Basha e Meta urojnë Kokalarin: Një zë për Shqipërinë në Parlamentin Europian

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka telefonuar dhe e ka uruar personalisht Arba Kokalarin, shqiptaren e parë që zgjidhet eurodeputete.

Basha shkruan në facebook se fitorja e Kokalarit është një moment historik ndërsa vlerëson edhe rezultatin e Partive Popullore Europian në këto zgjedhje. Edhe presidenti Ilir Meta ka uruar fitoren e Kokalarit ndërsa shkruan se zgjedhja e saj na bën të gjithëve të lumtur.

“Të dashur miq, sapo urova në telefon Eurodeputeten e parë shqiptare, shqiptaro-suedezen Arba Kokalari që u konfirmua pak çaste më parë si fituesja e mandatit të eurodeputetes për partinë e Moderatëve suedezë, simotrës tonë në Partinë Popullore Europiane!

Natë e paharrueshme për Arbën dhe familjen e saj, natë fitore për Moderatët që konfirmuan 4 eurodeputetë dhe natë historike për të gjithë ne shqiptarët që inagurojmë me Arba Kokalarin praninë shqiptare në ulëset e Parlamentit Europian!

Krenar dhe i lumtur me fitoren e Arbës, ju shpreh mirënjohjen time të gjithë bashkatdhetarëve tanë në Suedi që me votën e tyre e mundësuan këtë moment historik!

Dua po kështu t’ju falenderoj me mirënjohje në emrin tim dhe të Partisë Demokratike, të gjithë ju bashkatdhetarë të nderuar në vendet e BE që me votën tuaj për partitë simotra të PD, rikonfirmuat Partinë Popullore Europiane si forcën e parë politike në Parlamentin e ardhshëm Europian! #ShqipëriaSiEuropa”, shkruan Basha.

“Arba Kokalari, shqiptarja e parë eurodeputete, i bën të lumtur të gjithë shqiptarët dhe meriton mirënjohjen e tyre, jo vetëm si model suksesi në Suedi, por edhe përfaqësimi dinjitoz në Europën e Bashkuar!”, shkruan Meta.

Të dashur miq, sapo urova në telefon Eurodeputeten e parë shqiptare, shqiptaro-suedezen Arba Kokalari që u konfirmua pak…

Gepostet von Lulzim Basha am Sonntag, 26. Mai 2019

Arba Kokalari, shqiptarja e parë eurodeputete, i bën të lumtur të gjithë shqiptarët dhe meriton mirënjohjen e tyre, jo vetëm si model suksesi në Suedi🇸🇪 por edhe përfaqësimi dinjitoz në Europën e Bashkuar!🇦🇱🇪🇺

Gepostet von Ilir Meta am Montag, 27. Mai 2019

Letra e pestë e Ramës: Lul hajde sa nuk është vonë. Pas 30 qershorit do të hanë të tutë

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar sërish me një tjetër letër të pestë kundërshtarit politik, Lulzim Basha, duke e ftuar për dialog, por nuk kanë munguar edhe notat e ironisë, teksa përmend njoftimin për protestën e radhës të opozitës. Kryeministri i vë në dukje Bashës se kanë mbetur shumë pak ditë në dispozicion për dialogun, ndërkohë që sipas tij, “karvani i fitores imagjinare të opozitës po firon pak e nga pak”.

“Nëse nuk ulemi në Tryezën e Dialogut edhe këto pak ditë që kanë mbetur, ju mund të vazhdoni të lëshoni balona e të ndizni dritat e celularëve të shpresës se qielli do më përpijë mua, njësoj balonat dhe nga qielli bum, do bjerë dhuratë për ju fitorja që me votë meazallah se e arrini dot. “, deklaron Rama.

Po ashtu, ai vë sërish në dukje se zgjedhjet e 30 qershorit nuk i shtyn dot askush dhe as i pengon dot askush “Kushtetuta e Republikës sonë nuk lejon askënd t’i shtyjë, kurse ligji dënon rëndë këdo që prek qoftë edhe një kuti votimi”, deklaron Rama.

LETER E PESTE PUBLIKE E EDI RAMES, DREJTUAR LULZIM BASHES

Zoti Kryetar, në radhë të parë sinqerisht përgëzime për mbrëmë, sepse pavarësisht bojëhedhjes mbi mure që e keni cen fiziologjik si parti, kalimi nga kapsollat e molotovët, tek balonat dhe dritat e celularëve ishte një hap domethënës mbrapa!

Por siç edhe me siguri e vutë re vetë, karvani i fitores Suaj imagjinare po firon pak e nga pak, çdo herë që sos në Tiranë dhe siç e kuptoni, njëkohësisht po firojnë edhe shanset e Dialogut mes nesh. Koha e mbetur drejt ditënisjes zyrtare të fushatës së 30 qershorit po tretet me shpejtësi, e bashkë me të po jep shpirt të them të drejtën edhe shpresa ime e vobektë, se në dyllin e veshëve Tuaj mund të hapet një vrimë.

Sidoqoftë shpresa vdes e fundit dhe ja ku jam, unë përsëri, në kërkim të Dialogut me Ju për të bërë timen deri në fund kundër kësaj historie të pakuptimtë, të shëmtuar e dëmtore për vendin tonë të përbashkët. U bënë muaj që vini vërdallë, bashkë me punonjësit e bashkive blu e me ca katranë me bojë, duke goditur Shqipërinë ndërkombëtarisht dhe ngritur pikëpyetje të madhe tek miqtë europianë, lidhur me çeljen e negociatave me Bashkimin Europian; duke cënuar veprimtarinë ekonomike të vendit dhe turizmin në veçanti; duke trazuar një popull të tërë me hallin absurd se çfarë do të ndodhë e çfarë do të digjet kur të sosni në Tiranë herën tjetër…

Përveç këtyre sukseseve, që mund t’i thelloni më tutje nëse e vijoni këtë avaz dhe rënies së mëtejshme të mbështetjes së grupimit Tuaj politik, çfarë keni arritur ose mund të arrini tjetër apo le të dalë ku të dalë?

Parlamentin e keni ndaluar dot të funksionojë normalisht?

Jo, madje në seancat e të enjtes ka më shumë prezencë në anën e djathtë të sallës, se sa ç’kishte deri kur Ju e braktisët.

Qeverinë e keni ndaluar dot të vazhdojë punën normalisht?

Jo, madje e vërteta është se edhe të enjten, që na e kishit imponuar si ditë për lojë luftash, kur duhet të merreshim me baltën, çizmet, bojën, glasat e vezët Tuaja në Kuvend, e kemi ditë kuvendore normale.

A mos vallë më keni larguar mua dot?

Po, kjo po, më keni larguar mbrëmë me balonat që merrnin me vete në qiell parrullën e lodhur “Rama ik”, nën tingujt ëngjëllorë të vuvuzelëve të paqes, teksa pllaka e gramafonit Tuaj rilajmëronte fundin e afërt të tiranisë me përkrahjen mbarëbotërore për largimin tim drejt qiellit, kurse fallxhorja Juaj i rrëfente popullit se në një filxhan amerikan ishte iluminuar mbi dhunën, që Zoti e dënon si shembëlltyrë të Djallit!

Gjithësesi, pa u zgjatur me çka Ju kam stërshpjeguar nga ana ime në katër letrat e mëparshme, shoh të udhës të nënvizoj si vijon:

E para, nëse nuk ulemi në Tryezën e Dialogut edhe këto pak ditë që kanë mbetur, Ju mund të vazhdoni të lëshoni balona e të ndizni dritat e celularëve të shpresës se qielli do më përpijë mua, njësoj balonat dhe nga qielli bum, do bjerë dhuratë për Ju fitorja që me votë meazallah se e arrini dot. Vazhdoni po deshët deri në qershor 2021, me këtë ritual grotesk të fushatë – protestave seriale kundër zgjedhjeve, me frikën nga drejtësia si karikues për bateritë tuaja. Ndërsa ne, thjesht do të nisim e do të zhvillojmë fushatën e zgjedhjeve vendore, do t’i marrim bashkitë e braktisura prej jush se meqë i latë ju, s’mund t’i lemë edhe ne rrugëve dhe do të vazhdojmë të qeverisim, me të gjitha bateritë e karikuara për katër vjet, deri në qershorin 2021.

E dyta, zgjedhjet e 30 qershorit nuk i shtyn dot askush ndër ne dhe as i pengon dot askush mbi këtë dhe! Sepse Kushtetuta e Republikës sonë nuk lejon askënd t’i shtyjë, kurse ligji dënon rëndë këdo që prek qoftë edhe një kuti votimi. E meqë ra fjala, ata miqtë gjermanë të Shqipërisë në partinë Tuaj simotër, bëni mirë t’i dëgjoni kur Ju sugjerojnë dialog pa kushte, e jo të abuzoni publikisht për të çoroditur dynjanë, duke spekulluar me opinionet e tyre krejt miqësore! Se jo për gjë po ja, erdhi dita kur 61 kandidatët e mijëra këshilltarët e Partisë Socialiste do të jenë në Tiranë, për t’i rënë gongut të vrapimit drejt 30 qershorit dhe pastaj s’mbetet asnjë mik në botë, që të harxhojë më kohë as për opinione miqësore.

E treta dhe e fundit, mos mendoni Ju lutem për asnjë moment se 30 qershori nuk do të vijë apo do të kalojë pa zgjedhje. Një dritëshkurtësi e tillë mund t’i lejohet udhëheqësit Tuaj të currufjasur, i cili zhubravitet papushim nga mllefi i patretshëm qysh prej ikjes nga pushteti me 1 milionë shpulla dhe sfilitet përditë, nga tmerri i pangushëllueshëm i trokitjes së drejtësisë në derë. Po kjo s’ka si t’ju falet Juve që të nesërmen e 30 qershorit, do të gjykoheni nga ndjekësit Tuaj për se si ka mundësi, që i dorëzuat pa betejë elektorale tërë bashkitë e Shqipërisë! E aty pastaj kam frikë se edhe tërë pasojat e xhindosjes së atij marroqit dixhital ndaj meje e Partisë Socialiste, do t’i hani Ju si fajtori i madh i një disfate katastrofike.

Mos gënjeni veten më tutje i dashur Lulzim, koha po mbaron dhe mbytja e anijes Suaj sapo ka filluar. Ka ende një mundësi të vogël për Dialog përpara se sa vetë ndjekësit Tuaj, t’Ju flakin të parin në ujrat thithës ku e keni futur qorrazi atë anije.

Post Scriptum: Meqë lajmëruat grumbullimin e radhës në 31 maj, shtabi ynë elektoral vendosi ta spostojë në 1 qershor mitingun e çeljes zyrtare të fushatës – kollaj, nuk ishte një datë si ajo zgjedhjeve që s’e kemi ne në dorë.

Një protestë, një mesazh për herë të gjashtë, por Basha dha sinjal se shpreson te Gjermania

Opozita organizoi protestën e gjashtë kombëtare, të nisura që prej muajit shkurt kur PD dhe LSI, së bashku me parti të tjera opozitare vendosën të djegin mandatet dhe të nisin një seri protestash në vend. Në fakt, opozita kishte paralajmëruar se kjo e sotmja do të ishte protesta më e madhe e këtyre tre muajve, megjithatë, numri i protestuesve raportohet të ketë qenë diku te 7 deri në 10 mijë pjesëmarrës.

Pavarësisht pjesëmarrjes, kjo e sotmja, siç ishte raportuar më herët nga RealStory.al, ishte protestë paqësore. Protestuesit e parë kanë nisur të grumbullohen para godinës së Kryeministrisë rreth orës 18:30, ndërsa rreth orës 19:00 numri i tyre ka ardhur duke u shtuar. Megjithatë, si zakonisht edhe protesta e sotme nuk nisi në orarin e përcaktuar nga opozita, por me rreth 45 minuta vonesë, kur në shesh erdhi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Ky i fundit ka mbajtur një fjalim për rreth 40 minuta para protestuesve, ku ka dhënë disa mesazhe, teksa konfirmoi se nuk do të ketë dialog pa largimin e Kryeministrit Rama. Megjithatë, një detaj interesant u vu re gjatë kohës që Lulzim Basha ka folur para protestuesve. Liederi i PD-së ka shkuar pranë disa protestuesve, të cilët mbanin disa flamuj të SHBA-së, BE-së dhe Gjermanisë. Me këtë të fundit Basha ka bërë një pozim për disa sekonda.

“Mjerë ai që nuk ka vesh e nuk dëgjon. E dëgjon e gjithë Shqipëria, e gjithë bota, zgjedhje demokratike pa opozitën nuk ka e nuk do të ketë. Rama ik. Në një javë Europa tregoi standardin e saj të vërtetë. Nga Londra në Vjenë, politikanët e përgjegjshëm dhanë dorëheqjen e i rikthyen sovranit atë që është e sovranit. Sot në vendin tonë, për akoma pak kohë, zotër janë politikanë të lidhur me krimin, një grup horrash që kanë marrë peng partinë e tyre dhe e shohin popullin si shërbëtor”.

“Edi Rama sakrifikoi gjithçka të qytetarëve, vodhi zgjedhjet për një qëllim, pushtetin e tij, për këtë do ta cojë vendin në një përplasje të pashmangshme civile. Duke cuar për herë të parë në 29 vite, të njëjtët trafikantë e banditë, figura të krimit, që nëse drejtësia nuk do ishte e kapur, do i dënonte për përfshirjen e tyre në shitblerjen e votës.  Për pushtetin e tij, për pasurinë e tij, jo vetëm i ka mbrojtur kriminelët por do përfundimisht të vendosë zgjedhën e krimit në Shqipërinë”, tha Basha.

Ky ishte një mesazh i koduar i Lulzim Bashës, që mesaduket nënkupton se ai është gati të futet në negociata sipas udhëzimeve nga partnerët gjermanë të PD-së dhe atij vetë. Më pas kreu i BD-së u shpreh se Partia Demokratike është duke diskutuar me ekspertët propozimin e një plani, ku do të krijohet një parlament i ri me dy dhoma, një sistem drejtësie funksional dhe që ndëshkon politikanët e korruptuar, si dhe të tjera ndryshime, që pritet të propozohen në ditët në vijim, tha Basha.

Pas fjalës së mbajtur para Kryeministrisë, ku protestuesit kanë ndezur balona ndriçuese, të cilat kishin  të shkruar shprehjen “Rama ik”, Basha u bëri thirrje protestuesve të nisin marshimin drejt godinës së Parlamentit. Ndërkohë, para kësaj, gjatë kohës që fliste Lulzim Basha, protestuesit kanë hedhur disa shashka në drejtim të Kryeministrisë, por nuk ka pasur tentativa për të thyer gardhin metalik dhe kordonin e policisë.

Më pas, protestuesit u nisën drejt godinës së Parlamentit, aty ku sërish ka pasur masa të përforcuara të policisë, si dhe mjete ujëhedhëse në gatishmëri për të neutralizuar çdo akt dhune. Në fakt, me mbërritjen para godinës së Parlamentit, ka pasur tension mes protestuesve, të cilët kanë hedhur shashka dhe sende të forta në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit u ka bërë thirrje drejtuesve të Partisë Demokratike që të tërhiqeshin nga aktet e dhunës.

Gjatë kohës që protestohej para Parlamentit, pati vetëm një moment hedhje uji në drejtim të protestuesve, që zgjati vetëm për disa sekonda. Nuk ka zgjatur më shumë se disa minuta as prania e Lulzim Bashës së bashku me liderët e tjerë opozitar para kuvendit, pasi kreu i PD-së u largua në drejtim të selisë së partisë së tij, ku mbajti dhe një fjalim përmbyllës të protestës.

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Me këtë thirrje kemi nisur qëndrimin tonë më 16 shkurt, që kulmoi sot në pjesëmarrjen më masive popullore, në 29 vite. Mesazhi më i qartë i shpresë që ka nisur e nuk do të fiket deri sa beteja ndaj të keqes të fitohet plotësisht. Çdo ditë e më shumë bashkimi bëhet më i vendosur, mesazhi i sotëm është i qartë e i prerë, ndaj miqve aleatëve se jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë, jemi popull i Europës e nuk do pranojmë kurrë despotizmin antieuropian të një grupi bandidësh e kriminelësh që kanë bllokuar rrugëtimin drejt Europës. Sot japim këtë mesazh të qartë e të vendosur, Europa e dëgjoi zërin tonë dhe tani është koha për zgjidhje politike, largimin e Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira, e vetmja rrugë për të hapur dyert e mbyllura të Europës” u shpreh Basha.

Pas përfundimit të fjalës së tij, Basha dhe drejtuesit e partive të tjera opozitare kanë zhvilluar një mbledhje në selinë Blu, ku kanë vendosur edhe datën e zhvillimit të protestës së radhës. Më 31 maj do të mbahet tubimi i radhës i opozitës, pikërisht në ditën kur Partia Socialiste do të hap zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Basha si Dostoyevski, Rama si Tolstoy

Pak orë para protestës së opozitës kryeministri Rama provokon me një mesazh në Twitter. Ai ka zgjedhur një citim të shkrimtarit rus të “Lufta dhe Paqa” Leon Tolstoi, për t’i thënë kryedemokratit se nuk po rri duarkryq por po pret me durim një përgjigje prej tij.

“Durimi nuk është pritje. S’është të presësh duarkryq. Kjo është përtaci. Durimi është të vazhdosh kur vazhdimi është i vështirë dhe i ngadaltë. Dy luftëtarët më të fuqishëm janë koha dhe durimi”, shkruan Rama në Twitter.

Vetëm pak orë më parë ai postoi letrën e katërt publike drejtuar Bashës, të cilin e ftoi sërish të ulej në Tryezën e Dialogut për të mos i shkaktuar më shumë dëme Shqipërisë.

Por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga kampi blu. Nëse Rama ka zgjedhur simbolikën e autorit rus të Luftës dhe Paqes, Basha duket i palëkundur në pozicionin e tij: Ai e ka ftuar Ramën në një duel, nga i cili një nga të dy, ose duhet të tërhiqet, ose duhet të “vdesë”. Dihet nga historia sesi ka ndodhur. Dostoyevsky vdiq në duelin që thirri vetë, ndërsa Leon Tolstoy vdiq nga shkaqe natyrale.

“Ministri që pushkatoi 4 burra në bulevard, ta harrojë të flasë për demokraci”

Në prag të protestës së opozitës, zëvendës kryeministri Erion Braçe ka shpërthyer ashpër kundër Bashës të cilin e akuzon për vrasjen e 4 burrave të pafajshëm në mes të bulevardit, duke kujtuar këtu ngjarjet e 21 janarit.

Braçe shkruan në Instagram se Basha s’mund të flasë as për demokraci, as për rregull dhe as për ligj pasi është përgjegjës për vrasjet në bulevard.

Postimi i plotë i Erion Braçes:

Lulzim Basha paska folur per nder e dinjitet gjate ushtrimit te detyres ose banalisht gezimit te pushtetit!

Po a ka nder e dinjitet nje minister qe pushkaton ne mes te dites, ju merr jeten qe zoti ua fali, kater qytetare pa faj qe protestonin kunder menyres se ushtrimit te pushtetit prej tij?

A ka nder e dinjitet po i njejti minister qe-sic deshmon presidenti i republikes i kohes, perdori gjithe pushtetin per te penguar, deshtuar e ne fund moslejuar hic, hetimin e krimit me barbar ne bulevardin e Tiranes qysh nga koha e fashizmit?

Nderi e dinjiteti mos egzistofte kur per to flet nje vrases i tille!

Kush cenon nje mandat popullor-legjitimitetin e certifikuar nderkombetarisht te tij,

per ministrin qe pushkatoi kater burra te pafaj ne mes te bulevardit,

duhet ta harroje se mund ti flase per demokraci, rregull e ligj,

cilitdo qytetari ne kete vend!

Nese ka nje arsye qe ky eshte sot ne opozite, i pavotuar nga shqiptaret,

nese ka nje arsye qe ky nuk do zgjedhje por pushtet ne tavoline permes dhunes barbare prej fashisti,

ajo eshte unike:

NUK VOTOHEN VRASESIT!

Ne cdo kohe!

Tirana nën rrethim, palët larg dialogut. Basha: “Protestë e madhe”. Por pritet paqësore.

Opozita dhe mazhoranca mbeten larg dialogut, ku edhe pas tre letrave publike të Kryeministrit Rama, kryeopozitari Basha është i vendosur në kauzën e tij. Sot pasdite, opozita zhvillon protestën e radhës, ku vetë Basha e ka cilësuar protestë kombëtare. Edhe pse aleatja kryesore e PD, liderja e LSI, Kryemadhi bëri thirrje 24 orë para protestës që protestuesit të distancohen nga dhuna, Basha nuk ka bërë thirrje kundër dhunës.

E kjo duket se i ka frikësuar forcat e rendit, pasi që të premten, në institucionet kryesore, Kryeministria, Parlamenti dhe Ministria e Brendshme janë vendosur barrierat metalike. Shtyllat e ndriçimit janë lyer me graso në mënyrë që protestuesit mos të hipin në to, ndërsa Policia dhe Garda e Republikës kanë kaluar në gatishmëri.

Nga drejtuesit e policisë mësohet se rreth 1500 policisë do të angazhohen për ruajtjen e sigurisë, ndërkohë që masat janë të dukshme që mëngjesin e së shtunës, ku postblloqe janë ngritur në të gjitha rrugët hyrëse të Tiranës, ndërkohë që protesta pritet të fillojë në orën 19:00 dhe leja është marrë deri në mesnatë.

Protesta e opozitës të shtunën
Barriera te vendosura për ndalimin e qarkullimit të automjeteve në rrugën pas Piramidës

Postblloqe nuk janë ngritur vetëm në Tiranë, por edhe në rrugët kryesore, që bashkojnë Jugun, Veriun dhe Juglindjen me Tiranën. Kontrolle ushtrohen kryesisht në autobusë, ose në makina personale të mbushura me të rinj. Megjithatë, gjatë zhvillimit të protestës, forcat më shumta të policisë pritet të përqendrohen pranë kryeministrisë, ku do të dislokohen forcat speciale RENEA dhe Garda e Republikës. Sipas policisë, grumbullimet mendojnë të fillojnë pas orës 16:00, ndërsa sipas drejtueseve të partive opozitare, do të jetë protesta më e madhe e organizuar ndonjëherë gjatë historisë së pluralizmit politik në Shqipëri.

Por këto masa mund të rezultojnë të panevojshme. Të paktën këtë radhë. Një burim i lartë demokrat i konfirmoi me siguri Realstory.al se protesta e të shtunës do të jetë paqësore. Mund të jetë efekti ndërkombëtar, mund të jetë një sinjal që përtej retorikës së ashpër, edhe Basha është dëshpërimisht në kërkim të një pikënisje dialogu. Por kjo së paku pritet të prodhojë një të shtunë pa incidente, ose së paku “molotov free” në rrugët e kryeqytetit.

Nga plani i organizatorëve ka pak detaje sesi do të vijojë protesta, por mësohet se Lulzim Basha do të mbajë një fjalim para Kryeministrisë dhe qëllimi kryesor i tyre, ashtu siç është deklaruar nga kryeopozitari Basha, është largimi i Kryeministrit Rama, si kusht që nuk negociohet.

Gjithsesi burimi i lartë nga Kryesia e PD i tha faqes sonë, se nëse protesta e të shtunës do jetë paqësore, krejt ndryshe pritet të jetë ajo e radhës në qershor. Me gjasë fushata do ketë filluar dhe me PD e aleatët jashtë zgjedhjeve, protesta e qershorit, data e së cilës nuk është përcaktuar akoma, pritet të jetë e ashpër dhe agresive. Megjithëse nuk konfirmohet një datë e mundshme është 29 qershori.

CDU/CSU: Të shtyhen zgjedhjet nëse është e nevojshme, palët të dialogojnë

Dy deputetët e parlamentit gjerman Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm kanë dhënë një deklaratë të përbashkët në lidhje me krizën politike në Shqipëri. Deputetët theksojnë se diagolu pa kushte është tepër i rëndësishëm për të zgjidhur krizën poltike në vend. Gjithashtu CDU/CSU kanë dënuar dhunën e ushtruar gjatë protestave, ndërsa bën thirrje për qetësimin e situatës, pasi mund të mbyllet rruga e integrimit drejt BE.

“Po e vëzhgojmë me shqetësim të madh krizën e brendshme në Shqipëri. Për të ardhmen europiane të Shqipërisë nevojitet dialogu mes qeverisë dhe opozitës. Për këtë, të dyja palët duhet të afrohen me njëra-tjetrën dhe të jenë të gatshme për kompromise.

Protestat e përsëritura në Shqipëri janë një shenjë e pakënaqësisë së shumë qytetarëve. Ne bëjmë thirrje që protesta të jetë paqësore. Aktet e dhunës i dënojmë thellësisht. Është përgjegjësia e vendimmarësve të politikës që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Evropës.” – shkruajnë deputetët

Johann David Wadephul dhe Christian Schmidt shprehen të gatshëm të ndërmjetësojnë hapjen e dialogut pa kushte ku të diskutohen të gjitha temat, madje edhe të merren masa të jashtëzakonshme si shtyrja e zgjedhjeve në të mirë të zgjidhjes së krizës dhe garantimin e mundësive për të zgjedhur nga qytetarët.

“Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë.

Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje. Bashkësisë ndërkombëtare nuk i interesojnë konfliktet politike ndërpartiake, por stabiliteti demokratik.” – përfundon deklarata

Pak pas publikimit të kësaj deklarate, ka ardhur dhe reagimi i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili shprehet falenderues ndaj partnerëve politikë të Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike, për vëmendjne e tyre ndaj situatës politike.

“U jam shumë falenderues miqve të Shqipërisë dhe partnerëve politikë të LB&PD në CDU/CSU, për vëmendjen e tyre ndaj situatës politike! Krejt dakord me gjithçka kanë shprehur publikisht dhe për nevojën e dialogut pa kushte. Koha nuk pret sepse 30 qershori s’është në dorën tonë!”, ka shkruar Rama në twitter.

Pas kryeministrit Rama, edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me daklaratën e CDU/CSU. Basha tha se mirëpret bashkëpunimin e Gjermanisë për zgjidhjen e krizës në vend, ndërsa nuk ka dhënë asnjë përgjigje për një dialog të mundshëm.

“Mirënjohje Gjermanisë mike dhe mbështetëse të Shqipërisë, për vëmendjen dhe shqetësimin ndaj problemeve që kanë penguar integrimin europian, si mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lidhjet e politikës me krimin, mungesa e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit.

Në emër të PD dhe të Opozitës së Bashkuar konfirmoj gatishmërinë tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mirëpres angazhimin e Gjermanisë mike për zgjidhjen e kësaj krize dhe hapjen e rrugës europiane të Shqipërisë.”

Mirënjohje Gjermanisë mike dhe mbështetëse të Shqipërisë, për vëmendjen dhe shqetësimin ndaj problemeve që kanë penguar…

Gepostet von Lulzim Basha am Donnerstag, 23. Mai 2019

Rama, letër të dytë Bashës: Dialog pa lëvizur 30 qershorin

Pas letrës së parë publike dërguar dje, kryeministri Edi Rama i është drejtuar sërish Bashës me një letër të dytë ku thekson gatishmërinë e tij për të dialogur pa lëvizur datën 30 për zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Rama i bën thirrje Bashës të mos shkojë drejt humnerës politike por të dëgjojë apelin e partnerëve ndërkombëtarë dhe të ulët në tryezën e bisedimeve.

LETER E DYTE PUBLIKE LULZIM BASHES

Zoti Kryetar,

e mora reagimin Tuaj ndaj letrës së djeshme ende pa u “tharë boja” e saj dhe nuk jam aspak i çuditur, me refuzimin brutal të Dialogut nga ana Juaj. Por, duke qenë se detyrimi im është të këmbëngul, pa humbur durimin, në të vetmen rrugë që njeh demokracia, Dialogun, mbetem i vendosur t’Ju ofroj të gjithë gatishmërinë time, për t’i hapur rrugë Dialogut.

Natyrisht, Ju jeni në të drejtën Tuaj ta udhëhiqni grupimin Tuaj politik drejt humnerës, duke marshuar përditë sikur jetoni në një botë paralele, pa ligje, pa rregulla, pa të tjerë që mendojnë krejt ndryshe nga Ju në këtë vend (shumica dërrmuese, përfshirë edhe shumicën e votuesve Tuaj) dhe jashtë këtij vendi – pa përjashtim të gjithë miqtë e partnerët e Shqipërisë.

Ju jeni në të drejtën Tuaj t’u drejtoheni shqiptarëve sikur janë gjindje pa vetëdije, që s’dinë ç’është demokracia, ligji e vetë liria dhe t’i trajtoni miqtë e partnerët ndërkombëtarë të vendit sikur nuk ekzistojnë.

Ju jeni po ashtu në të drejtën Tuaj të synoni tërheqjen pas Jush të pak individëve që mbase, kushedi, mund të jenë gati të kryejnë krime zgjedhore e të humbasin lirinë e tyre, sipas parashikimeve të Kodit Penal për ato krime dhe më tej akoma, t’i thonë lamtumirë edhe lirisë së hyrjes në SHBA dhe në vendet e Bashkimit Europian, si persona të padëshirueshëm në një botë që rrotullohet përmes zgjedhjeve demokratike, jo përmes dhunës mbi to.

Por, i dashur Lulzim, për fat të mirë Ju s’jeni vetëm në këtë vend dhe as ata që do vijojnë t’Ju ndjekin në aventurën Tuaj të pashoqe, gjithnjë e më të paktë, nuk janë asfare populli i këtij vendi. I cili lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur, nuk i ka marrë borxh nga Ju apo nga unë dhe po ashtu, nuk Ju’a ka borxh as Juve, as mua e askujt në botë, mosmbajtjen në kohë e në paqe të zgjedhjeve të radhës.

Kështu që përsëri Ju bëj publikisht thirrje: Ejani të ulemi në Tryezën e Dialogut! Pa kushte dhe pa humbur kohë.

Fushata e zgjedhjeve nis zyrtarisht në 31 maj dhe ditët e numëruara që kanë mbetur, duhen shfrytëzuar për dialog politik, jo humbur me kërcënimet e dëshpërura dhunënxitëse që nuk Ju turpërojnë vetëm Juve, po edhe vendin tonë e të gjithëve ne bashkë me të.

Ejani në Dialog të arsyetojmë si njerëz me përgjegjësi të mëdha dhe t’i ballafaqojmë divergjencat tona të mëdha, me forcën e arsyes, përpara se sa inercia e rrugës së gabuar që keni marrë t’Ju ketë degdisur në esfeltin e irrelevancës politike, megjithë grupimin Tuaj. Edhe njëherë, mua s’më duhet fati Juaj politik dhe as fati politik i atij grupimi – madje sipas meje, troç fare, rrënimi i plotë me duart Tuaja i grupimit që po udhëhiqni qorrazi është ogur i mirë për këtë vend e për vetë të ardhmen e institucionit të pazëvendësueshëm të opozitës – por ky moment me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, më imponon t’Ju lutem të ktheni rrugë! Sepse Shqipëria s’ka kohë për të humbur për llogaritë e gabuara politike dhe aventurat antidemokratike të kujtdoqoftë.

Duke Ju garantuar se jam në dispozicionin Tuaj, në çdo moment dhe pa kushte për një Dialog për Shqipërinë, si edhe duke Ju siguruar se sikur të tërë të dëshpëruarit nga Reforma në Drejtësi të hidhen përpjetë, nuk kanë për të ndalur dot as zbatimin e Reformës në Drejtësi, as zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor, uroj rikthimin Tuaj sa më të shpejtë në rrugën e arsyes.

Edi Rama

23 maj, 2019

Basha nuk kërkon vetëm largimin e Ramës, jep 3 propozime të reja

Basha ka deklaruar se largimi i Ramës nuk është fundi i betejës, por vetëm hapi i parë. Gjatë fjalës së tij në Durrës, Basha pa paraqitur 3 propozime të tjera që do i shërbejnë ndryshmit të sistemit.

Sistem me lista të hapura, President i zgjedhur nga populli me kompetenca të plota dhe referendume popullore, që populli të ketë levën në dorë për t’ju mbivendosur çdo politikani, janë disa nga propozimet që ka paraqitur Basha.

“Kjo betejë nuk do të përfundojë vetëm me largimin e Edi Ramës, ai është vetëm hapi i parë, por fjalët vendimtare për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të këtyre plagëve do ta ketë populli. Deputetët të zgjedhur drejtëpërdrejtë në 100 zona maxhoritare, apo sistem kombëtar me lista te hapura, senat që e ngadalëson dhe e bën transparent procesin legjislativ, President me kompetenca të plota që balancon pushtetet, pse jo edhe President të zgjedhur nga populli. Ndarje dhe balancim të pushteteve që garanton gjyqtarë dhe prokurorë të pavarur. Referendume popullore, lokale dhe kombëtare, që populli të ketë gjithmonë levën për t’ju mbivendosur çdo politikani që humbet arsyen, referendume për gjithçka që kanë të bëjnë me shëndetin, sigurinë. Këto janë disa nga propozimet. Do të ketë një vendimmarrje me referendum nga populli.” – tha Basha

Rama, ftesë Bashës: Harro urrejtjen dhe kushtet

Kryeministri Rama i ka drejtuar një letër publike kreut të PD-së Lulzim Basha duke i bërë thirrje të ulen në tryezën e dialogut pa kushte. Rama shkruan se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor, dhe se ai nuk ka asnjë fuqi ligjore të negociojë datën e zgjedhjeve.

LETER PUBLIKE LULZIM BASHES
Zoti Kryetar,
Ju drejtohem me këtë letër publike, në përpjekjen për t’i thirrur arsyes Suaj dhe për t’iu kthyer të vetmes rrugë që demokracia njeh, për trajtimin e mosmarrëveshjeve mes palëve: Dialogut!

Unë sigurisht, s’kam asnjë mirëkuptim për rrugën e zgjedhur prej Jush, qysh se braktisët marrëveshjen pozitive të 17 majit 2017 dhe vendosët ta nxirrnit grupimin Tuaj, plotësisht jashtë shinave të shtruara në atë marrëveshje. S’kam se si ta mirëkuptoj as gjuhën e urrejtjes, as djegien e mandateve, as dhunën e frymëzuar e organizuar prej Jush, prej së cilës nuk jeni distancuar asnjëherë; për të cilën jeni akuzuar botërisht, me emër e me mbiemër, nga partnerët e miqtë e pazëvendësueshëm të Shqipërisë dhe si pasojë e së cilës sot, një numër jo i vogël ndjekësish Tuajt gjenden në duart e drejtësisë. S’kam si të mirëkuptoj kurrësesi, as bojkotin e paprecendentë të zgjedhjeve dhe lëre pastaj, shantazhin mbi vendin e mbi qytetarët e këtij vendi, se Ju nuk do t’i lini ata të votojnë në 30 qershor.

Por mungesa e plotë e mundësive të mia për të mirëkuptuar gjithë sa më lart, nuk më pengon, përkundrazi, më detyron t’Ju drejtoj publikisht, këtë herë me shkrim, ftesën për t’u ulur pa humbur kohë në Tryezën e Dialogut. Dialogun s’mund ta pengojnë assesi, qoftë pozicioni Juaj ekstrem në lidhje me zgjedhjet vendore, qoftë pamundësia ime ekstreme në lidhje me datën kushtetuese të zgjedhjeve.

Jeta politike nuk mbaron në 30 qershor dhe që të jemi të qartë mes nesh, zgjedhjet në 30 qershor Ju mund t’i vështirësoni, nëse do t’i shkoni deri në fund rrugës pa krye, ku po e udhëhiqni grupimin Tuaj politik, por s’ka asnjë shans që t’i ndaloni të zhvillohen. Por Dialogu duhet të nisë pa humbur kohë, pavarësisht atyre që thoni e mendoni të bëni Ju në 30 qershor dhe pavarësisht faktit se unë 30 qershorin s’kam asnjë fuqi ligjore ta negocioj, edhe pse Ju jeni i lirë ta diskutoni në Tryezën e Dialogut.

Unë Ju ftoj në një dialog pa kushte dhe në kushtet kur Shqipëria e shqiptarët, nuk meritojnë përkeqësimin e një situate politike krejt të pakuptimtë, e cila po u kushton në mënyrë krejt të pamerituar. Shumica dërrmuese e tyre, përfshirë edhe shumicën e atyre që si zgjedhës të pakicës, s’kanë votuar e s’kanë ndërmend të votojnë ndonjëherë për mua dhe qeverinë që drejtoj, duan dialog mes nesh, e jo acarim mes shqiptarëve dhe dëmtim të Shqipërisë, për shkakun tonë. Aq më pak duan çka Ju po u ofroni sot, në një rrugë ku, të kuptohemi, nuk është fare halli im se do shkoni keq e më keq politikisht si grupim, po ku edhe ata vetë janë të humbur dhe ku askush nuk del i fituar.

Me shpresën e vobektë se ftesa ime do të merret parasysh dhe me urimin, që përveç fjalive propagandistike, të marr mbrapsht edhe përgjigjen pozitive për këtë ftesë, Ju lutem zoti Kryetar të pranoni shprehjen e dëshirës sime të sinqertë për shëndet të patrazuar, për Ju personalisht dhe familjen Tuaj.

Skip to toolbar