Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takoi këtë të premte fermerët e “Urës Vajgurore”. Para tyre, Basha u prezantua se do të sillet si “Kryeministër europian”, kur ai të vijë në pushtet. “Kjo qeveri ka ndërtuar një mekanizëm me kriminelët që blejnë votën. Por ka edhe njerëz që e shesin votën. Unë kam për detyrë që sa herë shitet vota, keni shitur fëmijët tuaj, keni shitur gjakun tuaj, keni shitur djersën tuaj. Dhe për atë grusht mielli, grusht lekësh që shisni 4 vjet, keni shitur veten tuaj njësoj siç shiten bagëtitë në tregun e Roskovecit apo Milotit. Unë kam për detyrë t’ju them se përpara keni një alternativë europiane, një parti europiane, një kandidat për kryeministër europian që është gati t’ju ndihmoj, që di t’ju ndihmoj, që do t’ju ndihmoj, që ka vendosmërinë t’ju ndihmoj”, tha Basha.
Basha vijoi sulmet ndaj Arta Vorpsit, anëtares së Gjykatës Kushtetuese që është zgjedhur nga KED, pasi Ilir Metës i skadoi afati për plotësimin e vakancës. Basha tha se “shteti nuk bëhet me noterë dhe parukiere”. “Nuk është gjykata ime, është gjykata juaj. Me noterë e parukierë siç i tha Presidenti nuk bëhet shtet. Sot ka dy mënyra, një mënyrë është të bësh sikur bën teatër bashkë me ta dhe asgjë nuk kishin për të ndaluar. Nëse prisni të dal në duel me Ramën të zgjidh problemet, atëherë nuk kemi arritur asgjë. Unë nuk ju shkrij së qeshuri me batuta, as nuk bëj foto me Ronaldon. Unë punoj e përpiqem për ju. Ngrihuni shkoni thyejuni turinjtë atyre që vijnë për t’ju blerë votën, dhe të mos tërhiqemi për asnjë centimetër dhe ta çojmë këtë betejë deri në fund”-tha mes tjerash, Lulzim Basha.
Më tej, Lulzim Basha shpalosi programin me 5 pika të Partisë Demokratike për fermerët. “Ndryshimet e TVSH-së do të marrin fund. Terrori për të pajisur fermerin me NIPT do të marrë fund. Fermeri do të indentifikohet me nr personal të indentifikimit. Çdo vit do të ndajmë 100 milionë euro në buxhet vetëm për t’ju subvencionuar dhe që nuk do të kalojë nëpërmjet grumbulluesve por dretpërdrejt tek fermeri në bazë të prodhimit. Në paketën tonë për arsimin e lartë do të zerohen tarifat për bachelor dhe master, bursë mbështetëse për fëmijët tuaj të cilët duan të marrin aftësi profesionale në sektorët që i shërbejnë zhvillimit rural. Aksesi i prodhimeve tuaja në treg do të jetë i garantuar. Nuk do të kletë më barriera, monopole dhe trarë të fshehur që çojnë në kalbjen e produkteve. Në infrastrukturë, siç do të rezervojmë 100 milionë euro për subvencionet, do të rezervojmë 50 milionë euro çdo vit. Ky do të jetë minimumi”, tha Basha.