Krerët e partive aleate të Koalicionit
Opozitar kanë zhvilluar një takim në qytetin e Shkodrës nga ku kanë deklaruar
se zgjidhja e krizës vjen vetëm nëse zgjedhjet lokale shtyhen për në vjeshtë
dhe zhvillohen bashkë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Aleatët e Bashës kërkojnë me ngulm krijimin e
një qeverie tranzitore e cila do të përgatisë terrenin për zgjedhje të lira dhe
të ndershme.
“Kryeministri,
ata që janë në Parlament sot, i anatemon, i quan zëvendësues të Partisë
Demokratike. Ata, të paktën në këto momente, përderisa mendojnë se zgjedhje me
një parti nuk mund të ketë, duhet të bojkotojnë Parlamentin. Ne marrim
përsipër, që sëbashku, e gjithë politika të dakordësohet, të ketë vullnet
pozitiv, të shkëputet nga krimi përfundimisht, dhe kjo bëhet vetëm nëpërmjet
një qeverie kalimtare e cila kërkon një kohë të caktuar, nuk mund të bëhet as
për një javë, as për dy javë, as për një muaj dhe as për dy muaj por ndoshta do
të kërkojë një periudhë 5-6 mujore”, u shpreh kreu i PAA, Agron Duka
“Ju si shkodranë keni qenë përherë në krye të
betejave demokratike. Më 30 qershor zgjedhje nuk duhet, nuk mund dhe nuk do të
ketë, por kjo nuk mjafton. Duhet të jemi të gjithë, si sot, më shumë nesër, me
qëllim jo vetëm të mos realizohen zgjedhje në 30 qershor, por kur të realizohen
ato në vjeshtë, zgjedhje parlamentare dhe zgjedhje për pushtetin vendor, pasi
të jetë ngritur një qeveri tranzitore, duhet të jenë zgjedhje me një mesazh të
fuqishëm, se Shqipëria nuk do t’i kthehet më asnjëherë praktikave totalitare,
të një qeverisje që pretendon se është zgjedhur në mënyrë demokratike”, tha
kreu i PBDNJ, Vangjel Dule.
“Ne po rezistojmë për gjënë që është më
esenciale që kemi fituar këto 27-28 vjet, lirinë për të zgjedhur. Po e humbëm
edhe këtë, këtu demokracia mbetet një fjalë boshe pastaj, dhe kthehemi atje ku
kemi qenë. Kështuqë, edhe njëherë, do t’ju ftoja të vimë ditën e dielë, do të
na duhet edhe një e dielë tjetër ndoshta, do të na duhet këtu në Shkodër të
organizohemi më shumë, sepse rrugë tjetër nuk na ka mbetur. Ai zotëria po
tenton me një parti, ne do t’i themi ‘nuk do të lejojmë’, kjo është e drejta
jonë. Kemi mundësi të kemi pluralizëm, po qemë të zotët ia arrijmë, po na
thyen, bravo ju qoftë, do t’i durojmë pastaj, do të ulim kokën e të rrimë. Unë
ju falenderoj se jam i sigurt që Shkodra s’ka ndërmend ta ulë kokën.” u shpreh
kreu i LZHK, Dashamir Shehi.
Krerët e partive opozitare e mbyllën takimin
duke u bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së opozitës në datën 2
Qershor.