Sondazhi në Realstory: 81% e votuesve pro Topallit, Basha JO në krye të PD

AKTUALITET


81% e votuesve të RealStory mendojnë se Basha nuk duhet të jetë më në krye të Partisë Demokratike ndërsa 19% vazhdojnë ende ta mbështesin atë.

Realstory hapi një sondazh fill pas deklaratës së ish nën kryetares, Jozefina Topalli e cila e quajti Bashën përgjegjës për lënien e PD jashtë çdo pushteti.


Për disa ditë me radhë ndjekësit tanë kanë patur mundësinë të votojnë si në faqen e webit: realstory.al ashtu edhe në faqen e facebookut.

Pyetjes së drejtuar nga Realstory bazuar në deklaratën e Topallit: A e meriton Basha të jetë kryetari i PD-së, 81% e votuesve i janë përgjigjur me JO dhe 19% me PO.

Fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit, ish numri dy i PD-së, Jozefina Topalli postoi një reagim mjaft të fortë kundër kreut të PD-së, Lulzim Basha të cilin e cilësonte eksperiment të dështuar dhe e akuzonte për nxjerrjen e PD-së jashtë çdo pushteti në 3 dekada.

“Pas rreth 3 dekadash, PD nuk ka më asnjë pushtet. Partia Demokratike nuk është me as në Parlament dhe nuk ka më asnjë bashki. Me urdhrin për djegien e mandateve Lulzim Basha e nxori atë me dhunë, jashtë parlamentit duke tradhtuar e fyer, mbi 400 mijë demokratë, që votuan siglën e kësaj force politike. Me këtë, që është akti më i papërgjegjshëm i historisë së demokracisë, ai praktikisht i ftoi shqiptarët në luftë vëllavrasëse”, shkruan Topalli.

Ajo akuzon Bashën se i dhuroi në tavolinë Edi Ramës të gjitha bashkitë.  “PD është jashtë çdo pushteti politik dhe lokal, ndërkohë që Edi Rama ka marrë çdo gjë. Demokratët e fundit të punësuar në bashkitë e djathta do jenë në mëshirën e Edi Ramës. Partia Demokratike praktikisht nuk është më. Dhe kjo është vrasja më mizore, që kreu i saj mund t`i bënte demokratëve”, shkruan Topalli.

Më tej, ish-deputetja demokrate, shprehet se e gjithë kjo është dëmi më kriminal ndaj vendit, që Lulzim Basha e bëri për karrigen dhe hallet e tij, ndërsa e cilëson Lulzim Bashën një eksperiment  të pamerituar për demokratët dhe vendin.

“Ti ishe eksperimenti më i pamerituar për demokratët dhe për vendin. Partia Demokratike ka kaluar edhe një herë tjetër një moment tragjik. Edhe sot Lul, njerëz të ndershëm, të rinj e të reja, idealistë e intelektualë, patriotë, të pakorruptuar e të pashitur do ta shpëtojnë nga pengmarrja e tradhtia jote, do ta ngrejnë sërish në piedestalin që i takon, për t`i dal zot vendit, interesit publik e njerëzve që i le pa shpresë e pa perspektivë. Është koha për të ringritur Partinë Demokratike nga e para. Është koha për të larguar këtë klasë politike. demokratët, shqiptarët do ia dalin”, shkruan Topalli.

Deklarata e Topallit ka gjetur mbështetjen e themeluesit të PD-së, Arben Imami, i cili tha në studion e Sokol Ballës në Realstory se PD për herë të parë ngeli pa asnjë lloj përfaqësimi.

Siç duket të njëjtin mendim ndajnë edhe 81% e votuesve që morën pjesë në sondazhin e Realstory.




Skip to toolbar