsa akuzoi qeverinë për koncesionet korruptive, sipas tij, Basha tha se PD kur të vijë në pushtet do të fusë në burg ministra e ish ministra dhe tha se PD me ekspertizën e ndërkombëtarëve po harton nisma ligjore në këtë drejtim. Basha duket sikur anashkalon faktin se Reforma e Drejtësisë në vend është hartuar nga ndërkombëtarët, është asistuar prej tyre dhe ecuria e saj mbështetet prej amerikanëve. Ndërkohë që SPAK pritet të jetë gati në shtator dhe shumë shpejt do të ketë hetime të politikanëve, qofshin këta ministra apo ish ministra, një prej tyre dhe vetë Basha, i cili dihet se e ka një dosje hapur në prokurori, që është ajo e lobimit në SHBA me paratë ruse. Basha madje është marrë si i pandehur nga prokuroria dhe akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash. /realstory.al/

Edi Rama përmes Vangjush Dakos dhe krimit të organizuar kontrollon pushtetin lokal, drejtësinë dhe çdo institucion…

Gepostet von Lulzim Basha am Samstag, 20. Juli 2019

Ristani në “Real Story”: Basha la demokratët të pa përfaqësuar, pasoja të tmerrshme për PD

Arben Ristani ka qenë i ftuari i emisionit ‘special’ në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla. Ish-sekretari i PD-së, një nga ish-njerëzit më të afërt të Lulzim Bashës, ka treguar se tashmë askush  në Shqipëri nuk është i kënaqur me situatën në vend. Ristani u shpreh se: “Askush në këtë moment nga opozita nuk mund të jetë i kënaqur, por unë shoh që dhe shqiptarët nuk janë të kënaqur sepse nuk jetojnë më në një vend normal. Nuk kanë më një politikë normale, një ekonomi të mirë, po largohen nga vendi çdo ditë. Shqipëria është në krizë dhe do zgjidhje. Patjetër që pesha e madhe sigurisht është e Qeverisë, sepse ajo ka detyrimin kryesor që të sigurojë normalitetin në vend. Por edhe opozita ka pjesën e saj në këtë përpjekje për ta çuar Shqipërinë drejt Europës që kemi ëndërruar prej vitesh tashmë”, tha Ristani.

Lidhur me aksionin e opozitës, Ristani u shpreh se gjithçka ishte e menduar, por ajo që nuk dinin ishte reagimi ndërkombëar. Sipas Ristanit, vendimmarrja e Bashës për të bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit, duhet të kishte informacion se çfarë mendimi kishin ndërkombtarët për këtë. Sipas Ristanit, ajo që rezultoi më pas, ishte se PD rrezikoi të shpallej ‘organizatë e dhunshme’.  

“Më pas ky veprim u shoqërua me një vendimmarrje për të mos hyrë në zgjedhje me Ramën kryeministër. Në këto kushte kryetari i partisë ka pasur informacionin më të madh, dhe u besua se diçka e tillë do të ishte dhe e dakordësuar, për të arritur në qëllimin final. Ajo që ndodhi ishte se rrezikuam dhe të shpalleshim organizatë e dhunshme. Si përfundim u krye maskarada e zgjedhjeve, pasi ato nuk ishin zgjedhje. PD tashmë humbi veç pushtetit qendror dhe atë lokal. Jemi përpara një pasoje të tmerrshme në politike. E gjithë e djathta, dhe aleatët, dhe një pjesë e shqiptarëve që besojnë te PD, mbetën të papërfaqësuar, qoftë në pushtet qendror, qoft në pushtet lokal”, tha Ristani.

Opozita po lufton “30 qershorin” e amerikanëve, me armët e… amerikanëve

Të enjten pas mesdite, Voltana Ademi kryebashkiakja e Shkodrës, në cilësinë e Kryetares së Shoqatës së Bashkive, regjistroi pranë Gjykatës Kushtetuese padinë për “Konstatimin e antikushtetues të procesit zgjedhor të 30 qershorit, si dhe verifikimin e kushtetueshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e 30 qershorit 2019”. Ky është veprimi i fundit i strategjisë së re, që po ndjek opozita për të zhvleftësuar “30 qershorin” dhe votimet e asaj dite.

Partia Demokratike e Lezhës ka depozituar një padi në prokurori, përmes të cilës ka paditur KQZ, komisionerët dhe numëruesit e PS, të cilët organizuan sipas saj “zgjedhje në kundërshtim me dekretin e presidentit”. Si bazë për ngritjen e kësaj padie, dega e PD në Lezhë ka përdorur dekretin e 10 qershorit të Ilir Metës, që anuloi datën 30 qershor si ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Monika Kryemadhi e paralajmëroi këtë një ditë më herët nga Berati, duke kërkuar ndjekje penale për anëtarët e KQZ.

Sekretari i Përgjithshëm të PD, Gazmend Bardhi, disa ditë më parë, u kërkoi gjykatave që të cilësonin anti-kushtetues procesin zgjedhor të 30 qershorit. Bëhej fjalë për përdorimin e një teknikaliteti të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit mandati i bashkiakëve i marrë nga KQZ, merrte një certifikim formal edhe në gjykatat e shkallëve të para. Disa gjykata në vend konfirmuan mandatin e disa të zgjedhurve vendor, duke nisur me kryebashkiakun e ri të Elbasanit, Gledian Llatja, atë të Librazhdit, Kavajës, Cërrikut.

Por ky formalitet u bë një realitet i hidhur politik për disa prej të zgjedhurve vendorë të 30 qershorit. E para viktimë ishte bashkiakja e re e Durrësit, mandati i së cilës u pezullua nga gjykata e shkallës së parë në Durrës, nga një gjykatëse që pritet të ketë probleme me Vettingun dhe që bashkëshortin e saj, e kishte protestues të rregullt gjashtëmujor të opozitës. Gjykatësja Margjeka  e argumentoi vendimin e saj bazuar mbi atë që ajo e quan ‘regjistrimin jashtë afateve ligjore të partisë Bindja Demokratike në zgjedhjet e 30 qershorit’. Ky vendim u mirëprit nga PD dhe aleatët e saj në opozitë, të cilët tashmë e përdorin këtë si argument “se 30 qershori ka qenë i paligjshëm”.(Lexo lajmin në Realstory.al).  

Në fakt vendimi i saj ishte absurd, pasi në Gjykatë nuk kishte asnjë kërkesë padi me këtë objekt, ndërkohë që KQZ dhe më pas Kolegji Zgjedhor e kishin rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike më herët në qershor. Kujtojmë se Kolegji Zgjedhor është Gjykatë Apeli pa rekurs dhe vendimet e saj janë të formës së prerë dhe me siguri apelimi që do ti bëjë fituesja Sako, do të miratohet prej gjykatës së shkallës tjetër në Durrës. Por nuk është këtu thelbi i kësaj që po ndodh këto ditë me Partinë Demokratike.

Pas Durrësit, Gjykata e Tiranës vendosi të shpallte moskomptencë për dhënien e mandatit të kryebashkiakut të ri të Vorës, Agim Kajmaku. Në këtë rast, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, e dërgoi kërkesën e Kajmakut në Gjykatën Administrative, [ka teorikisht do të thotë se edhe Kamza, Paskuqani, Rrogozhina por edhe Tirana e Madhe, do të përcillen në këtë Gjykatë. Të mërkurën, Gjykatës së Tiranës iu drejtua dhe Erion Veliaj me një kërkesë për vërtetimin e mandatit. Me gjasë e gjithë kjo procedurë do të hajë kohë, duke zgjatur kështu rrezikshëm konfirmimin e bashkiakëve të ri, sa më shumë afrohet 10 gushti, që sipas ligjit, është dhe afati i fundit ligjor i qëndrimit të bashkiakëve të vjetër në zyra.

Burime nga Partia Socialiste thonë se “nuk presin probleme në më shumë se 10 bashki”, por realiteti nuk duket aq optimist.

Procesi ligjor i PD për mosnjohjen e 30 qershorit, nisi më herët, në Komisionin Qendror Zgjedhor. Pas certifikimit të rezultati për kandidatët, KQZ nisi certifikimin dhe shpërndarjen e mandateve për këshilltarët. Por nëse për kandidatët KQZ e miratonte rezultatin me shumicë të thjeshtë, për këshilltarët, sipas Kodit Zgjedhor, duhet shumicë absolute e votave të anëtarëve të KQZ. Në këtë pikë, opozita ka shfrytëzuar “kartën” Klement Zguri, për të bllokuar shpërndarjen e mandateve për këshilltarët në këshillat bashkiakë.

Fakt është  se Zguri ka votuar kundër në këtë proces, duke detyruar Partinë Socialiste të drejohet në Kolegj Zgjedhor (lexo këtu lajmin në Realstory.al) për kërkuar shpërndarjen e mandateve. Po përse janë të rëndësishëm mandatet e këshilltarëve? Që  kryetari i ri i bashkisë i zgjedhur në 30 qershor, të fillojë punën zyrtarisht, duhet të betohet përpara këshilltarëve bashkiakë, pasi këshillat e rinj të konstituohen. Dhe nëse Kolegji punon ditë e natë, 61 paditë do të kërkojnë me gjasë kohë, përtej datës 10 gusht. Pas kësaj date, nga Erion Veliaj e deri te Voltana Ademi, duhet të lënë zyrën, i pari, nëse nuk certifikohet nga gjykata dhe betohet para këshilltarëve, e dyta sepse do të shtonte akuzën e gjashtë penale mbi supet e saj.

Dhe në kohën që Presidenti dhe Basha luajnë në distancë (i pari, duke i kërkuar Ramës të negociojë, qoftë dhe mbi 13 tetorit, dhe i dyti duke luajtur “hapa dollapa” me tezën “Rama Ik”), tashmë askush nuk mund të akuzojë PD për taktikën e saj të re: ajo po shfrytëzon mish mashin e krijuar nga vakumet e reformës në drejtësi dhe cirku presidencial me dekretet dhe afatet, për të justifikuar para ndërkombëtarëve se po ndjek këshillën e tyre: atë institucionale të kontestimit të zgjedhjeve.

Tre ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Mathew Palmer, duke i bërë thirrje opozitës të hiqte dorë nga aktet e dhunës, u shpreh se 30 qershori mund të kontestohej vetëm në rrugë gjyqësore dhe institucionale, pasi çdo rrugë tjetër do të ishte i papranushëm nga ndërkombëtarët. Sigurisht ai foli në kontekstin e gjykatës kushtetuese, por kjo duket pak rëndësi ka për opozitën. Përfaqësues të saj shpesh i janë referuar këto ditë deklaratës një ditë më pas 30 qershorit të Audrey Glover. E pyetur nga gazetarët nëse do t`i certifikonte zgjedhjet, u shpreh se kjo ishte “kompetencë e institucioneve në vend”.  

Nuk dihet kush e ka sugjeruar këtë strategji të re të opozitës, e cila njëkohësisht e rikthen atë në “legalitet” pas luftës guerrilase politike gjashtë mujore, si dhe rrezikon seriozisht, në mos anullimin e 30 qershorit, obstruksionin e tij me javë e muaj të tërë. Deri sa të afrohet 10 gushti? Derisa të afrohet 13 tetori? Derisa mazhoranca të ulet në tavolinë? Derisa ndërkombëtarët të binden se po ja lanë institucioneve shqiptare, rrëmuja e qëllimshme dhe jo, mund të thellojë krizën? Ilir Meta e tha këtë qartë më herët të enjten: “Kriza në vend, rrezikon të thellohet”.

Me gjasë, ndryshe nga skenari i parë i tij, ai për dhunë e flakë, ky i dyti është më i mundshëm: sepse nuk ka as tym, as flake e as viktima. Por nëse është kështu, është një përpjekje dinake për të përdorur kësaj radhe armët e ndërkombëtarëve, për arritjen e qëllimit që duket kryesor në këtë lëvizje opozitaro-presidenciale: që në 30 qershor nuk kishte zgjedhje.

Një sfidë e fortë, jo ndaj Ramës, po ndaj BE. Jo ndaj qeverisë, po ndaj amerikanëve. Jo ndaj KQZ po ndaj OSBE. Të gjitha këto organizma që luftuan fort që në vend të kishte zgjedhje në 30 qershor, jo si leksion demokracie sesa si shenjë e sundimit të ligjit. Po tani ata nuk ankohen dot. PD dhe Meta po luajnë me kartat e tyre. Gjithsesi ndërkombëtarët janë ndërkombëtarët. Në [do lojë pokeri, ata e kanë pasur gjithmonë një as nën mëngë./Realstory.al/

Skip to toolbar