Basha harron fjalën “Fitore”: PD ka plan të qartë për daljen nga kriza

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk e ka cilësuar 30 qershorin më si një fitore ku sipas tij 85 % e shqiptarëve refuzuan zgjedhjet farsë të Ramës, por e ka quajtur atë një përgjegjës të madhe për PD që ta kthejë këtë refuzim në një energji ndryshimi për Shqipërinë.

Nga Vlora, ku vijon takimet me struktura e degës së PD-së, Basha tha se opozita e shikon këtë refuzim masiv të qytetarëve si një shtysë të jashtëzakonshme për të bërë ndryshimin për shqiptarët dhe se Partia Demokratike do vij me një plan të qartë për daljen nga kriza dhe nga regjimi i hajdutërisë dhe krimit.

 “Ndryshimi që shqiptarët kanë kërkuar me votën e tyre më të pastër, refuzonin e 30 qershorit, do ta kthejnë në energji për ndryshimin e pandalshëm dhe të pashmangshëm, që po vjen për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë. Për këtë dua t’u shpreh mirënjohjen në radhë të parë çdo vlonjati e vlonjateje, që refuzoi në mënyrë ekzemplare farsën e 30 qershorit, dhe i dha një mesazh të fuqishëm regjimit të hajdutërisë dhe të krimit. Partia Demokratike dhe opozita e shikon refuzimin e farsës së Edi Ramës, jo si një triumf, por si një përgjegjësi të jashtëzakonshme për ta kthyer këtë energji në një energji për ndryshim, ndryshim për çdo shqiptar… të cilët meritojnë dhe do të kenë nga Partia Demokratike një plan të qartë për daljen nga kriza, një plan të qartë që Shqipëria të jetë Shqipëria e të gjithë shqiptarëve dhe jo e një grushti njerëzish që e kanë shtrydhur Shqipërinë dhe Vlorën, siç kanë bërë deri më sot.” – tha Basha

Nuk dihet se si Basha planifikon ta bëjë këtë ndryshim, pasi edhe për 5 muaj me radhën u premtoi demokratëve të tij se zgjedhje nuk do të kishte pa PD, por faktet flasin ndryshe. Prej disa ditësh Basha vijon takimet me strukturat e PD,  për të ruajtur veten nga kundërshtarët brenda partisë pas dështimit të protestave 5 mujore dhe mbajtjes së zgjedhjeve më 30 qershor.  Mbështetësit e tij brenda partisë, kryesisht kryebashkiakët e djathtë, i janë kthyer kundër Bashës që nuk i la të garonin më 30 qershor si kandidatë të pavarur, ku me shumë mundësi mund të kishin fituar.

Veliaj mesazh Bashës: Të mos përdorë lidhjen me Holandën për të nxirë vendin

I konfirmuar në zgjedhjet e 30 qershorit për të qeverisur Tiranën edhe për një mandat të dytë, kryebashkiaku Erjon Veliaj i ka çuar një mesazh kreut të PD-së, Lulzim Basha. Nga Holanda ku ka marrë pjesë në takimin e arkitektëve më të njohur të botës, Veliaj ka kërkuar që politikanët shqiptar të mos i përdorin lidhjet e tyre me Holandën për të nxirë Shqipërinë.

Një mesazh ky i drejtëpërdrejtë për kreun e opozitës që njihet për lidhjet e tij në Holandë për shkak se ka studiuar dhe punuar atje.

Veliaj theksoi se takime të tilla, ku Tirana prezantohet me arritjet e saj pozitive në fusha si arkitektura dhe urbanistika, janë një mënyrë e mirë për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë, sidomos në vende skeptike si Holanda. “Është posaçërisht kënaqësi kur e bëjmë këtë në Holandë, një vend që duhet ta pranojmë, është skeptik, ka nevojë për më shumë informacion, ka nevojë të kuptojë se Shqipëria është një vend evropian, dhe rreziku nuk vjen nga Shqipëria e vogël kur sheh gjithë këto transformime. Bëhet sfidë komunikimi i historisë së suksesit të Shqipërisë në Holandë, sidomos kur kemi një pjesë të politikës që ka lidhje me Holandën dhe që mundohet që sherret, mëritë, zemëratën, e debatet e Shqipërisë t’i kalojë edhe në Holandë. Do të doja që të ishim një ‘antidot’ dhe do të jemi më të pranishëm në Holandë me takime të tilla, për t’u siguruar që dëgjohet e gjithë historia”, shtoi kryebashkiaku.

Veliaj theksoi se është e rëndësishme që politikanë të ndryshëm të Shqipërisë t’i shfrytëzojnë njohjet e tyre me vendet e europiane, në rastin konkret me Holandën, për të prezantuar vendin tonë si një vend proeuropian dhe të mos bëjnë politika që dëmtojnë mbi të gjitha interesat e qytetarëve shqiptarë. “E kuptoj që lidhjen me Holandën dhe njohjen që kanë me politikën këtu, disa politikanë e përdorin jo si një mundësi për ta ngritur lart Shqipërinë, por si mundësi për ta sharë, fyer e denigruar atë, por kjo duhet të marrë fund. Ndaj, besoj se si qytet, si histori suksesi e Tiranës, platforma të tilla të arkitekturës dhe urbanistikës janë një mundësi fantastike për të rrëfyer historinë e Shqipërisë”, shtoi ai.

Kryebashkiaku tha se është shumë e rëndësishme që e gjithë klasa politike të bashkohet dhe të mendojë më shumë për interesat e vendit se sa për interesat e ngushta të politikës së ditës. “Ne nuk jemi një vend perfekt, por jemi një vend i cili ka kaluar një histori shumë të vështirë dhe sot ka nevojë që, përtej të majtës dhe të djathtës, përtej PS-së dhe PD-së, të bashkohemi për të folur mirë në gjuhë të huaj, sa herë vjen fjala për Shqipërinë. Ndaj, besoj se kolegët holandezë, por edhe shumë prej mediave që po ndjekin zhvillimet në Shqipëri, kanë arritur të kuptojnë se me shumë vështirësi po ecim përpara dhe nuk e meritojmë gjithë lumin e baltës që disa shqiptarë vulëhumbur sjellin në Holandë ose në vende të tjera skeptike. Sot na duhet që për çështje të interesit kombëtar, për çështjet e Bashkimit Europian, për çështjet e avancimit të emrit Shqipëri, duhet të jemi të gjithë bashkë”, tha Veliaj i cili i ka vënë shumë rëndësi retorikës së tij politike dhe sulmeve ndaj krerëve të opozitës.

Kjo u pa edhe gjatë fushatës elektorale ku ndryshe nga hera e kaluar, Veliaj u shfaq i ashpër me opozitën dhe krerët e saj dhe duke u përfshirë në debatin politik të ditës.

Salvini si Basha, akuza për përfitime nga paratë ruse

Ministri italian i Brendshëm Mateo Salvini po përballet së fundi me akuzat se ai ka përfituar financime nga kompani ruse për fushatën zgjedhore. Akuza këto të ngjashme me ato që janë ngritur edhe në Shqipëri nga prokuroria ndaj kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

BuzfeedNews ka publikuar një video në të cilën është filmuar Gianluca Savoini, ish ndihmës i Salvinit teksa qëndronte në një hotel në Moskë tetorin e kaluar duke diskutuar kushtet e një marrëveshje për naftën me pesë persona të tjerë, tre rusë dhe dy italiane, e ndërsa Partia e Salvinit do të përfitonte 65 milionë dollarë për një vit. BuzzfeedNews ka publikuar edhe transkriptin e gjithë materialit. Sipas kësaj medieje, kjo video tregon se partia e Salvinit Lega ka përfituar financime të jashtëligjshme për fushatë zgjedhore.

Menjëherë kanë reaguar dy ish kryeministra italianë të cilët kërkojnë sqarime nga ministri i brendshëm Matteo Salvini.  Ata kërkojnë një hetim të thelluar se si ndihmësi i ngushtë i Matteo Salvini bëri marrëveshje të fshehtë me rusët ku përfshihet financimi i fushatës.

Ish kryeministri Matteo Renzi ka thënë se është çmenduri të përdorësh naftën ruse dhe financimet e tyre për partinë.“Salvini duhet ta sqarojë menjëherë”.

Edhe pasardhësi i tij Paolo Gentiloni tha se materialet e BuzfeedNews nuk janë thjesht thashetheme dhe se Salvini nuk mund të shtiret sikur nuk ka ndodhur gjë.

Vetë ministri italian i ka mohuar këto akuza: “Kurrë nuk kam marrë asnjë rubël, apo euro apo dollarë, madje as edhe një letër vodka nga rusët”, tha Salvini në një deklaratë ndërsa shtoi se do të padiste këdo që e akuzonte atë për një krim të tillë.

Ndërsa kreu i opozitës shqiptare akuzohet për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh për paratë e përdorura për të lobuar në SHBA për të cilën po hetohet edhe nga FBI.

Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarëve në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.

Për këtë arsye, prokuroria ka nisur procedimin për veprat penale të parashikuara nga nenet 190 dhe 187 të Kodit Penal, konkretisht “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Prokuroria deklaronte se njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga “Biniatta Trade”, që rezulton një kompani fantazmë, e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të rusëve dhe pjesë e një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si “parajsë fiskale”.

Vettingu, dorëhiqet gjyqtari që shpëtoi Bashën nga burgu

Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë Aleksandër Muskaj për të shmangur vettingun vendosi të largohej vetë nga sistemi i Drejtësisë. Në vitin 2009 ai ishte pjesë e trupit gjykues që pushoi çështjen e Lulzim Bashën për aferën me Rrugën e Kombit 

Deri tani janë katër ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë, të cilët ka vendosur të braktisin sistemin e drejtësisë, duke evituar kalimin në skanerin e trefishtë të Vetingut, për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë deri në korrik të vitit 2017, nuk ka pranuar të shërbejë në Gjykatën e Apelit, duke u larguar nga sistemi i drejtësisë. Muskaj është emëruar në Gjykatën e Lartë në datë 08.07.2008, nga Partia Demokratike në Parlament. Në datën 10.04.2009, Aleksandër Muskaj ishte pjesë e Kolegjit Penal pranë Gjykatës së Lartë, i cili shpëtoi Lulzim Bashën nga ndëshkimi për skandalin me Rrugën Durrës Kukës, ku u shpërdoruan rreth 230 milionë euro.

Kolegji Penal që shpëtoi Bashën me procedurë kryesohej nga Spiro Spiro, ndërsa pjesë e tij ishin Perikli Zaharia, Irma Bala, Besnik Imeraj dhe Aleksandër Muskaj. Që të pestë gjyqtarët kanë firmosur pushimin e çështjes në ngarkim të Lulzim Bashës, në cilësinë e personit nën hetim si ish-ministër i Transporteve. Asnjë nga pesë gjyqtarët sot nuk shërbejnë në drejtësi. Besnik Imeraj u emërua më pas nga PD në mars të 2013 në Gjykatën Kushtetuese, por u largua nga kjo gjykatë në 31 janar 2018, duke evituar Vetingun. Ai mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej, por nëse qëndronte duhet të kalonte në skenarin e Vetingut. Pas largimit, KPK ndërpreu procesin e Vetingut ndaj Imerajt, i cili për 15 vjet nuk mund të emërohet në sistem./Shqiptarja.com

Protesta e dhjetë, dy ofertat dhe dy “fitoret” e Bashës

Protesta e së hënës e Bashës nuk solli asgjë të re. Nuk kishte asnjë ndryshim me të kaluarat përveç faktit se ishte protestë e sforcuar. Militantët e PD-së pritën gjer sa të shuhej dhe rrezja e fundit e diellit që të dilnin për shëtitje në fresk. Protesta ishte thirrur në orën 20.00, mezi filloi në orën 21.00 dhe Basha priti që të vinte dhe protestuesi i fundit që të plotësonte 85% e famshëm që “braktisi” Ramën, sipas tij.

Pamë një Bashë të braktisur, i cili në vend të bashkëpunëtorëve, në krah kishte vajza të reja. Nuk pamë asnjë figurë nga PD. Cila është qeveria në hije e opozitës? Me kë do ta sjellë ndryshimin Basha?

Mbajti një fjalim që zgjati 26 minuta. Një fjalim ulëritës, kaotik, përsëritës (fiks si gjendja në PD), me akuza të vjetra dhe me po të njejtën ofertë: Të rezistojmë. Të rrëzojmë Ramën me betejë!!

Pra, Basha nuk kuptoi asgjë nga 9 protestat e kaluara. Nuk kuptoi se qeveria nuk rrëzohet me protestë, por me votë dhe pavarësisht qëndresës dhe thirrjeve të ngjirura të Bashës, shqiptarët e thanë fjalën e tyre me votë.

Basha mbrëmë, më shumë se kurrë në shumë fjali ngjasonte me paraardhësin e tij, Berishën, me një retorikë të vjetëruar, me akuza përsëritëse, ku këtë herë përveç sulmit ndaj Ramës, Basha sulmoi mediat dhe biznesmenët, ndërsa u bëri karshillëk ndërkombëtarëve.

“Shpëtimi nuk do të na vijë nga jashtë”, tha Basha, si për të thënë se PD do të vazhdojë në të sajën, pavarësisht thirrjeve dhe këshillave të të huajve, që ajo të futet në rrugën institucionale. Por krejt në të kundërt është duke ecur kreu i PD-së, i cili nuk la pa përmendur dhe përgjimet e BILD. Por asnjë fjalë për faktin se ato përgjime i kishte në dorë që para dy vitesh. Asnjë fjalë për pazarin e bërë për mbajtjen e përgjimeve 2 vite në sirtar.

Dy ishin propozimet e Bashës mbrëmë: Reformë zgjedhore dhe partiake, pa thënë asgjë më shumë se kaq si dhe të rezistojmë….me pak fjalë protesta në rrugë.

Në 5 muaj protesta, dy janë gjërat e fituara nga Basha: Ilir Meta, që nga president u bë anëtar PD, si dhe 85% refuzim./Realstory.al

Sondazhi në Realstory: 81% e votuesve pro Topallit, Basha JO në krye të PD

81% e votuesve të RealStory mendojnë se Basha nuk duhet të jetë më në krye të Partisë Demokratike ndërsa 19% vazhdojnë ende ta mbështesin atë.

Realstory hapi një sondazh fill pas deklaratës së ish nën kryetares, Jozefina Topalli e cila e quajti Bashën përgjegjës për lënien e PD jashtë çdo pushteti.

Për disa ditë me radhë ndjekësit tanë kanë patur mundësinë të votojnë si në faqen e webit: realstory.al ashtu edhe në faqen e facebookut.

Pyetjes së drejtuar nga Realstory bazuar në deklaratën e Topallit: A e meriton Basha të jetë kryetari i PD-së, 81% e votuesve i janë përgjigjur me JO dhe 19% me PO.

Fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit, ish numri dy i PD-së, Jozefina Topalli postoi një reagim mjaft të fortë kundër kreut të PD-së, Lulzim Basha të cilin e cilësonte eksperiment të dështuar dhe e akuzonte për nxjerrjen e PD-së jashtë çdo pushteti në 3 dekada.

“Pas rreth 3 dekadash, PD nuk ka më asnjë pushtet. Partia Demokratike nuk është me as në Parlament dhe nuk ka më asnjë bashki. Me urdhrin për djegien e mandateve Lulzim Basha e nxori atë me dhunë, jashtë parlamentit duke tradhtuar e fyer, mbi 400 mijë demokratë, që votuan siglën e kësaj force politike. Me këtë, që është akti më i papërgjegjshëm i historisë së demokracisë, ai praktikisht i ftoi shqiptarët në luftë vëllavrasëse”, shkruan Topalli.

Ajo akuzon Bashën se i dhuroi në tavolinë Edi Ramës të gjitha bashkitë.  “PD është jashtë çdo pushteti politik dhe lokal, ndërkohë që Edi Rama ka marrë çdo gjë. Demokratët e fundit të punësuar në bashkitë e djathta do jenë në mëshirën e Edi Ramës. Partia Demokratike praktikisht nuk është më. Dhe kjo është vrasja më mizore, që kreu i saj mund t`i bënte demokratëve”, shkruan Topalli.

Më tej, ish-deputetja demokrate, shprehet se e gjithë kjo është dëmi më kriminal ndaj vendit, që Lulzim Basha e bëri për karrigen dhe hallet e tij, ndërsa e cilëson Lulzim Bashën një eksperiment  të pamerituar për demokratët dhe vendin.

“Ti ishe eksperimenti më i pamerituar për demokratët dhe për vendin. Partia Demokratike ka kaluar edhe një herë tjetër një moment tragjik. Edhe sot Lul, njerëz të ndershëm, të rinj e të reja, idealistë e intelektualë, patriotë, të pakorruptuar e të pashitur do ta shpëtojnë nga pengmarrja e tradhtia jote, do ta ngrejnë sërish në piedestalin që i takon, për t`i dal zot vendit, interesit publik e njerëzve që i le pa shpresë e pa perspektivë. Është koha për të ringritur Partinë Demokratike nga e para. Është koha për të larguar këtë klasë politike. demokratët, shqiptarët do ia dalin”, shkruan Topalli.

Deklarata e Topallit ka gjetur mbështetjen e themeluesit të PD-së, Arben Imami, i cili tha në studion e Sokol Ballës në Realstory se PD për herë të parë ngeli pa asnjë lloj përfaqësimi.

Siç duket të njëjtin mendim ndajnë edhe 81% e votuesve që morën pjesë në sondazhin e Realstory.

Reagon Tabaku: Në 8 korrik në protestë. Basha ka vuajtur shumë

Ish deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka deklaruar se 30 qershori nxori fytyrën e vërtetë e Ramës, i cili u braktis masivisht nga qytetarët. Tabaku bëri thirrje për të marrë pjesë në protestën e 8 Korrikut, të gjithë ata që refuzuan të shkojnë në votimet farsë e komuniste dhe të bashkon me PD për të larguar Ramën. Ish deputetja tha se PD do të dal më e fortë nga kjo betejë, të njëjtën gjë që Basha tha pas zgjedhjeve të 30 qershorit, i cili i quajti fitore pasi 85 % e shqiptarëve bojkotuan votimet.

Madje Tabaku nuk ndali pa përmendur vendimet e vështira që Bashës i është dashur të marrë që nga djegia e mandateve e deri tek protestat dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të gjitha për të mbrojtur demokracinë. Por të gjithë këto vështirësi tha Tabaku, treguan fytyrën e vërtetë të Ramës.

Askush nuk e kishte menduar se kur PD dogji mandatet do të arrinim në këtë situatë, askush nuk mendoi që djegia e mandateve do të tregonte fytyrën e vërtetë të Ramës e të qeverisë se tij! Me 30 qershor shqiptarët masivisht zgjodhën ta refuzojnë këtë regjim, zgjodhën të bashkohen me opozitën, për shumë arsye. Opozita ka përpara një rrugë të vështirë por sot diçka është e sigurt, sot shkelësi serial i kushtetutës, ai që ja nxiu faqen Shqipërisë në Europë e kudo, ai që mbushi parlamentin me kriminelë është në krizë! Besoj që për Lulzim Bashën ka qenë rrugë e vështirë dhe ka marrë vendime të vështira, por ato vendime rezultuan me izolimin e qeverisjes dhe treguan fytyrën e vërtetë të Ramës. Çfarëdo që të bëjnë e shkruajnë mercenarët e Ramës, asgjë se zbeh dot situatën, asgjë si hedh dot poshtë ato që janë arritur në këto muaj nga Basha dhe PD!”- shkruan Tabaku në facebook.

Jorida Tabaku nuk hezitoi të projektonte edhe Bashën si kryeministrin që do i kthejë Shqipërisë demokracinë dhe shqiptarëve qeverinë që meritojnë.

PD dhe kryetari i saj Lulzim Basha janë në një betejë jetikë për demokracinë në Shqipëri. Jam e bindur se shumë shpejt do ta fitojmë këtë betejë, do tu japim shqiptarëve qeverinë që meritojnë dhe një kryeministër që do të punojë për ta. Dhe ky është Lulzim Basha.” – shkruan Tabaku

Kuvendi në seancë, Basha thërret me urgjencë Këshillin Kombëtar

Ndërsa Kuvendi dhe deputetët do të mblidhen të enjten paradite (sot ora 10:00) në një seancë parlamentare, kryetari  i PD-së, Lulzim Basha ka thirrur me urgjencë një mbledhje të Këshillit Kombëtar të PD-së.

Mësohet se anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së, janë njoftuar mbrëmjen e së mërkurës përmes një mesazhi në telefon ku i kërkohej që të enjten të ishin të pranishëm në mbledhje.

Mbledhja do të zhvillohet në orën 11:45 në selinë e PD-së, ndërsa më herët gjatë ditës në orën 10:00 është njoftuar mbledhja e Kryesisë së PD dhe e ish grupit të deputetëve.

Mendohet se pjesë e diskutimeve do të jetë zhvillimi i protestës së opozitës ditën e hënë në datën 8 korrik si dhe hapat në vijim të PD-së.

Demokratët vendosën të mërkurën që të zhvillojnë një tjetër protestë, pikërisht në datën 8, ditë kur parlamenti do të votojë pro shkarkimit të presidentit Meta dhe ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar për të, si pjesë e procedurave parlamentare. PD ka mbështetur vendimet e Presidentit dhe shpeshherë kanë përdorur të njejtën retorikë çka tregon për qëndrime të koordinuara.

Ndërsa parlamenti do të mblidhet në seancë ku në rendin e ditës janë dy pika të rëndësishme:

Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11195, datë 31.05.2019, “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 26/2019, ‘Për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat’.

Gjithashtu një tjetër pikë e rëndësishme që do të diskutohet dhe votohet në Kuvend është Projektvendimi ‘Për lirimin nga detyra të anëtarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, z. Zylyftar Bregu.

Basha mbledh kryebashkiakët e djathtë. SHBA la porosi të lënë karriget

Dy ditë pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kryetari i PD-së Lulzim Basha do të zhvillojë një takim me kryebashkiakët e djathtë që tani pas zgjedhjeve duhet të lënë karriget.

Takimi është parashikuar të zhvillohet të martën (sot) në orën 11:00 në selinë e PD.

Nuk dihet ende se cili do të jetë hapi i radhës i PD-së, pas zgjedhjeve të 30 qershorit, ku ajo nuk mori pjesë duke e lënë veten pa asnjë pushtet edhe në nivel lokal.

Gjatë të hënës pati zëra nga PD, siç ishte Albana Vokshi dhe Xhelal Mziu të cilët thanë se nuk do t’i lënë zyrat deri në zhvillimin e zgjedhjeve të ligjshme. Por zyrtarisht nga PD ende nuk ka një vendim për këtë.

Gjatë të hënës në mbrëmje Ambasada e SHBA e tha qartë dhe prerë se të zgjedhurit e ri vendorë që dolën nga zgjedhjet e 30 qershorit, duhet të marrin detyrën dhe të nisin punën. Ndërsa mesazhi për PD-në ishte se nëse kundërshton zgjedhjet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Nuk pritet të ketë surpriza në këtë drejtim. Pavarësisht qëndrimeve të dhunshme para zgjedhjeve PD u tërhoq pikërisht nga presioni i SHBA dhe nuk pritet të dalë kundër apelit të saj.

Telefonata, Basha hoqi dorë nga skenari i dhunës 1 ditë para zgjedhjeve

Lulzim Basha është përpjekur të mbajë të karikuar deri në momentet e fundit militantët e PD-së, para zgjedhjeve të 30 qershorit.

Ai kishte marrë ultimatum nga SHBA që në fillim të javës, të mos ndërrmerrte asnjë veprim më 30 qershor dhe të urdhëronte ndalimin e akteve të dhunës, ndryshe për të dhe PD-në do të kishte pasoja.

Por, pavarësisht kësaj, Basha i ka mbajtur me shpresë mbështetësit e PD-së deri në momentet e fundit, se nuk do të kishte zgjedhje, duke i mashtruar ata.

Burime të gazetës TemA bëjnë me dije se ai i ka marrë në telefon drejtuesit e militantëve vetëm mbrëmjen e së shtunës, për t’iu thënë të mos shkaktojnë asnjë incident apo akt dhune më 30 qershor.

Kërkesa e Bashës ka qenë e papritur për ta, pasi militantët ishin përgatitur seriozisht për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve.

Ata nuk e kanë pritur këtë gjë, pasi gjatë gjithë javës kishin shkaktuar trazira nëpër qendrat e votimeve dhe e diela për ta, ishte dita finale për të vënë në jetë planin e prishjes së zgjedhjeve.

Duke qenë se shumë prej tyre kanë qenë punonjës së Bashkive që drejtoheshin nga PD, tashmë ata do të mbeten edhe pa punë, ndryshe nga sa iu kishte thënë Lulzim Basha, që më 13 gusht kur përfundon mandati i kryebashkiakëve aktualë, ata nuk do të dilnin nga zyra.

Tashmë Basha duhet t’iu japë një sqarim atyre, ndryshe vështirë se mund t’i ketë më në krah për revolucionin e radhës./TemA

Skip to toolbar