Superkupa e Europës shkon për Liverpool, Chelsea dorëzohet te penalltitë

CHAMPIONS LEAGUE


Liverpool dhe Chelsea janë përballur mbrëmjen e së mërkurës në “Vodafonë Park Arena”  të Stambollit, për Superkupën e Eurpopës. Një takim mjaft emocionues, që përfundoi me rezultatin 2-2 pas 120 minutash lojë, ndërsa fati i buzëqeshi Liverpool pas gjuajtjeve të penalltive. Ndeshja ka qenë historike për shumë arsye, pasi jo vetëm se për herë të parë përballeshin në finalen e Superkupës dy ekipe angleze që fitonin dy trofetë më të rëndësishëm të UEFA-s, por edhe se në këtë përballje për herë të parë në histori, treshja e gjyqtarëve, ishin arbitre femra nga Franca.

Ndeshja ka nisur në ekuilibër të plot për të dyja skuadrat. Si Klopp ashtu dhe debutuesi Lampard zbritën në formacionet fillestare më të mirët e lojtarëve që kishin në dispozicion, të rreshtuar në 4-3-3 të pastër. Ishte Giroud ai që gjeti rrjetën i pari për Chelsea në pjesën e parë, pas një aksioni dhe pasimi të shkëqlyer të Pulisic në minutën e  36`. Tre minuta pas nisjes së pjesës së dytë, Sadio Mane vendosi barazpeshën në fushë, duke barazuar nga brenda zonës pas një dalje të gabuar të Arrizabalagas.


Më pas loja është bërë më agresive, me të dyja skuadrat që shkojnë disa herë respektivisht në portat e njëra-tjetrës. Liverpool i shkoi disa herë afër golit, me një rast kur Salah mund të kishte vendosur ndeshjen 10 minuta nga fundi i kohës së rregullt, por portieri i Chelsea bëri mrekulli, duke i mohuar një gol të sigurt. Më pas ishte Chelsea që gjeti rrjetën, por arbitrja franceze sinjalizoi pozicion jashtë loje duke i mohuar golin të besuarve të Lampard.

Por pavarësisht rasteve, koha e rregullt është mbyllur me rezultatin 1-1. Pas pesë minutash nga koha shtesë ka qenë përsëri Mane ai që ka shënuar golin e avantazhit për Liverpool, ku ashtu si në golin e parë është asistuar nga Firmino. Mirëpo avantazhi nuk ka zgjatur shumë pasi Chelsea ka barazuar me Jorginho, që shndërroi në gol një 11 metërsh në minutën e 101, duke vendosur barazpeshën në 2-2. Me këtë rezultat janë mbyllur dhe 30 minutat e kohës shtesë duke bërë që ndeshja gjithçka të vendoset nga pika e bardhë e penalltisë, ku fati i buzëqeshi Liverpool.




Skip to toolbar