Veliaj sfidon Bashën: Jepu aktorëve godinën e SHQUP-it. Me ligj nuk ju takon

AKTUALITET


Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka sfiduar kryetarin e PD-së, Lulzim Basha duke i propozuar atij që t’u japë aktorëve godinën e SHQUP-it, pra selinë e PD-së.

Sipas Veliajt, PD aktualisht nuk ka asnjë përfaqësues të popullit dhe nuk ka asnjë pushtet, ndaj dhe me ligj nuk i takon më të mbajë selinë më të madhe në Shqipëri.


“Propozoi që nëse PD-ja ka dëshirë të kontribuojë vërtet për aktorët dhe artistët, le të lirojë godinën e SHQUP-it dhe ta bëjë zyra e sallë shfaqjesh. Sot edhe Teatri Eksperimental, edhe Teatri Kombëtar, janë pa zyra. Sot Partia Demokratike ka selinë më të madhe në Shqipëri; por, s’ka asnjë deputet, s’ka asnjë anëtar në Këshillat Bashkiakë, nuk ka asnjë kryetar bashkie, pra në termat e shërbëtorëve publikë, PD-ja nuk ka askënd që t’i shërbejë qytetarit, sipas përcaktimit të asaj që quhet shërbëtor publik. Pra, me ligj, nuk i takon as selia, se nuk ka asnjë njeri të përfaqësuar në të gjitha institucionet e Shqipërisë. Prandaj, nëse i do aktorët, meqë kanë mungesë zyrash dhe meqënëse i gjithë ujësjellësi i Kamzës u fut në Teatër dhe panë me sytë e tyre në çfarë kushtesh punohej, le t’u falin SHQUP-in, e cila ka qenë një ndërtesë publike. Të falësh dhe të japësh gjëra që nuk i ke, është shumë kollaj; puna është, a jep dot diçka që e ke?”, tha Veliaj gjatë të premtes.

Të enjten kreu i PD-së, Basha firmosi një marrëveshje besimi me aktorët dhe përfaqësuesit e Aleancës në Mbrojtje të Teatrit të cilët i mbështet në vendimin e tyre për të mos lejuar shembjen e Teatrit Kombëtar.

Kujtojmë se PD mori përmes debatesh godinën e SHQUP-it me vendim të qeverisë Berisha në ikje në vitin 2013.




Skip to toolbar