Vettingu, dorëhiqet gjyqtari që shpëtoi Bashën nga burgu

AKTUALITET


Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë Aleksandër Muskaj për të shmangur vettingun vendosi të largohej vetë nga sistemi i Drejtësisë. Në vitin 2009 ai ishte pjesë e trupit gjykues që pushoi çështjen e Lulzim Bashën për aferën me Rrugën e Kombit 

Deri tani janë katër ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë, të cilët ka vendosur të braktisin sistemin e drejtësisë, duke evituar kalimin në skanerin e trefishtë të Vetingut, për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë deri në korrik të vitit 2017, nuk ka pranuar të shërbejë në Gjykatën e Apelit, duke u larguar nga sistemi i drejtësisë. Muskaj është emëruar në Gjykatën e Lartë në datë 08.07.2008, nga Partia Demokratike në Parlament. Në datën 10.04.2009, Aleksandër Muskaj ishte pjesë e Kolegjit Penal pranë Gjykatës së Lartë, i cili shpëtoi Lulzim Bashën nga ndëshkimi për skandalin me Rrugën Durrës Kukës, ku u shpërdoruan rreth 230 milionë euro.


Kolegji Penal që shpëtoi Bashën me procedurë kryesohej nga Spiro Spiro, ndërsa pjesë e tij ishin Perikli Zaharia, Irma Bala, Besnik Imeraj dhe Aleksandër Muskaj. Që të pestë gjyqtarët kanë firmosur pushimin e çështjes në ngarkim të Lulzim Bashës, në cilësinë e personit nën hetim si ish-ministër i Transporteve. Asnjë nga pesë gjyqtarët sot nuk shërbejnë në drejtësi. Besnik Imeraj u emërua më pas nga PD në mars të 2013 në Gjykatën Kushtetuese, por u largua nga kjo gjykatë në 31 janar 2018, duke evituar Vetingun. Ai mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej, por nëse qëndronte duhet të kalonte në skenarin e Vetingut. Pas largimit, KPK ndërpreu procesin e Vetingut ndaj Imerajt, i cili për 15 vjet nuk mund të emërohet në sistem./Shqiptarja.com




Skip to toolbar