Brexit, Boris Johnson kërkon zgjedhje të parakohshme më 12 dhjetor

Boris Johnson kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme më 12 dhjetor. Ai i ka dërguar një letër drejtuesit të Laburistëve, Jeremy Corbyn duke i kërkuar që të mbështesë marrëveshjen e Brexit dhe mbajtjen e zgjedhjeve më 12 dhjetor. Johnson shpreson në një bashkëpunim me laburistët për të miratuar në parlament marrëveshjen e Brexit dhe më pas të mbahen zgjedhjet e përgjithshme. Nëse kjo pranohet nga opozita, atëherë Johnson shpreson të miratojë marrëveshjen e Brexit para shpërbërjes së parlamentit më 6 nëntor dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme më 12 dhjetor.

“Nëse deputetët me të vërtetë duan më shumë kohë për të studiuar këtë marrëveshje të shkëlqyeshme të BREXIT, ata mund ta kenë atë , por duhet të bien dakord për zgjedhje të përgjithshme në 12 dhjetor.” shkruhet në letrën e Johnson.

Boris tha se u detyrua t’i kërkojë BE të zgjasë afatin për daljen e Britanisë nga unioni përtej 31 tetorit, edhe pse ai vetë nuk e dëshironte këtë gjë.

Johnson, letër BE-së për shtyrjen e Brexit

Kryeministri britanik Boris Johnson ka dërguar një letër në BE ku i kërkon vendeve anëtare të shtyjnë BREXIT, pasi parlamenti i vendit të tij nuk miratoi marrëveshjen e arritur. Me 322 vota pro dhe 306 kundër është rrëzuar marrëveshja e Johnson me BE duke e detyruar atë të kërkojë një tjetër shtyrje për daljen e Britanisë nga familja europiane, që ishte planifikuar më 31 tetorit.

Letra ka mbërritur në BE, ku Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk tha në Twitter: “Kërkesa për shtyrjen e Brexitit sapo ka mbërritur. Tani do të filloj të këshillohem me udhëheqësit e BE-së se si të reagojmë”.

Vetë Johnson nuk dëshironte një shtyrje tjetër të BREXIT duke e cilësuar si të dëmshme për vendin, BE por dhe demokracinë.  Por ai është i detyruar me ligjin e miratuar me nismën e opozitës të mos dalë nga unioni pa një marrëveshje.

Bar west/ 3 vëllezërit ‘kuqo’ dhe aspirata e Pollos për të marrë PD

Zgjedhja e Boris Johnson si Kryeministër të Anglisë, e bën botën të ketë dy liderë kontrovers së bashku me atë amerikan Donald Trump. Nuk është vetëm qëndrimi i tyre në raport me politikën e brendshme dhe të jashtme të vendeve që drejtojnë, por edhe pamja, ajo që i bën të tërheqin vëmendjen e qytetarëve anë e mbanë botës. Johnson ashtu si dhe Trump, kanë tipare karakteristike të flokëve, ngjyrë ‘kuqo’ dhe flokë disi të gjatë. Por nuk janë vetëm qytetarët e Anglisë dhe SHBA-së, që kanë fatin të kenë liderë kontrovers, e mbi të gjitha kuqo. Vëllai më i vogël “siamez” i Trump dhe Johnson gjendet pikërisht në Shqipëri.

Edhe ai është politikanë me një karrierë të gjatë në politikën shqiptare. Bëhet fjalë për Genc Pollon, politikanin e djathtë shqiptarë, që ka shumë të përbashkëta mes Trump dhe Johnson. Së pari, Trump, Johnson dhe Pollo janë të tre kuqo, të tre politikanë të djathtë dhe konservator dhe kontrovers mbi të gjitha. Po ku qëndron kontroversiteti i Genc Pollos në raporton me Donald Trump dhe të ngjashmin e tij në Angli Boris Johson.

Genc Pollo është shquar për qëndrimet e tij kontroverse në raport me Partinë Demokratike, kur Pollo, ‘politikani biond’ i Shqipërisë, drejtonte PDR. Por ndonëse e akuzoi pafund Berishën në vitet kur PD ishte në tranzicionin e gjatë të pas 97-ës, Genc Pollo më pas do të binte në konformitet me PD, madje duke e shkrirë partinë e tij me atë të Berishës. Në kontaktestin aktual, pas Donald Trump në SHBA, Boris Johnson në Angli, a do të jetë Genc Pollo politikani ‘biond’ ose ‘kuqo’, që do të ketë ambicie pë të arritur majat e politikës shqiptare përsëri?!

Në Shqipëri ekziston një shprehje e njohur: “Kuqi më i mirë ka vrarë babën e vetë”. Kjo gjithmonë në kontekstin politik, që flet pë dinakërinë dhe ambiciet e tyre!

Europa nuk po ndal dot të qeshurat prej Boris Johnson

Titulli “Çfarë???” që kishte zgjedhur gazeta gjermane “Stern” tregon më së miri reagimin që pati i gjithë Bashkimi Evropian pas zgjedhjes së Boris Johnson si kryeministër i Britanisë së Madhe.

Ndërkohë që amerikanët duken më pak të befasuar me kryeministrin e ri britanik (e kanë një të ngjashëm në shtëpi), evropianët nuk kishin as më të voglën ide se kush është me të vërtetë Johnson.

Në gjithë Evropën, reagimi ndaj ngjitjes së tij në zyrën më të lartë politike të Britanisë ka qenë shënuar më shumë nga humori sesa shqetësimi lidhur me atë që mund të sjellë mandati i tij. Nga Brukseli në Berlin, të gjithë duket se kanë një listë “me pamjet më qesharake të tij”.

Disa nga mediat madje bënë artikuj komplet jo relevant për ballinë, duke ironizuar keq me zgjedhjen e liderit të “pothuajse të divorcuarës”, Britanisë.

Ndërkohë që evropianët kanë qeshur pa masë me gafat e Donald Trump, ata respektuan (nga frika) fuqinë e zyrës së tij. Por askush nuk ka frikë nga Johnson.

Nuk është që nuk ka pasur të tillë edhe më parë. Evropa pati një peizazh politik të shtruar nga Silvio Berluskoni, dhe së fundmi Viktor Orban, një stil edhe më i egër se ai i Johnson-it.

Sfida e tij më e madhe përballë BE-së në javët dhe muajt e ardhshëm do të jetë prova vendimtare që do ta shfaqë edhe më shumë repertorin e tij.

Por meqë Johnson është person politik me përvojë prej dekadash, tallja ndaj Johnson mund të zbulojë së shpejti se objektivat e humorit të tij megjithatë nuk mund ta shkojnë përtej shakave. Brexit-i është shumë serioz.

Pas shumë vitesh qeshje me të, evropianët thjesht nuk e marrin Johnson seriozisht. Në këtë fazë, është e vështirë të imagjinohet se çfarë mund të ndryshojë mendjet e tyre.

Megjithëse Britania mbetet një lojtar kyç strategjik brenda Evropës, kjo mbështetje varet nga të dyja anët e Kanalit.

Pas konfiskimit të një tankeri të naftës me flamur britanik nga Irani javën e kaluar, për shembull, Britania u përgjigj duke thirrur për një forcë detare evropiane për të mbrojtur rrugët e detit në Ngushticën e Hormuzit. Pra, nuk qenka edhe aq “divorc”

Kur është fjala për ekonominë, Britania është shumë më e varur nga BE-ja sesa anasjelltas.

Kjo është arsyeja pse përgjigjja e Evropës ndaj kërcënimit të Johnson-it për të lënë BE ka qenë një “hidhërim i sjellshëm dhe i matur”.

Në mos për tjetër, zgjedhja e Johnsonit si kryeministër do të bëjë më të lehtë që udhëheqësit e BE-së që t’i përmbahen zotimeve, duke refuzuar të lëvizin nga kushtet e marrëveshjes që kanë negociuar me Theresa May, paraardhësen i tij.

Çfarëdo qofshin të metat e saj si kryeministër, May, ndryshe nga Johnson, gëzonte një reputacion në mesin e liderëve evropianë si një ndërmjetëse e ndershme dhe me parime.

Duke pasur parasysh rolin udhëheqës që Johnson e luajti në fushatën e Brexit dhe vazhdimin e tij të vazhdueshëm të BE-së, udhëheqësit evropian jo vetëm që nuk e besojnë kryeministrin e ri, por më shumë e përçmojnë atë.

Rreziku nga hendeku i kredibilitetit të Johnson mund të nxisë udhëheqësit e BE të nënvlerësojnë gatishmërinë e tij për të mbaruar punë me Brexit, duke shkaktuar një reaksion zinxhir, potencialisht katastrofal.

Përkrahësit e Johnson-it parashikojnë se ai do të ngrihet mbi sfidat historike me të cilat përballet Britania, ashtu si idhulli i tij, Winston Churchill. Ashtu si Johnson, Churchill u prit me skepticizëm të thellë kur u bë kryeministër. Ai shihej si një “send i lirë dhe i pamatur”.

Por as armiqtë politikë të Churchill nuk dyshuan bindjen e tij ndaj idealeve. Në rastin e Johnson, është e vështirë për të gjetur këdo që mendon se ai ka qoftë edhe një ideal.

Edhe nëse talenti prej humoristi i Johnson i ka sjellë atij vëmendjen dhe çelësat e Downing Street, liderët e Evropës janë të vendosur që të vazhdojnë të qeshin.

Me rrethanat në të cilat gjendet vendi, Evropa po qesh mirë, pasi po qesh e fundit! /Politico.eu

Boris Johnson krijon kabinetin e ri për “Brexit”

Kryeministri i ri britanik, Boris Johnson ka nisur mandatin e tij të mërkurën duke formuar kabinetin e ri qeveritar. Në mesin e emrave të parë të përmendur në kabinetin e tij ka qenë Sajid Javid, i cili është emëruar në pozitën e kancelarit britanik, i cili njihet si mbështetës i procesit të Brexitit, apo largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Si ministër i Jashtëm është emëruar Dominic Raab, derisa këtë pozitë deri disa orë më parë e ka mbajtur Jeremy Hunt. Ky i fundit ka dhënë dorëheqje nga pozita që ka mbajtur pasi kryeministri i ri i ka ofruar një pozitë tjetër ministrore, që për të ka qenë e papranueshme.

Në mesin e emrave të rinj të kabinetit qeveritar është edhe Priti Patel, e cila është ngarkuar me pozitën e ministres së Brendshme në Britani. Një nga çështjet kyçe të kësaj qeverie konsiderohet finalizimi i procesit të Brexit-it, meqë Britania pritet të largohet nga BE-ja më 31 tetor të këtij viti.

Kryeministri i ri britanik ka thënë se do ta largojë Britaninë në këtë datë me apo pa marrëveshje nga blloku evropian, derisa ligjvënësit britanikë janë zotuar se do të rrëzojnë secilën qeveri që tenton të largojë Britaninë nga blloku evropian pa një marrëveshje.

Megjithatë, në fjalimin e parë si kryeministër, Johnson thënë se dëshiron të hartojë një marrëveshje të re me BE-në, lidhur me Brexitin. Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016./REL/

Boris Johnson konfirmohet nga Mbretëresha: Brexit ndodh në tetor

Boris Johnson mban fjalimin e tij të parë si kryeministër i ri Mbretërisë së Bashkuar në Downing Street. Fjalimi i tij i parë vjen pak pas konfirmim të detyrës së tij të re si kryeministër nga Mbretëresha Elisabeth II dhe miratimit të saj për të formuar qeverinë e re.

Në qendër të fjalimit të tij, ashtu siç pritet është çështja e Brexit duke thënë qartë se “Britania nuk dorëzohet dhe më 31 tetor do të dal përfundimisht nga BE.”

I sigurt dhe gati luftarak në fjalimin e tij të parë si Kryeministër, Johnson tha se njerëzit kanë prit mjaftueshëm dhe se unë do të vihem në shërbim të tyre.

“Nuk kemi pse presim edhe 99 ditë për arritjen e një marrëveshje për Brexit. Brexit ishte një vendim themelor nga populli britanik dhe Britania e Madhe do të ndjekë një partneritet të ngushtë me BE. Do të ketë vështirësi, por jam i bindur se do të ketë një marrëveshje pwr daljen nga unioni. Puna fillon tani.” tha Johnson nga ndërtesa numër 10 e Downing Street, ku u fut si kryeministri 77 i Mbretërisë së Bashkuar.

Boris Johnson dhe sfidat si kryeministër

Boris Johnson u shpall të martën fitues i garës brenda udhëheqjes konservatore britanike, për të zëvendësuar zonjën Theresa May. Kjo i hap atij rrugën të ftohet nga Mbretëresha të mërkurën për t’u bërë kryeministër i ri i vendit. Ish-gazetari ambicioz dhe ish-kryebashkiaku i Londrës kishte pritur gjithë jetën e tij politike për të marrë postin më të laertë, por për të nuk do të ketë muaj mjalti dhe pozita e tij është tani në tehun e thikës. Nëse i bën gjërat gabim, ai mund të thyejë rekordin e Lordit Rockingham në vitin 1782, i cili qëndroi vetëm 96 ditë në Downing Street, duke u bërë kryeministri më jetëshkurtër i Britanisë.

Rebelët në partinë e tij, të udhëhequr nga sekretari i thesarit që po largohet, Philip Hammond, e kanë bërë të qartë se nëse ai përpiqet ta nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje me Brukselin, ata do të votojnë me partitë opozitare për të rrëzuar qeverinë. Kjo do të shkaktonte zgjedhje të parakohshme që konservatorët nuk do të kishin gjasa t’i fitonin.

Me premtimin e zotit Johnson për ta nxjerrë Britaninë “me hir a me pahir” nga BE-ja më 31 tetor, gjërat mund të komplikohen. Alan Duncan u largua si ministër për të nisur një përpjekje që ta detyronte kreun e ri të paertisë të përballet me një votë besimi në Dhomën e Komuneve edhe para se të ftohet nga mbretëresha për të hyrë në Downing Street si kryeministër.

Kryetarja e Dhomës i bllokoi përpjekjet e zotit Duncan. Vetëm një pjesë e vogël e ligjvënësve konservatorë pro-BE-së do të mund të përbënin shqetësim për zotin Boris Johnson. Rreth 12 ministra pritet të largohen nga kabineti, përpara se ai të bëhet kryeministër.

Konservatorët po qeverisin si qeveri e pakicës dhe janë të varur nga një parti nazike, Unionistët e Irlandës së Veriut, që u japin atyre shumicën prej vetëm dy vendesh më shumë në Dhomën e Komuneve. Kjo mund të reduktohet në vetëm një vend më shumë, nëse një ligjvënës konservator shpallet fajtor për vepra seksuale në një gjyq të pritshëm.

Boris Johnson përballet me të njëjtën dilemë parlamentare që rrëzoi udhëheqjen e paraardhëses së tij, Theresa May, një parlament të bllokuar. Vetë zonja May paralajmëroi kohët e fundit se pasardhësi i saj do të përballet me të njëjtën aritmetikë të vështirë parlamentare. Por, disa thonë se ai do të përballet me një matematikë edhe më të ashpër. Zoti Johnson tha se ishte një “nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm” për t’u zgjedhur udhëheqës, dhe ai premtoi se do të “mobilizojë vendin”. “Fushata ka mbaruar dhe puna fillon,” tha ai. Gjatë gjithë fushatës së tij ai sulmoi “pesimistët” që ulnin Britaninë dhe vuri në shënjestër atë që ai e quajti një ndjenjë disfatizmi./VOA/

Boris, kryeministri me prejardhje turke, që donte të bëhej “mbret”

Kur ishte fëmijë, kishte thënë se donte të bëhej “mbreti i botës”. Tani ia ka dalë (pak a shumë): sot Boris Johnson është zgjedhur në krye të Partisë Konservatore britanike dhe ka marrë postin e Kryeministrit, duke zëvendësuar të dorëhequrën Theresa May.

Por në të vërtetë udhëheqësi i ri i Mbretërisë së Bashkuar, duhej të quhej Alexander Kemal: sepse ky ishte mbiemri i stërgjyshit turk, para se familja të vendoste të adoptonte mbiemrin më anglez, Johnson. Edhe Boris është emri i tij i dytë: për familjarët e tij ka qenë gjithmonë, dhe vazhdon të jetë, thjesht Al. Boris Johnson është pseudonim, një personazh i krijuar për të lënë pas një fëmijëri kaotike dhe të pazakontë.

Johnsonët janë një klan shumë i bashkuar, katër fëmijë, të gjithë shumë inteligjentë dhe shumë bjondë, grusht bashkuar përreth patriarkut Stanley: i cili u ka ngulitur ambicien për sukses dhe një shpirt super konkurues. Ai vetë kish qenë student në Oksford dhe atje kish fituar çmimin prestigjoz studentor të poezisë, po atë çmim që në të kaluarën e ka marrë Oscar Wilde; po në Oksford kishte studiuar dhe e shoqja Charlotte, një piktore e talentuar.

Por Stanley ishte një donzhuan i pandreqshëm dhe ata u divorcuan në 1979, kur Al-Boris ishte 15 vjeç: ai ra në depresion dhe pak më vonë u diagnostikua me Parkinson. Një traumë që do të linte shenjë tek bijtë e tij.

Al-Boris kishte lindur në Nju Jork dhe në 14 vitet e para të jetës kishte ndërruar shtëpi 32 herë, në 2 kontinente. Por Johnsonët nuk lundronin mbi flori: Al u pranua në Eton, kolegji më ekskluziv në Angli, vetëm falë një burse studimesh. Ai ishte në fakt një prej King’s Scholars, 70 nxënësit që përzgjidhen çdo vit mes të rinjve më inteligjentë të Mbretërisë, dhe që financohen në zbatim të një urdhëri të nxjerrë nga Henriku VI në vitin 1440: qëndrojnë në një fjetore të veçantë dhe vishen gjithashtu ndryshe. Të tjerët, të pasurit që paguajnë shkollën, janë Oppidans: cholars, ku bën pjesë dhe Boris, i konsiderojnë budallenj të llastuar, ndërkohë që Oppidans i snobojnë si “varfanjakë”. Për të kuptuar më mirë, David Cameron, edhe ai nxënës në Eton në atë kohë, ishte një Oppidan: dhe kjo shpjegon rivalitetin me Sholar-in Johnson. Si dhe psikologjinë e këtij të fundit.

Vogëlushi Alexander, deri në moshën 8 vjeç, ishte pothuaj shurdh. Një gjë që e kishte izoluar nga fëmijët e tjerë dhe që kish nxitur ndjeshmërinë dhe inteligjencën e tij. Për të mbijetuar, në Eton kishte nisur të zhvillonte personalitetin ekscentrik dhe tërheqës, duke i tërbuar profesorët me sjelljen e tij arrogante. Siç thoshin shokët, ishte i sigurt se rregullat nuk ishin bërë për të. Pikërisht atëherë e ndërroi emrin dhe e bëri Boris.

Edhe në Oksford, Johnson arriti të futet falë një burse studimesh. Por hidhërimi i tij i madh ishte se nuk ia doli të diplomohej me maksimumin e notave: e kaloi pasditen duke qarë në një kinema. Dhe kur vëllai i tij Jo e mori me të gjitha nota maksimale, bashkë me një fletë lavdërimi, motra Rachel komentoi: “Po tani, kush do ia japë lajmin e keq Borisit?”

Në Oksford kandidoi për president të Unionit studentor: nuk bëri fushatë, i bindur se do të fitonte, vetëm për shkak se ishte Boris. Humbi. Vendosi të provojë sërish, këtë herë duke u mbështetur në një numër mbështetësesh adhuruese (kishte zbuluar që pushteti mbi gratë të jep pushtet): dhe fitoi. Kishte lindur Boris Johnson.

Corriere della Sera – Bota.al

Boris Johnson fiton garën, zgjidhet kryeministër i Britanisë së Madhe

Boris Johnson është zgjedhur si kryetari i ri i Parisë Konservatore dhe si rrjedhojë do të jetë kryeministri i ri i Britanisë së Madhe.

Ai mundi rivalin Jeremy Hunt duke fituar me një diferencë të madhe votash. 92,153 vota për Johnson kundrejt  46,656 për Hunt.

Ish kryebashkiaku i Londrës do të marrë të mërkurën postin nga i cili u dorëhoq Theresa May.

Në fjalimin e fitores Johnson premtoi se “dorëzojë Brexit, do të bashkojë kombin si dhe do të mposhtë Jeremy Corbyn”.

Teksa fliste më “Queen Elizabeth II” në qendër të Londrës, Johnson tha: Në do ta rigjallërojmë vendin. Ne do ta mbyllim marrëveshjen e Brexit më 31 tetor dhe do të përfitojmë nga të gjitha mundësitë që do të sjellë me një frymë të re.

Ne do të besojmë sërish në vendin tonë dhe si një gjigant që ngrihet nga gjumi do të heqim çdo hije dyshimi dhe negativiteti”.

Zonja May e uroi Johnson për postin e ri dhe premtoi mbështetje të plotë.

Pothuajse 160,000 anëtarë të partisë konservatore kishin të drejtë vote dhe pjesëmarrja ishte 87.4%.

Jonson fitoi me 66.4%, me një përqindje pak më të ulët se ajo e fituar nga David Cameron në zgjedhjet e udhëheqjes së Tory të vitit 2005 (67.6%).

Boris Johnson duke nisur nga e mërkura do të jetë kryeministri i ri i Britanisë.

Skip to toolbar