Kërcënime për sigurinë, Britania anulon fluturimet drejt Egjiptit

Kompania britanike “British Airways” njoftoi anulimin e fluturimeve drejt kryeqytetit egjiptian Kajro, duke cituar motive sigurie, por pa dhënë sqarime të mëtejshme. Menjëherë pas saj, edhe kompania gjermane “Lufthansa” pezulloi përkohësisht fluturimet për në Egjipt. Këto zhvillime vijnë ndërsa Britania është duke shqyrtuar kundërpërgjigjen e saj ndaj sekuestrimit nga Irani të një anieje çisternë me flamur britanik.

Kompania “British Airways” njoftoi të dielën pezullimin e fluturimeve drejt Kajros për arsye sigurie, por pa dhënë hollësi të mëtejshme. Anullimi i fluturimeve drejt kryeqytetit egjiptian do të zgjasë një javë. “British Airways” njoftoi se masa u mor pas vlerësimeve të njëpasnjëshme të masave të sigurisë në aeroporte, duke i quajtur “masa paraprake që do të mundësojnë vlerësimin e mëtejshëm” të situatës. Edhe kompania ajrore gjermane “Lufthansa” pezulloi gjithashtu fluturimet drejt Kajros, por shtoi se ato do të rifillonin të dielën.

“Lufthansa” gjithashtu njoftoi se ishte një masë paraprake dhe zëdhënësat e saj nuk iu përgjigjën kërkesave të shtypit për më tepër sqarime. Ndërkaq një zëdhënës i “Air France” njoftoi se Franca do të vazhdojë fluturimet drejt Kajros, pas vendimit të marrë nga kompanitë rivale britanike dhe gjermane. Pasagjerët e ngelur në Egjipt nuk dinë se si të veprojnë.

“Ndodhem në Egjipt për dy javësh dhe tashmë çdo gjë duhet të shtyhet. Nuk di se kur do të mundem të kthehem”, thotë Khalid Keshta, pasagjer i mbetur në Egjipt. Po kështu, edhe egjiptianët që planifikonin të ktheheshin në atdhe gjenden tashmë të bllokuar. “Na ka shkaktuar probleme të mëdha dhe kërkojmë informacion sa më shpejt se kur do të shkojmë në shtëpi dhe si do të shkojmë”, thotë Ayman Omar, pasagjer.

Këto zhvillime vijnë ndërsa Britania është duke vendosur për kundërpërgjigjen e saj ndaj sekuestrimit nga Irani ditën e premte të një çisterne karburanti në Ngushticën e Hormuzit dhe tensioneve në rritje nga efektet e sanksioneve amerikane ndaj ekonomisë së Iranit dhe eksporteve të tij në karburant. Ngushtica e Hormuzit dhe kryeqyteti egjiptian Kajro kanë një distancë prej 2500 kilometrash mes tyre./VOA/

Momenti kur Irani rrëmben anijen britanike (video)

Irani dhe Britania e Madhe vijojnë provokimet e marrëdhënieve mes tyre. Pas bllokimit të një cisterne të nafte të Iranit nga Britania e Madhe me dyshimin e po shkonte në Siri, duke shkelur sanksionet e vendosura nga BE dhe SHBA, të njëjtën gjë ka bërë edhe Irani. 

Forcat e Rojës Revolucionare të Iranit kanë bllokuar një anije britanike me arsyetimin se “është në shkelje të rregullave ndërkombëtare detare”. Kjo gjë u mohua nga autoritetet britanike, të cilët deklaruar se anija ishte në përputhje të plotë me rregulloren në ujërat ndërkombëtarë, ndërsa Ministri i Jashtëm britanik Jeremy Hunt e ka quajtur ngjarjen një “provokim të papranueshëm.”

Bllokimi i anijes britanike Stena Impero me 23 persona në bord ndodhi dy ditë më parë, ndërsa të dielën mediat botërore kanë nxjerrë pamjet e sekuestrimit të saj nga forcat iraniane.

Anija britanike u rrethua në ngushticën e Hormuzit nga varka të vogla të zeza, ndërsa nga helikopterët zbritën forcat iraniane në bordin e saj. Anëtarët e ekuipazhit britanik janë indianë, rusë, letonezë dhe filipinas.

May: Po largohem krenare dhe e zhgënjyer

Kryeministrja britanike në largim, Theresa May, tha se do të largohet nga pozita këtë muaj, me një përzierje krenarie dhe zhgënjimi, pasi dështoi në premtimin e saj qendror, për të udhëhequr vendin në procesin e Brexit-it apo daljes nga Bashkimi Evropian.

May, e cila dështoi të bind parlamentin për të votuar marrëveshjen e negociuar me Bashkimin Evropian, tha se ajo nënvlerësoi opozitën e ligjvënësve.

“Kishte momente kur isha ulur këtu dhe mendoja se do të kisha dashur që Brexit-i të ndodhë, do të doja që t’ia kishim dalur ta menaxhojmë atë proces”, deklaroi May.

Kryeministrja britanike, Theresa May, u detyrua të dorëhiqet nga udhëheqja e Partisë Konservatore, dhe rrjedhimisht nga detyra e kryeministres, pasi ligjvënësit britanikë kundërshtuan në masë të madhe, çdo marrëveshje për modalitetet e daljes së vendit nga BE-ja. Kryeministri i ri i Britanisë së Madhe pritet të shpallet më 23 korrik./REL/

“Trump i paaftë”, jep dorëheqjen ambasadori i Britanisë në SHBA

Të martën Donald Trump deklaroi se “Prej sot, ne nuk do të kemi më marrëdhënie me ambasadorin britanik. Një lajm i mirë në lidhje me Britaninë e Madhe është se nuk do të ketë më Theresa May për Kryeministre. Londra do të çlirohet nga një grua që me Brexit bëri një katastrofë”. Pas kësaj deklarate, i ndodhur në kushte presioni, Ambasadori i Britanisë së Madhe në SHBA, Kim Darroch, ka dhënë dorëheqjen, raporton BBC.

Dorëheqja ka ardhur si pasojë e rredhjes të disa kabllogrameve, të publikuar nga mediat britanike, ku ambasadori i vendit ishullor, shprehej se “Trump dhe administrata e tij është e paaftë”. Pikërisht, ky informacion i një letre, që duhej të ishte sekret, është publikuar në media dhe ka shkaktuar një përplasje të fortë mes Anglisë dhe SHBA-ve.

Më herët, Donald Trump kërkoi haptazi largimin e ambasadorit të Britanisë së Madhe nga SHBA. Megjithëse, Theresa May, dha mbështetjen e saj për ambasadorin, Kim Darroch ka dhënë dorëheqjen, i gjendur përballë një presioni të tillë.

E-mail-et sekrete të ambasadorit britanik në Shtetet e Bashkuara, të botuara në prestigjozen Daily Mail, kritikonin ashpër Trump-in dhe gjithë administratën e tij duke i cilësuar “të paaftë, jofunksional, të pasigurt” kurse fjalimet e presidentit amerikan “ të mbushura plot gënjeshtra”.

Haradinaj takon Theresa May: I kërkova mbështetje për dialogun me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka takuar gjatë Samitit të Poznanit në Ploni, kryeministren e Britanisë së Madhe, Theresa May. Nëpërmjet një njoftimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Haradinaj shprehet se i ka kërkuar mbështetjen e Britanisë Znj.May, për finalizimin e dialogut me Serbinë.

“Takim bilateral me kryeministren e Britanisë së Madhe, Theresa May, në kuadër të Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Poznan të Polonisë. Kryeministren May e njoftova për zhvillimet politike në Kosovë, duke shprehur vendosmërinë tonë për fuqizimin e partneritetit bilateral mes dyja vendeve dhe duke kërkuar mbështetje në proceset rajonale, veçmas në finalizimin e dialogut me Serbinë, konkretisht në arritjen e një marrëveshjeje, finale, me njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, shkruan Haradinaj.

Gjithashtu, Kryeministri kosovar shprehet se i ka shprehur mirënjohjen Britanisë së Madhe, si vend që ka dalë kundër idesë së ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosoës.

“Falënderova Kryeministren May për qëndrimin konsistent të Britanisë së Madhe kundër idesë për ndryshim kufijsh dhe këmbim territoresh, si dhe për ndihmen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë për fuqizimin e sundimit të ligjit, avancimin e administratës publike dhe zhvillim ekonomik në Kosovë”, përfundon Haradinaj njoftimin e tij në Facebook.

Skip to toolbar