Nard Ndoka deklaroi në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla,
se opozita, dhe Lulzim Basha, do të ulen në tryezë me Edi Ramën, nëse
Kryeministri angazhohet për t`i përmbushur kushtetet e vendosura nga Gjermania
për hapjen e negociatave. Sipas Nard Ndokës, data e hapjes së negociatave është
në dorë të Ramës.
“Nëse Kryeministri kthehet nga SHBA dhe vjen në Shqipëri me një axhendë politike, dhe i kthen pikat për të marrë përgjigje pozitive në 18 tetor, kjo është në dorë të Edi Ramës. Ne për fatin e keq nuk marrim datë për hapjen e negociatave. Ne kemi një ‘jo’ për hapjen e negociatave. Por Rama e ka në dorë, pasi ka një afat kohor, që të ketë një reflektim maksimal nga BE. Me të ardhur Rama nga Amerika, ulemi ne e Lulzim Basha, nëse merr parasysh 9 pikat dhe angazhohet për t`i zgjidhur ato. Ne nuk kërkojmë që Rama të ikë prej presionit tonë, por nga përgjegjësia kombëtare. Ai vjen dhe shpall axhendën, që në mars do ketë zgjedhje të prakohshme. Këto pika që janë të BE janë dhe axhenda e opozitës. Topi është në fushën e Edi Ramës tani. Nëse data 18 do të jetë një datë e hapjes së negociatave dhe nëse Rama pranon pikat, nuk do të ketë pengesa për tu ulur në tryezë të gjithë”, tha Ndoka.
Aleatit tjetër i Lulzim Bashës, Agron Duka, tregoi në “Real Story”, se
7 kërkesat e aleatëve drejtuar kryedemokratit, kanë në thelb hapjen e opozitës
për personalitete nga fusha të ndryshme, që do të jenë gati për të krijuar
qeverinë e ardhshme. “Unë personalisht e vlerësoj Bashën në raport me aleatët. Me
ne është luajal, na takon vazhdimisht, na dëgjon. Për sa i përket platformës,
ne themi që të gjithë partitë që janë pjesë e këtij koalicioni të sjellin ato
njerëz që gjykojnë se janë të mirë. ne nuk jemi dakordësuar për të gjitha
pikat. Politika është numra. Mund të dali dhe ajo që themi, duke qenë se përfaqësojmë
shtresa të ndryshme, mund të përzgjedhim një brum për qeverisjen e ardhshme. Personazhe
të cilët akuzohen për vjedhje votash duhet të dënohen”, tha Ndoka. /Realstory.al/
Opozita e bashkuar ka preferuar të shprehet se “është në një mendje me Bashën” në lidhje me ftesën e kryeministrit Rama për të nisur një dialog me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike për Reformën Zgjedhore. Pas një takimit të zhvilluar në selinë blu për më shumë se 60 minuta mes Bashës dhe aleatëve të tij, ku ndër të tjera është diskutuar edhe për dialogun për reformën zgjedhore, aleatët thanë shkurt se në fillim duhet të zgjidhet kriza. Pas përfundimit të takimit, ka qenë kryetarja e LSI Kryemadhi, por edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, të cilët deklaruan se opoizta ndan të njëjtat qëndrime si Basha.
Kryemadhi është shprehur për mediat se opozita
e bashkuar shumë shpejt do të bëjë publike Planin Kombëtar për të dalë nga
kriza, ndërsa për ftesën për dialog përgjigjen e ka dhënë më herët Basha.
“Ajo çfarë zoti Basha deklaroi 3 orë më përpara është përsëritje e çdo gjëje pas një akordimi që kemi pasur nëpërmjet telefonatave të të gjithë bashkëkryetarët e Frontit Opozitar. Ne jo vetëm që nuk lëvizim asnjë presje nga qëndrimet tona, por do të vazhdojmë të ecim përpara me platformën që opozita ka gati për zgjidhjen e krizës. Jemi duke punuar grupet e punës për platformën, e sigurisht në tryezë nuk ulet vetëm një njeri, por janë të gjithë personalitetet, njerëzit me integritet dhe me vlera të të gjithë partive politike. Mos harroni se Fronti Opozitar tashmë është 85 përqind e shqiptarëve” ka thënë Kryemadhi.
Ndërsa Idrizi është shprehur se “Padyshim që ftesa për dialog ishte pjesë e diskutimeve dhe ajo që tha zoti Basha është qëndrimi i të gjithë opozitës”.
Ashtu si Basha edhe aleatë e tij vlerësojnë se Reforma Zgjedhore të bëhet në një moment të dytë, pas zgjidhjes së krizës. Më herët kreu i PD, Basha tha se Reforma Zgjedhore nuk ishte shkaktarja e krizës, prandaj para saj duhet të zgjidhet kriza përmes vullnetit politik. Ai gjithashtu kërkoi nga mazhoranca të mos tallet me tryezën e dialogut, duket emëruar kryetar të saj Damian Gjiknurin, të cilin demokratët e akuzojnë si një nga emrat e dalë nga përgjimet e Bild për dosjen 184 për shit-blerjen e votës. Kjo na lë në një situatë ku të gjithë ende pyesin “do pranojë apo jo opozita ftesën e Ramës?”
Paraditen e të mërkurës, Rama u drejtohej me
një ftesë publike drejtuesve të partive të opozitës jo parlamentare të marrin pjesë
në tryezën e dialogut për Reformën Zgjedhore. Një ftesë e të tillë pak më herët
e kishte bërë edhe OSBE-ja, ku ftonte PD të ishte pjesë e tryezës së
diskutimeve për Reformën Zgjedhore që do të mbahet më 25 shtator.
Nuk dihet se çfarë do të vendoset për tryezën e dialogut, pasi opozita është duke mbajtur një qëndrim shumë të paqartë. Megjithatë kryetari i grupit parlamente të PS, Taulant Balla ka theksuar disa herë se pavarësisht ftesë që i bëhet opozitës joparlamentare, reforma nuk do të mbetet peng i saj./ RealStory
Kryeministri Edi Rama u ka drejtuar një ftesë
publike drejtuesve të partive të opozitës joparlamentare me në krye Bashën.
Ndryshe nga takimi i 17 majit, ku Rama u
takua dhe bëri marrëveshje vetëm me Bashën, këtë herë kryeministri kërkon takim
me të gjithë krerët e partive opozitare. Pra ftesa e tij i drejtohet edhe
Kryemadhit, Ndokës, Dules, Dukës, Shehit e Mediut.
Në letrën publike të publikuar në faqen e tij
zyrtare në facebook, Rama shkruan se është gati të takohen kurdo dhe kudo për të
diskutuar për reformën zgjedhore, ndërsa bën të qartë dhe njëherë se zgjedhjet
e ardhshme janë në qershor të vitit 2021. Në këtë mënyrë Rama ia pret shkurt opozitës
dhe kërkesës së saj për zgjedhje të parakohshme, duke ia bërë të qartë që në
fillim se nuk do ta diskutojë një kërkesë të tillë.
“Ju drejtohem publikisht në përpjekjen për të
krijuar një hapësirë dialogu e ndërveprimi mes nesh, lidhur me një sfidë të
përbashkët të një rëndësie kombëtare, Reformën Zgjedhore.
Kundërshtitë tona në aspektin politik janë
botërisht të njohura dhe pozicionet respektive, në raport me hapësirën
institucionale të vendit po ashtu.
Sidoqoftë, përtej skajshmërisë së dallimeve
tona, ne as nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin dhe as nuk e zhbëjmë dot
ekzistencën e njëri-tjetrit. Pra jemi të dënuar të bashkëjetojmë pavarësisht
jopëlqyeshmërisë reciproke, për sa kohë të tjerët, zgjedhësit, na kanë dhënë
mandate përfaqësimi, disave për të qeverisur e disave për të bërë opozitë.
Ju vendosët t’i digjni mandatet e hyrjes në
Kuvend dhe të vetëpërjashtoheni nga jeta parlamentare e kësaj legjislature. Por
gjithësesi, deri në zgjedhjet e qershorit 2021, ju jeni të votuar për të
përfaqësuar një pjesë jo të vogël të zgjedhësve shqiptarë. Prandaj edhe Kuvendi
ka rezervuar një vend të posaçëm për ju, në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Procesi ka nisur në Kuvend me opozitën
parlamentare dhe do të mbyllet në Kuvend natyrisht, por mungesa juaj ne
institucionin më të lartë vendimmarrës të republikës, nuk ju përjashton
vetvetiu nga hapësira e diskutimit për Reformën Zgjedhore. Përkundrazi. Të
paktën ky është opinioni im dhe duke vënë re edhe mungesën tuaj në vetë tryezën
e Komisionit Zgjedhor, ju ftoj të takohemi e të bashkëbisedojmë për këtë sfidë
të përbashkët, në çdo kohë e vend që do t’ju vinte për shtat – sigurisht në
rast se ju jeni të interesuar të përfshiheni në këtë proces. Pa kushte”,
shkruan Rama.
Nuk dihet nëse kjo ftesë e tij e parë do të pasohet nga një tjetër, duke kujtuar se kjo është një taktikë e Ramës, e ndjekur më herët me Bashën, kur para zgjedhjeve të 30 qershorit i drejtoi jo pak por 6 letra, përmes të cilave e ftonte të uleshin dhe të diskutonin për një marrëveshje, në mënyrë që opozita të mos braktiste zgjedhjet. Vetë Basha pak më herët u shpreh për gazetarët të cilët e pyetën për tryezën e thirrur nga OSBE për reformën zgjedhore, se një tryezë e tillë nuk e zgjidh krizën në vend. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i Bashës dhe i opozitës së bashkuar në tërësi, lidhur me ftesën e Ramës./realstory.al
Politikanët kanë nisur ditën e hënë me urimin
për nisjen e vitit të ri shkollor. I pari që ka shpërndarë në facebook urimin e
tij ka qenë presidenti Ilir Meta. Ai ka zgjedhur disa foto të vjetra me nxënësit,
ndërsa bën të ditur se “dija është e domosdoshme për të përballuar dallgët e
jetës”.
Meta: Dija është e domosdoshme për të përballuar dallgët e jetës
Ndër të tjera Presidenti Meta ka uruar edhe
mësuesit duke u përcjellë mirënjohjet e tij
për punën e palodhur. Po ashtu Meta u ka bërë thirrje të gjithë prindërve të fëmijëve që
kanë braktisur shkollën që të rikthehen në institucionin e dijes. Sipas Metës
investimi në dije është investimi më i sigurt për të ardhmen europiane.
“Sot ju hidhni hapin më të madh e më të
rëndësishëm, suksesi i të cilit, do ju ndihmojë të fitoni garat e tjera të
jetës. Me mësuesit, si udhërrëfyes e bashkëudhëtarë, jam i bindur se do të jeni
një brez i ditur që do t’ja ndriçojë edhe më shumë emrin Shqipërisë. Uroj
gjithashtu shumë suksese edhe për të gjithë nxënësit në këtë vit të ri
shkollor, në përpjekjet e tyre për nxënien e dijeve të reja, aq të domosdoshme
në përballimin e dallgëve të jetës. Mirënjohjen më të thellë për të gjithë
mësuesit, që me punë të palodhur, përkushtim e sakrifica arsimojnë denjësisht
brezat e rinj. Përmbushje me sukses të misionit tuaj fisnik të edukimit! Gjithashtu
sot është dita për t’ju bërë një thirrje edhe të gjithë familjarëve dhe
fëmijëve, të cilët me apo pa arsye kanë braktisur shkollën, t’i rikthehen asaj
sa më parë.
Prioriteti kryesor i një shoqërie, që ka besim
tek e ardhmja plot sfida, është vetëm duke investuar në dije dhe arsim tek
gjenerata më e re. Ky është investimi më i sigurtë për të ardhmen tonë
europiane.
Vetëm kështu ne mund të rrisim shpresën dhe
besimin se do t’i kapërcejmë me sukses sfidat e së ardhmes, në radhë të parë në
interesin e fëmijëve tanë, të cilët janë drita e syve, shpirti dhe zemra e çdo
familjeje shqiptare, dhe e shoqërisë sonë”, shkruan Meta.
Rama: Do të ndërtojmë shkolla të reja
Ndërsa kryeministri Rama e nisi ditën e parë të
shkollës në shkollën e re të “Servete Maçi” në Tiranë ku përveç urimit bëri të
ditur se deri më tani janë 200 shkolla të rikonstruktuara nga qeveria ndërkohë
që premtoi ndërtimin e disa shkollave të reja.
Ndër të tjera Rama është ndalur tek librat
falas për fëmijët nga klasa e parë në të pestën. Ai ka thënë se vitin tjetër do të punohet që
të ofrohen libra falas edhe për klasën e 6 dhe të 7.
“E rëndësishme të thuhet se përtej
infrastrukturës që po transformohet numërojmë afro 200 shkolla të rindërtuara.
Do të shtohen të tjera në vijim. Do t’i çojmë përpara me një ambicie te re të
rindërtimit dhe ndërtimit të shkollave. Të jenë një model i ri të shkollës të
kësaj kohe që jetojmë. Kur infrastruktura është aty dhe logjistika është aty
ajo që ka rëndësi është përmbajta e procesit. Kemi një sistem jashtë kthetrave
të politikes, apo imponimeve të rryshfetit. Jo gjithçka është ‘flori’, kemi
probleme.
Vitin e
ardhshëm do përfshijmë klasën 6-7 tek lista e nxënësve që i përfitojnë
librat falas. Më pas nga klasa e parë në të 9, librat do të jenë falas për të
gjithë”, është shprehur Rama.
Veliaj: Mësimi me dy turne do të marrë fund
Kryebashkiaku Veliaj ka thënë se në vitin e
ardhshëm ashtu siç janë ndërtuar në vitet e mëparshme që ai drejton bashkinë e
Tiranës, do të ndërtohen edhe së paku 17 shkolla të tjera të cilat do t’i japin
fund mësimit me dy turne në shkollat e Tiranës.
“Çdo shtator hapet një shkollë e re. Do të
hapen 17 shkolla të tjera. Do t’i japim fund dy turneve. Ka qenë ideja e Edit
që thoshte dil nga korniza. Dhe ne e bëmë këtë. Është dizenjuar nga studentë të
sapodiplomuar. Mirënjohje të veçantë , por jo vetëm me ata që kanë bërë punën
fizike, por edhe të tjerët që kanë kontribuar”, është shprehur Veliaj.
Basha uron nga facebook: Një e ardhme më e mirë do vijë për Shqipërinë
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zgjodhi
facebook-un për të uruar nxënësit për vitin e ri shkollor. Ndër rreshta nuk ka
lënë pas edhe politikën, kur thotë se një e ardhme më e mirë do të vijë për
Shqipërinë, dhe do të jetë e afërt.
“Të dashur nxënës, prindër dhe mësues, ju uroj nga zemra vit shkollor të mbarë dhe
të ndriçuar nga drita e dijes! Lulet që mbajnë sot vogëlushët në duar janë
simboli i shpresës dhe besimit tek një e ardhme më e mirë për të gjithë fëmijët
e Shqipërisë, që nuk do të vonojë!”, shkruan Basha në facebook.
Ruçi në Fier: Arsimi profesional nxit punësimin e të rinjve
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i uroi nxënësit
nga shkolla “Petro Sota” në Fier ku vuri theksin tek arsimi profesional.
Ruçi tha se duket t’i kushtohet më shumë rëndësi
arsimit profesional, pasi ai nxit punësimit më shpejt të të rinjve.
“Numri i nxënësve që ndjekin arsimin
profesional është disa -fishuar gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, të
diplomuarit e arsimit profesional janë gati dyfishuar krahasuar me vitin 2013.
Arritjet në sistemin arsimor duhet t’i
krahasojmë me ndikimin në shoqëri, në tregun e punës, në të ardhurat dhe në
nivelin e jetesës së qytetarëve. Në këtë kontekst, duhet të reflektojmë, të
nxjerrim përfundime, të gjejmë
rrugëzgjidhje për dy çështje themelore të tregut të punës dhe sistemit të
mirëqenies: Nivelin e papunësisë rinore dhe hendekun gjinor në paga, pra pagat
më të ulëta të grave e vajzave.
Megjithë përmirësimet në shkollimin
profesional dhe arritjet në tregun e
punës, papunësia rinore është ende rreth dy herë më e lartë se papunësia
e popullsisë së rritur. Kjo ndodh për shumë arsye. Por unë shfrytëzoj këtë ditë
për të bërë apel për më shumë burime dhe investime për formimin dhe arsimin
profesional, të cilin duhet ta shndërrojmë në një destinacion të pëlqyeshëm dhe
të preferuar të rinisë”, është shprehur Ruçi
A duhet një marrëveshje me Bashën? Unë e kam një përgjigje direkte: JO!
Dhe kjo s’ka lidhje me “fatvat” e Lulit ndaj meje apo Real Story, të cilat para tetë vjetëve përballë Berishës (në pushtet) duken si lule të rralla pranvere sesa si rreshje të forta dimri. Bile s’ka lidhje as me deklaratat e Doktorit në Opinion, për “ruajtjen e sistemit aktual proporcional”, ose i vetmi sistemi ku LSI teorikisht ka mundësinë të vendosë se kush mund të qeverisë. Komuniteti ndërkombëtar të premten foli tre herë për reformën elektorale dhe ndër to, vetëm një herë u përmend Opozita e vjetër. Ndërsa Merkel takonte Ramën në Berlin dhe i jepte lajmin për hapjen e negociatave nga pala e saj, ambasadori i saj në Tiranë takonte po të premten Rudi Hajdarin, vajzën që të gjithë e presupozojnë si Ralf Gjonin, por e cila sot ecën para me një mbështetje të fortë amerikane për ngritjen e një Opozite të Re. Subjekti? Reforma Zgjedhore. Më vonë foli edhe Soreca, një mik i vjetër i Bashës, i cili përmendi të njëjtën reformë si pikënisjen e një dialogu edhe me opozitën jashtë Kuvendit. Duken si gjëra të ndara, por ato lidhen në faktin se tashmë po afron afati për nisjen e reformës më të rëndësishme në vend pas asaj të Drejtësisë. Dhe alarmi ka rënë. Të gjitha partitë opozitare, përfshirë edhe LSI, po kërkojnë marrëveshje dhe dialog (mundësisht) dhe zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Kundër duket se janë Berisha, Meta dhe Bes Kallaku, por vetëm Lul Basha është i paqartë në fatin e tij. T’i thuash ulu me Ramën, i bën mirë vendit, por e varros atë dhe aksionin e tij politik (6 muaj luftë, dy muaj “ohoho”). T’i thuash mos u ul, në fakt i bën mirë atij dhe aksionit të tij as më… as më… Por i bën keq vendit teorikisht: pasi nuk ul dy palët në tavolinë prej një viti.
Po prit? A janë vërtetë dy palë?
Në fakt po, por mes tyre nuk është as Basha, as Kryemadhi dhe pas pak javësh nuk do të jetë më pas Meta. Ndërkohë gati 40 deputetë të opozitës, përjashto Lefter Maliqin që sillet si Lefter Lefteri pa arsye, jo thjesht janë aty kot. Luli para se të bëjë marrëveshje me Ramën, i duhet të bëjë marrëveshje me ta, një gjë që është në kufijtë e të pamundurës. Lulit, para se të ulet me Ramën, i duhet t’i marrë “leje” Hajdarit Junior. Dhe e vetmja mënyrë që ajo t’ja japë, është në shkëmbim të një ofiqi të lartë zyrtar në PD, psh. në vend të Bardhit, çka do ta bënte vendimin, veç të tjerave, të mos dukej as misogjinik.
Por ne e dimë që kjo nuk do të ndodhë. As Rama dhe as Basha nuk kontrollojnë Opozitën Hajdari. Luli mund të bëjë marrëveshje me Maliqin, por asnjë marrëveshje tjetër me qeverinë dhe maxhorancën, nuk është në të mirën e tij. Rama, nën presionin ndërkombëtar dhe të opozitës së re, që ka votat në kuvend, do të duhej të binte dakord për ndryshimet thelbësore kushtetuese elektorale, një gjë që ai më herët nuk e ka pranuar. Por si mund të bëjë marrëveshje me Lulin, që veç Terit të Beratit, s’kontrollon dot asgjë përtej bahçes së SHQUP-it?
Prandaj për gjithë këtë situatë, ka vetëm një zgjidhje: Basha duhet lënë në fatin e vet. Ai të ndajë mendjen nëse do PD apo vetëm një zyrë të saj. Por s’ka asnjë zyrë teke që vendos dot për fatet e vendit. Koha e Hoxhëve ka mbaruar. Sido që ta sjellësh bisedën, Shqipëria bën edhe pa Bashën. Basha pa Shqipërinë, mbetet thjesht një kamarier i rëndomtë, me një diplomë e pasuri të dyshimtë.
Rudina Hajdari mori pjesë gjatë të enjtes në
dy ceremoni homazhi të organizuara nga Partia Demokratike, duke u shfaqur në
krah të kreut të PD-së, Basha, i cili e përjashtoi nga partia disa muaj më parë,
vetëm se ajo nuk pranoi të linte mandatin e deputetes. Shtrëngimi i duarve mes
Bashës dhe Hajdarit u pa sot si një sinjal për shkrirjen e akujve mes tyre. Përgjatë
gjithë këtyre muajve ata kanë pasur qëndrime krejt të kundërta. Basha nxiti
deputetët të lënë mandatet dhe të braktisin kuvendin. Më pas ndërmori një seri
protestash të dhunshme dhe bojkotoi zgjedhjet vendore. Ai gjithashtu i doli në
mbrojtje Metës i cili anuloi zgjedhjet përmes një dekreti antikushtetues. Nga ana
e saj, Rudina Hajdari vendosi kundër partisë që të mos braktisë kuvendin dhe të
mos dorëzojë mandatin e deputetes. Ajo doli kundër protestave të dhunshme të
PD-së duke cituar ndërkombëtarët dhe apelin e tyre të vazhdueshëm. Handari u
shpreh kundër vendimit të PD-së për të bojkotuar zgjedhjet dhe e cilësoi antikushtetues
dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve.
Pra që nga shkurti e deri tani, Basha dhe
Hajdari kanë treguar se janë shumë larg njëri-tjetrit në qëndrime dhe akte
politike.
Por gjithsesi prania e saj sot në homazhet e
organizuar nga PD e Bashës, ashtu edhe në homazhet e organizuara nga Gramoz Ruçi
i PS-së u pa si një sinjal i vendosjes së një ure komunikimi mes palëve, ose të
paktën si gjetja e personit kyç për të lidhur dy kampet.
Vetëm pak ditë më herët, analisti Mero Baze shkruante
në një koment se ndryshimet kushtetuese apo edhe reforma elektorale është në dorën
e Rudina Hajdarit. Madje ai sugjeronte Bashën që më shumë se aleatët që mban
pranë si Mediu, Duka e Ndoka, i duhet Rudina dhe deputetët që përjashtoi me bujë
dhe që sot janë në Kuvend dhe kanë ende një rol për të luajtur, ndaj dhe është
mirë t’i ftojë për kafe dhe t’u kërkojë ndjesë.
“Lulzim Basha mund të ulet në tryezë me Edi
Ramën, mund të marrë çfarë do ai, apo çfarë do Edi Rama, por ndryshimet do
bëhen në Parlament, dhe ato janë në dorë të Rudina Hajdarit dhe grupit të
opozitës parlamentare. LSI dhe aleatet e tjerë të vegjël të PD, mund të kenë
kërkesa për ndryshim sistemi, por para se të ulen e t’i bëjnë qejfin njëri-
tjetrit, është mirë të ulen e të pinë kafe me deputetët që kanë në Parlament.
Biles po ta kishin bërë më parë, mund të shpëtonin dhe shkarkimin e
presidentit.
Nëse ka sot një faktor real parlamentar që ka
në dorë ndryshimet elektorale dhe kushtetuese e mbi të gjitha, dhe afrimin apo
jo të zgjedhjeve parlamentare, se ato lokale janë më 2023, kjo është opozita
parlamentare. Opozita parlamentare është e vetmja forcë reale që mund të
kthehet në urë komunikimi mes opozitës së rrugës dhe qeverisë”, shkruan Baze.
Pas shtrëngimit të duarve këtë të enjte mes Bashës dhe Rudina Hajdarit, lindi pikërisht kjo pyetje, a do të jetë Rudina Hajdari “negociatorja” për zgjidhjen e krizës mes opozitës jashtëparlamentare dhe qeverisë për të arritur një marrëveshje mes palëve në të mirë të vendit? Të shohim…/realstory.al
Presidenti Meta në mbrojtje të vetes para
Komisionit Hetimor, nuk ka kursyer as Ramën e as Bashën nga akuzat duke i
sulmuar që të dy. Sipas Presidentit si Rama ashtu dhe Basha u treguan kokëfortë
dhe ishin gati të çonin vendin në konfrontim duke shkaktuar viktima e gjakderdhje,
ndaj dhe ai mori aktin për të anuluar datën e zgjedhjeve.
Meta e cilësoi të gabuar vendimin e opozitës për të djegur mandatet e deputetëve,
ndërsa po aq të gabuar e cilëson edhe rolin e maxhorancës që i zëvendësoi sipas
tij me shpejtësi vendet vakante në Kuvend, pa bërë asnjë përpjekje për dialog.
Presidenti gjithashtu thotë se ai ka bërë përpjekje
që palët të ulen në një tryezë dialogu por si Rama dhe Basha u treguan kokëfortë.
“Bëra përpjekje për dialog, por kokëfortësia e
kryeministrit për të mos diskutuar mundësinë e shtyrjes së datës 30 qershor dhe
e dyta kokëfortësia e kryetarit të PD-së për të mos u ulur me Ramën si kryeministër,
nuk la vend për tryezë”, tha Meta.
Ai sulmoi ashpër Ramën duke thënë se “gjuha e
tij helmuese” nxiti dhunën në protestat e opozitës.
“Nuk kam qenë dakord me mitingjet e Ramës, që në thelb ishin anti mitingje të kryeministrit. Ia kam thënë Ramës, se pas çdo proteste të opozitës, ai organizonte anti mitingje. Por gjuha e tij helmuese acaronte protestuesit përballë policisë së shtetit që kanë qenë në situatë të vështirë. Kujtojmë që një police humbi gishtat e dorës. Çfarë mund të bënte presidenti kur të dy palët kërkonin konfrontim. Konfrontimi mund të sillte gjakderdhje dhe do shkaktonte viktima?”, tha Meta në Komision.
Është rasti të kujtojmë se në të 10 protestat
e opozitës, pavarësisht dhunës së ushtruar nga protestuesit dhe përpjekjeve për
t’i vënë zjarrin si kryeministrisë ashtu edhe godinës së parlamentit, nuk është
plagosur asnjë protestues, por vetëm policë. Pikërisht ky fakt rrëzon deklaratën
e Metës, se qeveria, apo Rama synonte gjakderdhje./realstory.al
Edvin Kulluri një nga zërat më të fuqishëm kundër
Bashës në PD, pjesë e lëvizjes “Basha IK” u është drejtuar të hënën me një apel
demokratëve, të cilëve u bën thirrje të marrin fatet e partisë në dorë dhe të
mos presin “revolucionin e tretë” të Lulit.
Përmes një analize të gjatë në facebook,
Kulluri thekson se Shqipëria sot ka nevojë për një PD në pushtet dhe për një
opozitë të fortë parlamentare, që nuk i fshihet garës dhe betejave politike.
Ai akuzon dhe vesh me përgjegjësi kreun e PD-së
për të gjitha dështimet e partisë, që nisën që nga futja e PD-së në çadër e
deri tek dalja në rrugë e mbetur pa asnjë pushtet.
“Shqipëria ka nevojë për një PD në pushtet! Të
djathtët nuk e meritojnë një opozitë qaramane që fshihet nga gara, përgjegjësia,
betejat dhe gara! PD nuk është roje çadrash me 20 veta në turne qesharake si
roje parkingu, por për një parti të aftë ideologjikisht dhe politikisht për të
qeverisur vendin! Nuk mund të lihet Rama të livadhisë mes korrupsionit, propagandës
dhe përçmimit ndaj njerëzve! JO! Vendi ka nevojë për PD që nisi historinë e
demokracisë përballë diktaturës e nuk i dilka dot përballë Ramës e Taulantëve!
PD nuk mund të jetë parti frikacakësh, njerëzish pa ide që presin të “bjerë vetë
qeveria”! Nuk është parti me një grup njerëzish që presin fjalimet bosh të
kryetarit dhe të deleguarve nëpër mbledhje degësh ku “ ata bëjnë sikur na
drejtojnë e ne bëjmë sikur angazhohemi”! E kemi parë si janë katandisur
protestat nëpër rrethe me 200 vetë kur degët kanë nga 3 000 mijë anetarë! Ne
s’jemi parti “guerriljesh” që hedhin molotov e vrapojnë nëpër rrugica! PD është
themeluar në ‘90-91 me Sigurimin e Shtetit në fuqi, e sot paskemi frikë nga
Ditmiri, Gjushi, Taulanti e ca kopje të vogla të piktorit!”, shkruan Kulluri.
Ndërsa Basha sulmon reformën në Drejtësi dhe
akuzon Ramën për kapjen e saj, Kulluri shkruan se edhe për këtë fajin e ka vetë
PD që nuk ka dërguar emrat e opozitës në KLGJ dhe KLP. Ai shkruan se edhe në
zgjedhjet e 2017 në vend që opozita të shihte listën e zgjedhësve priste të
flirtonte për ndarje pushteti dhe qeverie me Ramën. Kujtojmë se pas qëndrimit disa
mujor në çadër, në 2017, Basha shkoi dhe bëri një marrëveshje kokë më kokë me
Ramën, që mbahet mend si marrëveshja e 17 majit.
“Nuk morëm pjesë në reformën territoriale,
rrinim në çadër kur PS ishte në fushatë, flirtonim për qeveri të përbashket kur
“leaderi” bërtiste për “fundin e rregjimit” që mori 74 deputetë! Ngrijmë e
shkrijmë se mos na mbetet kryetari pa karrige e nuk caktojmë emrat e opozitës në
KLGJ e KLP e pastaj “qajmë” se Rama vendos njerëz në sistemin e drejtesisë! Bëjmë
selfie nëpër mitingje por askush nuk kapi me dorë listat e zgjedhësve në 2017!
Rrotullohemi rreth Kryeministrisë si “roza rozina” e pastaj kthehemi tek oborri
i PD duke kënduar me stonature Himnin Kombëtar si me qenë tifozë futbolli!
Shpallim fitore 85% në zgjedhje kur Rilindja merr 100% të bashkive në tavolinë!
Kur u thua këto të vërteta, ca ulin kokën si dorëzim ndaj realitetit, ca të
tjerë thonë se në 2021 “do fitojmë”, e kur u thua “si”, çohen nga tavolina se
kanë harruar gjellën në zjarr! Çohuni dhe flisni, kërkoni zgjidhje, përplasni
dorën në tavolinë, kërkoni llogari e mos i shkoni mbas atyre që aktin më të
madh heroik kanë frazën “si urdhëron kryetar”!”, shkruan Kulluri.
Më tej ai u bën apel demokratëve që t’i
bashkohen lëvizjes “Basha ik”, të marrin në dorë drejtimin e partisë që nga
seksionet dhe degët e PD-së dhe deri tek kryesia qendrore. Sipas Kullurit
demokratët nuk kanë çfarë presin më nga Luli që dështoi në disa “revolucione”.
“Mos prisni revolucionin e radhës se s’ka për
të ndodhur pas tre të parëve që u tretën në harresën e komedive me heronj
facoletash me lotë gazi! Merrni partinë në dore nga seksioni deri në kryesinë e
degës dhe luftoni për partinë tuaj! Mos u tërhiqni për hunde nga “lufta e
kryetarit” me armiq në PD, Amerikë, BE, media por tregoni që PD është parti
zgjedhjesh, garash, përplasjesh, fitoresh, qeverisjesh dhe jo “lojtarësh
kukamfshehti”! Politika është për burra dhe gra të fortë e jo për “koka të
ulura” që hanë “sapunin për djathë” mjafton që të jetë sapuni i Kryetarit dhe
kryetarëve të vegjël!, shkruan Kulluri.
Pritet që gjatë këtij muaji lëvizja “Basha IK” të intensifikohet edhe më tej. Kësaj lëvizje i janë bashkuar disa nga figurat më të rëndësishme të PD-së të larguar ndër vite për shkak të përplasjeve me kreun e PD-së Basha. Pjesë e lëvizjes pritet të jenë Jozefina Topalli, Arben Imami, Ibsen Elezi, Edvin Kulluri etj. Ata akuzojnë Bashën se ka shpërbërë PD-në dhe e ka lënë atë pa asnjë pushtet përmes vendimeve të gabuara, ndaj dhe është koha që ai të largohet. Edhe apeli i sotëm i Kullurit synon ndërgjegjësimin e anëtarësisë së PD-së për t’iu bashkuar lëvizjes “Basha Ik”./Realstory.al
Frika e një marrëveshje
Basha-Rama për reformën zgjedhore, pa marrë parasysh kërkesat reale të partive të
vogla për të ndryshuar sistemin ka rritur mosbesimin e LSI dhe aleatëve të
tjerë të Partisë Demokratike. Pikërisht kjo frikë bën që LSI por edhe partitë e
vogla aleate me PD, të këmbëngulin të jenë pjesë e mundshme e tryezës së dialogut.
Disa ditë më parë Edmond Panariti i LSI por edhe kreu i PR, Fatmir Mediun e bën
të qartë se nuk duhet të ketë më një pakt Rama-Basha, por në tryezën e dialogut
për reformën zgjedhore duhet të ketë një përfaqësimin të gjerë të opozitës.
“Dialogu do
të jetë si grup opozitar, përfaqësim të integruar të opozitës në bisedën me
qeverinë për të gjetur një zgjidhje nga kjo krizë, në fakt jo me qeverinë, por
me PS-në. Basha besoj se ka nxjerrë mësime nga një negociatë e ngushtë, që nuk
i ngjante një kompromisi, por një pazari.”- ka thënë Panariti në një intervistë,
ndërsa një qëndrim të tillë ka mbajtur edhe Kreu i Partisë Republikane, Fatmir
Mediu, i cili kërkon që opozita të mos humbë kohë por të ulet me mazhorancën
për të dhënë idetë e saj për reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi. “Opozita
nuk mund të hyjë në dialog, duke vendosur kushte. Unë e kam thënë me bindje se
nuk ulemi me Edi Ramën, por do ulemi me Partinë Socialiste. Këtu duhet të marrë
fund historia do ulet Basha me Ramën, këtu duhet të fillojë të ulet pozita dhe
opozita, të cilët zgjedhin përfaqësuesit e tyre.” është shprehur Mediu.
Mirëpo kësaj
frike përveç aleatëve të PD, e ka edhe opozita parlamentare, e cila disa herë është
shprehur se nuk do të lejojë krijimin e
një marrëveshje të re Rama-Basha për interesa të tyre personale. Më herët, ka
qenë vetë Rudina Hajdari që iu tremb një marrëveshje të tillë duke deklaruar
se, “ky marrëveshje e tretë do të ishte fundi i Bashës duke i dhënë pavdekshmërinë
në pushtet Ramës”.
Mirëpo nga
se lindi kjo frikë për një marrëveshje të re Rama-Basha? E gjitha nga një
sinjal që dha Basha për shenja të
mundshme dialogu kur foli për një platformë kombëtare mes palëve, ndonëse
tentoi të thoshte se nuk ka marrëveshje me Ramën. Frika e
arritjes së një marrëveshje mes dy partive të mëdha pa ndryshuar sistemin zgjedhor
do të ishte fatale për partitë e vogla. Kërkesa themelore e të gjitha partive
dhe grupeve politike për reformën zgjedhore është ndryshimi i sistemit
zgjedhor, duke implementuar korrektimin kombëtar të votave. Ky propozim
parashikon rritjen e përfaqësimin e partive të vogla në Parlament, duke
dobësuar në të njëjtën kohë pozitat e dy partive të mëdha, PD-PS. Korrektimin
kombëtar parashikon që votat e parive të vogla nuk shkojnë për të dy partitë e
mëdha, por mblidhen në të gjitha zonat dhe prodhojnë mandat. Me sistemin
aktual, nëse një parti ka vetëm një votë më pak se sa numri i domosdoshëm për
të prodhuar një mandat, të gjitha votat shkojnë për partinë e madhe në
koalicion ose për partinë që merr më shumë vota.
Megjithatë duket se partitë politike harrojnë rolin
vendimtar të opozitës parlamente. Nëse ka sot një faktor real parlamentar që ka
në dorë ndryshimet elektorale dhe kushtetuese, kjo është opozita parlamentare,
votat e të cilës kanë vlerë në Kuvend. Opozita parlamentare është e vetmja që
mund të ndalë një marrëveshje Rama-Basha dhe e përpjekja për ta injoruar atë mund
të rezultojë një dështim.
Mbetet për tu parë se çfarë do të ndodh realisht me Reformën Zgjedhore dhe tryezën e mundshme të dialogut, ku Basha ende bën sikur nuk do të ulet në tryezë, ndërsa Rama është shprehur i gatshëm të pranojë çdo propozim që merr miratimin nga OSBE/ODIHR./ RealStory.al
Aktivisti i njohur shqiptaro-amerikan Geri
Kokalari i është kundërvënë ashpër kreut të PD-së Basha përmes një mesazhi në rrjetet
sociale.
Kreu i PD-së ka postuar në twitter foto nga takimi që zhvilloi pak ditë më herët me drejtorin e ri të Zyrës së Evropës Qendrore e Jugore, David Kostelancik dhe shkruan se ka patur një bisedë të hapur për nevojën për ndëshkimin e politikanëve të korruptuar.
Pikërisht këtu ka ndërhyrë me një koment aktivisti
i njohur shqiptaro-amerikan Geri Kokalari. Ai i ka kujtuar Bashës disa nga
çështjet për të cilat ai është përfolur si i përfshirë. Kokalari i ka kujtuar
Bashës skandalet në të cilat ai është përfshirë si 21 Janari, Gërdeci, grabitja
e parave të rrugës Durrës-Kukës dhe financimi i jetës së tij të shtrenjtë.
“Hej gomar, kur do të marrim përgjigje për
AEY, Albertol, Gerdec, vrasjet e 21 janarit, përfshirja juaj në kontratën
Bechtel, skemat piramidale të Enver Berishës, si e keni financuar stilin e
jetës tuaj, etj, etj, etj., Etj. . ???”, shkruan Kokalari.
Vihet re se nuk ka pasur asnjë reagim të Bashës.
Kujtojmë se Geri Kokalari është një emër mjaft
i njohur në komunitetin shqiptar në Amerikë. Ai është themelues i
organizatës së “Shqiptarëve për një Shqipëri Demokratike”, një grup avokatie i
formuar në Shtetet e Bashkuara për të promovuar institucionet demokratike në
Shqipëri. Ai ishte themelues, arkëtar dhe drejtor i Këshillit Kombëtar
Shqiptaro-Amerikan, ndërsa ka themeluar zyrën e parë lobuese për shqiptarët në
Uashington. Kokalari është gjithashtu një themelues dhe drejtor i Fondacionit
Ndihmës Shqiptar, i cili ka zyra në Nju Jork dhe në Tiranë dhe ka ofruar mbi 10
milionë dollarë ndihmë humanitare në Shqipëri. Kokalari ka botuar artikuj të
shumtë për Shqipërinë dhe krizën e Kosovës, ndërsa është shfaqur në programet
televizive kombëtare në SHBA për të diskutuar çështjet shqiptare. Familja e
zotit Kokalari ka qenë aktive në çështjet e komunitetit shqiptar amerikan për
mbi 100 vjet.
Duket se qëndrimet e Bashës kanë ftohur jo vetëm marrëdhëniet e tij me SHBA-në por edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Amerikë, siç është Kokalari./Realstory.al