“Basha në vilë”, Bashkia: S’raportoi dëm nga tërmeti

Pasi Partia Demokratike konfirmoi se Lulzim Basha ndërroi shtëpi për shkak se apartamenti i tij në katin e 12-të po rikonstruktohet pas dëmtimeve që mori nga tërmeti, ka reaguar edhe Bashkia e Tiranës. Zyra e shtypit të Bashkisë Tiranë tha se nuk ka asnjë deklaratë apo shkresë se në pallatin ku ndodhet apartamenti i kreut të PD Basha të ketë pësuar dëmtime nga tërmeti. Gjithashtu bashkia shton se nuk ka as aplikime për leje punimesh dhe se nuk ka dhënë një të tillë për familjen Basha.

 “Teksa dihet publikisht që z.Basha ka ndërtuar pa leje kate shtesë në pallatin e tij, pranë Stadiumit Kombëtar në Nj.. 2, as ditën e tërmetit e as sot nuk është deklaruar asnjë dëm. Për më tepër, administratori i Nj. 2 as nuk ka marrë aplikim për punime meremetimesh nga tërmeti e kësisoj, as nuk ka dhënë një leje të panevojshme e të pa kërkuar nga familja Basha.”,- thuhet në sqarimin e zyrës së shtypit të Bashkisë Tiranë për Report TV.

Partia Demokratike reagoi në lidhje me shpërnguljen e Bashës përkohësisht pas aludimeve në media se ai ishte zhvendosur në një super vilë që kushton mijëra euro. PD tha se zoti Basha dhe familja e tij janë zhvendosur përkohësisht në një banese me qira që është më e vogël sesa banesa e tij në rindërtim.

Basha pret mikun amerikan: Shqipëria ka shpresë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vlerësoi kontributin dhe bashkëpunimin ndër vite me analistin amerikan Daniel Serwer. Basha theksoi se alternativa dhe shpresa e vetme e Shqipërisë është anëtarësimi në BE. Gjatë takimit me mikun e tij Serwer, siç Basha e cilëson, ndau dhe shqetësimin për gjendjen aktuale të demokracisë dhe sundimit të korrupsionit. Megjithatë, Basha tha se Shqipërinë e pret një e ardhme plot shpresë dhe mundësi zhvillimi.

 “Daniel Serwer është një mik i çmuar me të cilin kam bashkëpunuar ngushtë në vitet e anëtarësimit te Shqipërisë në NATO dhe procesit të pavarësimit të Kosovës. Pata kënaqësinë ta pres në Tiranë ku bashkë me shqetësimin për gjendjen aktuale të demokracisë, sundimit të ligjit dhe krimit dhe korrupsionit, ndamë bindjen se Shqipërinë e pret një e nesërme plot shpresë dhe mundësi për zhvillim dhe mirëqenie reale dhe të prekshme nga të gjithë shqiptarët. Shqipëria ka vetëm një alternativë, rruga europiane dhe anëtarësimi në BE.” shkruan Basha

Duket se ndryshimi i taktikës së Bashës, ku harroi protestat e dhunshme dhe bëri 9 kushtet e Bundestagut pjesë të planit të saj, po përkrahet dhe nga ndërkombëtarët, takimet e të cilëve kanë nisur të shtohen në selinë blu.

Erl Murati në Realstory: PD, ende në fazë kolaudimi

Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare Erl Murati nuk beson se opozita është e gatshme për t’u përballur me zgjedhje. I ftuar në Real Story të Sokol Ballës në Neës24, gazetari Murati ka deklaruar se PD është ende në fazë kolaudimi, ndërsa ka komentuar sjelljen e opozitës gjatë muajit të fundit, ku duket ende e pavendosur sesi do të orientojë aksionin e e saj si brenda Shqipërisë, ashtu edhe në drejtim me faktorin ndërkombëtar.

“Opozita e ka ulur shumë stekën, duke u fokusuar vetëm te Reforma Zgjedhore. Është ndërgjegjësuar që atë që ka kërkuar në fillim të vitit, po largohet. Ka një lloj zbutje të lidershipit të PD, Lulzim Basha dhe kjo kuptohet më thjeshtë edhe nga ky spot”, tha Murati duke komentuar spotin e liderit të PD, të cilin e publikoi vetëm disa ditë më herët, ku dallohet qartë toni i butë i Bashës, me një ndryshim kursi në ligjërimin e tij, ku duket se ka lënë pas akuzat për qeverisjen dhe i ngjan më shumë një spoti elektoral.

Lidhur me këtë, gazetari Murati mendon se kjo sjellje e lëkundur vjen sepse gjuha e fortë dhe protestat, ndoshta kanë rezultuar jo produktive. “Ndoshta faktori ndërkombëtar, kritikat e kanë bërë që të reflektojë. Mund të ketë shumë arsye, por unë besoj se pavarësisht se çdo të bëhet në të ardhmen opozita është ende në fazë kolaudimi. Mendoj se opozita jashtëparlamentare nuk e ka strukturuar qëndrimin përfuntimar, do të ketë apo jo zgjedhje, do të kërkohet largimi i Edi Ramës, apo do të ulet. Unë besoj se PD është ende në momentin e thithjes së ideve për të dalë me një qëndrim më të qartë”, deklaroi kryeredaktori i Gazetës Shqiptare në Real Story.

Duke folur mbi ndryshimin e sjelljes së opozitës, Erl Murati ka vënë në dukje se kjo nuk është se ia rrit kuotat Partisë Demokratike. Ai mendon se kjo zbutje ka ardhur edhe nga faktori ndërkombëtar. “Do bëj një pyetje dhe do i përgjigjem po vetë. A besoni që PD i ka kuotat më të mira tani apo përpara zgjedhjeve? Unë besoj që kuotat më të larta i ka pasur përpara zgjedhjeve. Ishte një opozitë më e vërtetë”, tha Murati, duke vënë në dukje se nëse nuk do kishte qenë faktori ndërkombëtar, pse nuk duhej që opozita të bënte këtë sjellje që në fillim.

Basha: Jemi gati për zgjedhje, Ramën e kam mundur dhe më parë

Kreu i demokratëve Lulzim Basha tha se është gati të përballet me Ramën në zgjedhje, pasi e ka mundur njëherë tek e tek në zgjedhjet e 2011 dhe vazhdon ta mund atë çdo ditë. Gjatë një interviste për “News 24” Basha nuk dha përgjigje nëse ishte i gatshëm të shkonte në zgjedhje me Ramën kryeministër apo qeveri tranzitore, por tha se problemi kryesor është shmangia e zgjedhjeve të diktuara nga krimi.

Nuk kemi ne asnjë problem, as si opozitë, as si Parti Demokratike dhe as unë personalisht, sepse Edi Ramën e kam mundur edhe tek e tek dhe e kemi bërë atë betejë. E kam mundur dhe e mund çdo ditë. Nuk është problemi te njeriu, problemi është: do të ketë një palë zgjedhje të tjera si 2016-ta, 2017-ta, ku në vend që të votojnë qytetarët, në vend që të diktojë sovrani me votë, të diktojë krimi?! Oligarkët?! Avdylat?!” tha Basha

Në lidhje me  sistemin zgjedhor, Basha tha se është i hapur për ndryshim të tij dhe vetë qëndronte tek një sistem mazhoritar me lidhje të drejtpërdrejtë të deputetit me zgjedhësit. Në këtë mënyrë tha Basha fati i deputetëve nuk do të jetë i lidhur me kryeministrin, por me fatin e votuesit.

Absolutisht, jam i hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Personalisht e kam shprehur preferencën time për sistemin mazhoritar dhe lidhjen e drejtpërdrejt të deputetit me zgjedhësit dhe kjo i jep shumë mundësi zgjedhësit dhe deputetit, që të përfaqësojnë interesin publik drejtpërdrejt në Parlament, pavarësisht nëse partia e tij është në qeveri apo jo, dhe të mos shohin faktin qe kur partia është në qeveri deputetët kthehen në kukulla dhe ngrenë dorën çfarë t’iu thotë kryeministri, sepse e kanë të lidhur fatin me kryeministrin dhe shpeshherë me interesa korruptive, që vijnë nga qeveria, por ta lidhin ekzistencën e tyre politike me fatin e votuesit.” tha Basha

Basha takon aleatët, nuk ka datë për protestat

Opozita e bashkuar duket se ende nuk ka një datë të qartë për protestat. Edhe pse deklarojnë se protesta do të ketë, ende nuk kanë vendosur se kur do të nisin ato. Ka qenë Monika Kryemadhi, e cila bëri të qartë se opozita e bashkuar ka arritur në një vendim unanim se protesta do të ketë, por aktualisht pjesë parësore e axhendës së saj janë 9 pikat e vendosura nga Bundestagu gjerman. Ky vendim u arrit gjatë takimit të kreut të PD-së, Lulzim Basha me aleatët pasditen e të hënës.

Kryemadhi tha se Rama është fajtori i vetëm që vendi nuk mori vendimin për hapjen e negociatave dhe se tashmë qëllim kryesor i opozitës do jetë integrimi i vendit. Sipas Kryemadhit kjo do të arrihet me zgjedhje të lira dhe për këtë duhet bërë reforma zgjedhore.

“Vendimi i BE ishte tepër zhgënjyes për shqiptarët dhe partnerët tanë strategjikë. Nëntë kushtet e Bundestagut janë agjenda më e qartë dhe më e kthjellët për klasën politike shqiptare. Shkaktar i kësaj situate është kryeministri Rama, që duhet vendosur para përgjegjësisë. Kushtet e Bundestagut janë të qarta. Maqedonia e Veriut u ndëshkua për shkak të mos-ecjes së Shqipërisë në reforma. BE ka thënë se në Shqipëri ka krizë politike. Nuk ka integrim pa zgjedhje të lira. Ne si opozitë jemi tepër të qartë se e ardhmja e Shqipërisë janë BE dhe SHBA. Çdo tentativë për të kërcënuar partnerët janë politika të dështuara. Shqiptarët janë ata që duhet të vendosin. Duhet bërë reforma zgjedhore dhe të zgjidhet kriza politike, Fronti Opozitar dëshiron të zgjidhet kriza politike. Protesta do ketë, ato nuk janë me axhendë por me organizim. Në axhendë kemi integrimin  e vendit në BE. Protesta do të ketë nga më të ndryshmet.  Ka një zgjidhje, që të largohet Edi Rama.” tha Kryemadhi

Opozita e bashkuar deklaroi më herët se protestat do të rinisnin pas dhënies së vendimit për negociatat më 18 tetor, me arsyetimin e është duke lobuar në mënyrë që Shqipëria të merrte negociata. Negociatat nuk u hapën më 18 tetor, por duket se edhe opozita nuk ka ende një mënyrë të qartë apo datë fikse se kur do i rikthehet protestave.  Tashmë opozita është i ka kthyer sytë nga diskutimi i reformës zgjedhore sipas kushteve të vendosura prej saj në platformën me 5 pika që ka bërë publike.

Basha: Zgjidhja e krizës vjen nga reforma zgjedhore

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se reforma zgjedhore është e vetmja zgjidhje për daljen nga kriza. Basha tha se në vend që t’u hidhet faji të tjerë duhet të punojnë për të realizuar këtë reformë, pasi me akuza nuk do të arrijnë askund. Këto deklarata, kryedemokrati i bëri gjatë takimit që zhvilloi me shefen e misionit të ODIHR, Audrey Glover. Basha tha se në takim u diskutuar edhe strategjia e opozitës për këtë reformë për të siguruar në të ardhmen një qeveri në shërbim të qytetarëve.

Me drejtuesen e misionit të OSBE/ODHIR, ambasadoren Audrey Glover. I shpreha asaj vlerësimin për kontributin e vazhdueshëm të ODIHR për proceset zgjedhore në Shqipëri .

Reforma zgjedhore është vendimtare për ne dhe e vetmja rrugë për të dalë nga kjo krizë. T’ua hedhësh fajin të tjerëve është gjëja më e thjeshtë por nuk arrin askund! Ndaj ne duhet të besojmë dhe punojmë fort për ta realizuar këtë reformë. Opozita ka një strategji të qartë dhe është momenti për ta zbatuar pa humbur kohë! Të gjithëve na takon të punojmë pa u lodhur për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Një të ardhme ku të kemi një qeveri me të vërtetë të njerëzve, të zgjedhur nga njerëzit dhe që punon vetëm për njerëzit!” tha Basha

Reforma Zgjedhore ka rikthyer në Tiranë shefen e misionit të ODIHR, Audrey Glover, e cila do të diskutojë me aktorët politik për rekomandimet e OSBE. PD ka paraqitur për këtë reformë një platformë me 5 pika ku kërkohet që ajo të diskutohet pa praninë e opozitës parlamentare dhe me praninë e ndërkombëtarëve.

Basha përgatitet për “JO” të negociatave: Gati sulmi

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është duke u përgatitur që Shqipëria do marrë një “JO” nga BE për hapjen e negociatave. Mbyllja sërish e derës së BE për Shqipërinë, për Bashën do të lexohet si një dështim i qeverisë Rama dhe për këtë po përgatit sulmet ndaj saj, me shpresën se në këtë mënyrë do të mund ta rrëzojë atë nga pushteti. Basha ka nisur sulmet ndaj qeverisë në lidhje me premtimet e bëra prej saj në zgjedhjet e kaluara, që sipas demokratëve nuk janë mbajtur.

Përmes një video-mesazhi, Basha rikthen akuzat për kryeministrin Rama se nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e tij elektorale, por vetëm ka mashtruar! Sipas kryedemokratit qytetarët jo që nuk panë ulje taksash, por ato u ngritën. Duke e etiketuar si “gënjeshtar kronik”, Basha ka publikuar disa shifra, sipas së cilit faktojnë akuzat e tij. 

Pas shkaktoi një krizë politike në vend, me shpresën për të treguar para syve të botës se sundimi i ligjit nuk funksionon në Shqipëri dhe se vendi nuk meriton hapjen e negociatave, Basha shpreson që një “JO” e BE do të sjell rrëzimin e qeverisë apo ta përdorë si një arsye për të motivuar demokratët e tij për protesta të reja në vend.

Gënjeshtari Kronik premtoi mirëqeverisje dhe ulje taksash por solli varfëri, korrupsion dhe rritje taksash rekord në 30 vite! Kush harron prapë e pëson! #ShqipëriaSiEuropa #HajdutiPsiqik #RamaIk

Gepostet von Lulzim Basha am Samstag, 12. Oktober 2019

Basha, për Nobelin mendon njëlloj si Rama

Kreu i PD-së Lulzim Basha e ka cilësuar të tmerrshme dhe shokuese dhënien e çmimit prestigjioz për letërsinë Nobel për shkrimtarin austriak Peter Handke.

20 vjet më parë kam shërbyer në ekipin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë që akuzoi Milosheviçin për krime lufte dhe gjenocid. Të shohësh çmimin Nobel të shkosh tek dikush që mbrojti dhe justifikoi autorin e tmerreve më të mëdhenj në Evropë pas Holokaustit, është shokuese dhe e tmerrshme. Ditë e trishtuar për vlerat tona.” shkruan në twitter Basha

Handke njihet për adhurimin e tij ndaj Milosheviçit dhe justifikimin e gjenocideve të bëra prej tij, gjë për të cilën është kritikuar shumë si nga politika shqiptare por edhe profesorë e shkrimtarë ndërkombëtarë. Më herët edhe kryeministri Rama e cilësoi këtë çmim të gabuar dhe e bënte për të vjellë. Ndërsa kolegët e tij ndërkombëtarë u shprehën se “vlerësojë atë si shkrimtar, por jo si njeri dhe vlerave njerëzore që ai përcjell për publikun”.

Në lidhje me rastin ka reaguar edhe Akademia e Shkencave e cila shprehet e zhgënjyer duke e cilësuar si një akt të rëndë të dhunimit të vlerave njerëzore. Përmes një letre drejtuar Akademisë Suedeze në Stokholm për Çmimin Nobel, Akademia e Shkencave shpreh indinjatën e saj dhe deklaron se është e detyruar të reagoj ndaj një fituesi që në fakt vetëm përcjell urrejtje me fjalimet e tij dhe përkrah publikisht gjenocidet dhe krimet kolektive.

Nobeli i letërsisë është çmim talenti dhe qytetarie. Këtë vit ne jemi të detyruar të shprehim qëndrimin tonë, sepse kandidati i laureuar e implikon rëndë këtë parimësi, duke e paraqitur jurinë e këtij çmimi dinjitoz në standarde të dyfishta dhe shpërfillëse ndaj dukurive më të refuzuara europiane, si hate speech, përkrahja e krimeve kolektive, mbështetja publike e urrejtjes kombëtare, gjuhësore, fetare, racore, gjinore e kulturore, me shkelje të dukshme të kodit të etikës. E njëjta Akademi që akordon vit për vit çmimin Nobel të Paqes nuk mund t’i lejojë vetes të inkurajojë me Nobelin e Letërsisë urrejtjen dhe konfliktin.” Shkruhet ndër të tjera në letrën e Akademisë së Shkencave.

Basha: Rama, përgjegjës i krizës. Zgjidhja jemi ne

Kreu i PD-së Lulzim Basha theksoi se zgjidhja e vetme e krizës politike në vend do të vijë përmes platformës për Reformën Zgjedhore me 5 pika që opozita e bashkuar i ka lënë në tryezë qeverisë. Basha nuk tërhiqet nga plani për Reformën Zgjedhore, që ajo të diskutohet mes PS dhe PD duke larguar nga bisedimet opozitën parlamentare, që për opozitën e vetëlarguar është ilegjitime. Basha hodhi akuza se përgjegjës i vetëm për krijimi e krizës është Rama, ndërsa projektoi sërish vetën kryeministër ku tha se paratë e oligarkëve do t’u shpërndahen shqiptarëve sapo ai të vijë në pushtet.

 “Në fakt i vetmi njeri përgjegjës është Edi Rama. Ai po tregon se është pengesa e vetme për të tejkaluar këtë krizë. Opozita e bashkuar në krye të detyrës, propozimi për reformën zgjedhore vijon që të mbetet në tryezë dhe me këtë përgjegjësi i kam konfirmuar ministrit austriak që mund të mbështeten te PD-ja. Synimi ynë është që përmes zgjidhjes së krizës është që ecim me vendosmëri dhe vizion për të bërë detyrat tona të shtëpisë për të luftuar korrupsionin duke i nxjerrë paratë nga xhepat e politikanëve të korruptuar dhe duke i kthyer te xhepat e shqiptarëve” tha Basha

Këto deklarata Basha i bëri pas një takimi që mbajti me ministrin e Jashtëm austriak. Ai theksoi se Rama po ndjek një rrugë të gabuar duke fajësuar këdo pse Shqipëria nuk merr dritën jeshile për hapjen e negociatave.

Me ministrin austriak ndamë shqetësimin për qëndrimin e shumë faktorëve europianë me mosbesimin që ka krijuar qeveria shqiptare duke mos plotësuar kriteret kryesore për hapjen e negociatave. Dua ta them qartë që rruga që ka zgjedhur Rama në këtë javë që ka mbetur është e gabuar. Është rruga e fajësimit ndaj BE-së dhe çdo kujt tjetër, dhe opozitës, medias dhe qytetarëve për të hequr përgjegjësinë.”  tha Basha

Debatet në PD, Gjana flet për spiunë në parti, Alizoti: T’ia lëmë Enverit

Debatet brenda mbledhjes së PD në  lidhje me përcaktimin e aksionit opozitar, u fokusuan edhe në dhënien e mesazheve enveriste nga Jemin Gjana. Pasi Basha paraqiti 5 pikat kryesore të aksionit opozitar të ardhshëm dhe ua dha fjalën për diskutim të pranishmeve, ajo që ra në sy ishte thirrja e Jemin Gjanës: “Kujdes! Brenda partisë kemi ende elementë që i shërbejnë Ramës” duke folur për armiq të brendshëm në parti dhe tregim vigjilence ndaj tyre, si të ishte në një mbledhje të partisë komuniste të Enver Hoxhës.

Duket se gjithçka që mori nga pjesëtarët e partisë së tij ishte shpërfillja dhe ironitë. Në një pjesë të zbardhur të debatit nga Gazeta Tema, Tomorr Alizoti preferoi që t’i ironizonte këto thirrje të Gjanës duke thënë se “këto armiq në parti le t’ia lënë Enver Hoxhës”. Ndërsa Salianji preferoi t’i shpërfillte duke folur për hapje reale të partisë me personalitete publike dhe ekspertë të rinj dhe jo të mbahen sytë vetëm a do vijë dikush që ka punuar me Ramën.

Pjesë e zbardhur nga debati në mbledhjen e PD-së:

Lulzim Basha: Po e nis këtë mbledhje duke theksuar këta  elemente kryesorë të cilët janë edhe vijueshmëria e aksionit tonë opozitar:

1 Raporti i OSBE/ODIHR dhe rezoluta e Bundestagut, duke shpresuar se deri në tetor nuk ka ndërhyrje negative nga vendet skeptike, është skanimi i situatës. Jemi futur në fazën finale të zgjidhjes së krizës. Zgjidhja e krizës, që mbetet imperativ dhe objektiv kryesor yni, vjen vetëm duke iu drejtuar sovranit me zgjedhje të lira e të ndershme.

2. Asnjë iluzion se aksioni opozitar do të ketë ndërprerje apo tërheqje. Krahas aksionit opozitar dhe qytetar, do të vazhdojmë me përfundimin e programit dhe alternativës.

3. Përgatitja e PD për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje vendore në 1 ditë. E gjithë partia, jo vetëm forumet, zbret në terren dhe nis përgatitjet dhe kontaktin me qytetarët për zgjedhjet si zgjidhja e krizës.

Zgjidhja e krizës janë zgjedhjet e parakohshme. Aksioni opozitar do të intensifikohet, gati për protesta. Ritmi i punës në terren duhet të rritet. Alternativa është duke u përgatitur”

Jemin Gjana: Kryetar, une shoh qe situata e zgjedhjeve mund te shkoje dhe ne 2021 dhe duhet pergatitje. Partia Demokratike duhet qe te kete kujdes nga elemente qe e kane nisur qe ne 2009 bashkepunimin me Ramen dhe e vazhdojne edhe sot. Une kam folur per ta sahere kam mundur por duhet te kihen kujdes.

Tritan Shehu: Situata sot është shume e rrezikshme për te ardhmen e vendit, lirisë e integrimit, i cili siç e cilësoi dhe Bundestagu po kalon një krizë të rëndë të brendshme politike. Reforma zgjedhore në vetvete nuk mund ta lehtësoje gjendjen. Rama përpiqet ta përdorë atë për demagogji. Ajo duhet trajtuar si një pjesë e një pakete të gjerë politike për të çuar në zgjedhje të lira politike e lokale, të bazuar mbi çfarë ne miratuam në shkurt. Çdo rrugë tjetër do të jetë e rrezikshme për demokracinë tonë duke konsoliduar autokracinë. Ne duhet të vazhdojmë lëvizjen mbarë popullore duke e zgjeruar e thelluar atë, sidomos tashti që gjithmonë e më shumë kemi mbështetjen e partnereve tanë. Po kështu duhet të punojmë fort për forcimin organizativ të PD e zgjerimin e shtrirjen e saj të mëtejshme.

Ervin Salianji: Duhet ta qartësojmë mirë që ne nuk jemi tërhequr nga kushtet për zgjedhje të parakohshme dhe për largimin e Ramës, ndryshe pjesëmarrja në komision dhe zgjedhjet me reforme zgjedhore mund t’i kishin propozuar që para zgjedhjeve lokale pa lëshuar bashkitë.

Po ashtu pjesëmarrja në atë tryeze na obligon që tani të propozojmë plan konkret duke qenë gjithëpërfshirës dhe duke marrë mendimin e të gjithëve, nga ish deputetet tek kryesia tek kryetaret e degëve dhe kudo në shoqëri sepse çdo eksperience vlen. Qartazi ne duhet të propozojmë pa kompleks ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe të çojmë votën tek qytetarët dhe ta kalërojmë ne si betejë ndryshimin me listat e hapura.

Në lidhje me mendimin kritik, unë them që PD ka më shumë nevojë për mendim ndryshe ose alternativ por po aq ka nevojë të vlerësojë kontribuuesit e opozitës se vështirë 6-vjecare dhe jo të mbahen sytë vetëm a do vijë dikush që ka punuar me Ramën. Qytetarët presin hapje reale me personalitete publike dhe ekspertë të rinj.

Romeo Gurakuqi: Unë shoh si shqetësim që ne duhet qartësisht të kemi propozime konkrete ndryshimin e strukturës kushtetuese, duhet të propozojmë dhe të dalim me platformë konkrete se si dhe ku duhet të ndërhyjmë për të ndryshuar dhe për ta çuar vendimmarrjen tek qytetari. Në Shkodër duhet një plan konkret se si do ecim me një  “road map” konkret sepse situata është aspak pozitive aty!

Edmond Spaho: Vendi është në krize te thelle politike dhe këtë e faktoi dhe raporti i OSBE/ODHIR. Kriza kapërcehet me zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të ndershme. Ne duhet të parandalojmë ne reformën zgjedhore shitblerjen e votës, përdorimin e kontingjenteve kriminale, policisë,  përdorimin e administratës dhe gjithë elementet teknike që ka paraqitur OSBE/ODHIR.  Ne duhet të propozojmë dhe ndryshimet kushtetuese për balancimin e pushtetit,  për mosrënien e tyre ne një dore sikurse ka ndodhur aktualisht me Edi Ramën. Nëse mazhoranca nuk është e gatshme për zgjidhje politike rruga jonë është ajo e protestave. Protestat duhet të jenë në formë tjetër dhe pjesëmarrje edhe më masive se të deritanishmet. Ne duhet të hapim partinë sepse sa herë jemi hapur kemi pasur suksese.

Grida Duma: Duhet të kuptojmë qarte që jemi këtu për njerëzit; për demokratët dhe për shqiptaret. Nëse s’jemi për ata nuk jemi as për vete.  Shqiptarët presin nga ne të mos jemi e keqja më e vogël por më të mirë se kundërshtari.  Ne s’mund t’i gëzohemi faktit që do na votojnë ata që janë kundër Ramës, nuk mund të varemi nga vota kundër dhe kaq. Kjo sepse ka nga ata që mendojnë që mjaft të rezistosh dhe pushteti do vijë vete një here në 8 vjet. Shqipëria e 2019 nuk pret nga ne që të presim nga vota kundër. Unë besoj që ky forum dhe vete Partia Demokratike ka kapacitete për të qenë shumë herë më e mirë jo më pak i keq se qeverisja e Ramës. Por që ky forum të bëjë punën e vet duhet të përfshihet në vendimmarrje. Mbledhja e pare po zhvillohet ne 30 shtator pra fillim tetori pas muajsh e muajsh sakrifice.  Sakrifice e cila u bë në ekstrem nga demokratët dhe sot po përballet me kaosin dhe paqartësinë. Nuk duhet të kompleksohemi edhe nëse kemi bërë gabime por jo të rrime peng i tyre. Thamë protesta dhe i ndaluam, thamë morëm pjesë në nivel teknik në tryezën e reformës dhe ky dokument teknik nuk dihet cili është. Duhet doemos të kemi qartësi dhe të respektojmë sakrificën e madhe të bërë deri tani. Kjo do ta ndërtojë me siguri frymën e fitores.

Genc Pollo: Edhe pse votimet ndodhën në 30 qershor, edhe pse bashkitë i morën njerëzit e Ramës protesta gjashtëmujore e masat e pazakonshme treguan fuqinë e opozitës; forcë, e cila nga latente u bë proaktive; kështu u forcua besimi tek opozita në opinionin vendas dhe gjendja reale e problemet që ka sjellë qeveria u kapën nga radarët e mëdhenj ndërkombëtarë.  Nuk mbetën më të kyçura në sirtarë burokratësh. Deri në shkurt 2019 opozita për radarët ishin vetëm studentët e rrugës së Durrësit. Objektivi ynë duhet të jenë zgjedhjet e parakohshme të dyfishta brenda 2020, mundësisht deri në mes të vitit tjetër. Është zgjidhja më e mirë për Shqipërinë e për opozitën. Për ketë duhet mobilizim dhe baza ngrihet e motivohet edhe pse ka aty këtu ndonjë zhgënjim apo ndonjë kritikë për ndonjë inkoherencë tonën. Vetëm një veprim i fortë e konseguent edhe në rrugë mund imponojë zgjidhjen nëse Rama e refuzon atë me kokëfortësi.

Lulzim Basha: Tomorri i fundit se u zgjat mbledhja dhe duhet te jem be nje aktivitet.

Tomorr Alizoti: Nese flasim për Hegelin ai thote qe duhet perplasur teza me antitezen qe ne fund te arrijme nje sintezë. Une per nje kohe kam bere antitezen por tani ka ardhur koha qe te arrijme ne nje sinteze. Duhet qe te qemi te qarte qe situata eshte e turbullt dhe ne duhet te pranojme qe misionin qe nisem nuk e perfundojmë dot. Ne duhet ta ndajme nëse do shkojmë ne zgjedhje me reformen elektorale apo do shkojmë me Ramën ne zgjedhje. Ne lidhje me armiqte ne parti ata tia leme Enver Hoxhes.

Lulzim Basha: Asgjë nuk ka ndryshuar, ne i qëndrojmë kërkesave si më parë. Kriza sot është një realitet i pranuar dhe nga ndërkombëtaret. Ne do formojmë tre struktura të cilat na janë propozuar dhe nga konsulentët tanë që kemi muaj që i kemi si konsulentë. Do të kemi trurin zgjedhor, strukturën organizative dhe struktura juridiko elektorale. Ne duhet të shtojmë ritmin e punës në terren duke shpërndarë optimizëm tek anëtarët dhe jo dilema që gjithsecili mund t’i ketë. Ne nuk na pengon asgjë që të bëjmë punë organizative, të rrisim me 5 anëtarë për çdo QV numrin e anëtarësisë deri në fund të Tetorit dhe të mos kemi asnjë fiktivitet. Zgjidhja e krizës vjen nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme. Aksioni pa diskutim që do të intensifikohet me të gjitha mënyrat. Sot të gjithë janë të qartë që ndërkombëtaret janë vetëdijesuar nga lëvizja jonë nga ana tjetër ne kemi bërë çdo përpjekje që negociatat të hapen, kemi lobuar që negociatat janë për shqiptarët dhe jo për Ramën.

Ne duhet ta trajtojmë çdo ditë si fushatë elektorale dhe do ndërtojmë shtabet në çdo njësi, që meritokracia do të jetë matës, ne do të shohim se kush punon më shumë dhe do bëjmë renditje të 300 anëtarëve të Këshillit Kombëtar, pasi nuk do jenë të gjithë deputetë!

Skip to toolbar